Shkruan Zef Ndreka
Është pyetja për djegien e vilës në bllok.
Pyetje kjo, thelbësisht politike dhe simbolike njëkohësisht.
Ta analizojmë në disa plane, pa aspak paragjykime, por vetëm me logjikë politike.
E nisim nga konteksti historik.
Pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës dhe përmbysjes së monumentit të tij më 20 shkurt 1991, shumë simbole të diktaturës u rrëzuan. Por jo të gjitha u zhdukën fizikisht.
Vila në ish-Bllok mbeti, si shumë objekte të tjera, dhe me kalimin e viteve u kthye më shumë në relike historike sesa në simbol aktiv ideologjik.
Nga viti 1992 e në vazhdim, kur ka qeverisur Sali Berisha dhe më pas, disa herë të tjera, kishte realisht hapësirë institucionale për të marrë vendime të tilla nëse do të konsideroheshin prioritare.
Pra pyetja vetvetiu vjen:
Pse nuk iu vu zjarri në vitet ’92–’97 apo 2005–2013?!
Mbase prioritetete ishin të tjera gjëra për tu bërë, si tranzicioni ekonomik, privatizimet, menagjimi i krizave politike.
Por mund të theksohet se gjithë atë kohë, kishte një mungesë strategjie për dekomunistizim të plotë, pasi Shqipëria nuk bëri asnjë proces të strukturuar, siç kanë bërë disa vende të Europës Lindore.
Dhe sot, shohim atë që kurrë nuk u bë dhe ky mbetët thjeshtë instrumentalizim simbolik, që tregon qartë se simbolika si kjo, shpesh aktivizohen kur i duhet politikës së ditës dhe halleve përsonale e familjate të Berishës.
Pra, djegia e vilës në ish-Bllok, ngre pikërisht pikëpyetjet:
A është akt parimor apo akt momental për efekt politik?
A është veprim simbol apo diversion?
Sepse, kur ky akt ndodhi pas 30 e kusur vitesh, perceptimi publik shpesh shkon drejt dyshimeve që ky veprim është për të zhvendosur vëmendjen nga kriza aktuale, për të mobilizuar bazën emocionale dhe thjeshtë për të krijuar një ide të re përballë konsumimit politik.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite, mbase ndonjë album “fotosh e vjetra” duheshin djegur, pasi është fakt se në vitet e fundit të regjimit, shumë figura që më pas u bënë kundërshtarë politikë, kishin qenë pjesë e sistemit komunist.
Kështu ka ndodhur në gjithë Europën Lindore dhe është një realitet tranzicioni.
Por pikërisht për këtë arsye, çdo akt i vonuar ndaj simboleve të diktaturës ngjan më shumë si gjest emocional, sesa si proces serioz reflektimi historik.
Sërish lindin pyetjet:
Nqs qëllimi ishte ndarja përfundimtare nga diktatura, atëherë pse nuk u bë një ligj i qartë për muzealizimin ose transformimin e objekteve?!
Pse nuk u ndërtua një linjë shtetërore e përbashkët për dënimin e regjimit?
Sepse dekomunistizimi real nuk bëhet me molitov, me zjarr simbolik, por me institucione, me edukim dhe drejtësi historike.
Dilema në këtë rast mbetet, se a ishte ky një akt kundër diktaturës apo një akt për politikën e ditës?








