Intervistoi Qamil Gjyrezi
Sivjet është 100 vjetori i lindjes së kompozitorit dhe muzikantit të madh shqiptar, Tish Daija, Artisti i Popullit (1926–2003). Daija është një nga figurat më të rëndësishme të muzikës shqiptare të shekullit XX-të. Ai është autor i baletit të parë kombëtar “Halili dhe Hajrija” (1963) dhe i një krijimtarie të gjerë vokale e instrumentale që përfshin këngë, suita, koncerte, balete dhe vepra korale.
Intervistë me Pedagogun e lëndëve teorike në shkollën ‘Prenk Jakova’ Shkodër, Z. Dritan Selhani.
1.Cfarë ndikimi ka patur kompozitori Tish Daija për formimin tuaj muzikor dhe pedagogjik?

D. Selhani: ‘Ka shumë për të thënë! Si nxënës i kompozitorit dhe profesorit Tish Daija, ndikimi i tij në formimin tim muzikor dhe pedagogjik ka qenë thellësisht frymëzues dhe transformues. Si mjeshtër i kompozicionit shqiptar, i njohur për veprat e tij që bashkojnë elementet folklorike me strukturat klasike, si opera “Pranvera” apo baletet e ndryshme, Profesor Daija më mësoi të vlerësoj rrënjët kulturore të muzikës sonë kombëtare dhe njëkohësisht të integroj motive popullore në krijimet e mia gjatë periudhës akademike. Përveçse një pedagog rigoroz, ai ishte edhe një mentor i ngrohtë, i cili më frymëzoi të eksploroj harmoni të reja dhe të kuptoj se muzika është një urë midis traditës dhe risive bashkëkohore. Në aspektin pedagogjik, mësimet e tij ishin dhe mbeten ndikimi më i madh në rrugëtimin dhe formimin tim si mësues. Një nga trashëgimitë më të rëndësishme që ai përcolli tek unë është mënyra se si të transmetoj pasionin për muzikën te brezat e rinj, me durim, kreativitet dhe duke ndërtuar një lidhje të fortë mësues–nxënës, të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe dashuri për artin. Kjo trashëgimi e vyer vazhdon të më udhëheqë në karrierën time, duke më bërë një edukator më i plotë në rrugën e muzikës’.
2. Çfarë ju kujtohet nga bashkëpunimi me Profesor Tish Daia gjatë mësimit?
D. Selhani: ‘Kujtimet nga bashkëpunimi me Profesor Tish Daijën gjatë mësimit të kompozicionit janë ndër më të vlefshmet në jetën time muzikore. Ai nuk shpjegonte thjesht rregulla harmonie apo forma muzikore, ai të bënte ta ndjeje muzikën si diçka të gjallë. Më kujtohet qartë një moment kur po analizonim një temë që kishim zgjedhur për ta zhvilluar. Profesori u ul pranë pianos dhe më tha: Shiko, kjo melodi ka shpirtin e maleve tona. Mos shtyp me shumë akorde, lëre të marrë frymë si era nëpër bjeshkë. Shto vetëm aq sa duhet që të ndihet bukuria e saj e brendshme, por jo sa të humbasë identitetin. Ai kishte një aftësi për të dëgjuar atë që fshihej përtej notave. Shpesh na linte të provonim vetë dhe më pas vinte me një sugjerim të tijin që ndryshonte gjithçka. Qasja e tij ishte një kombinim i rreptësisë teknike me lirinë emocionale. Shpesh më thoshte, Tani harroje atë që ke shkruar dhe shkruaje sërish sikur po i këndon dikujt që e do shumë. Ajo do të dalë e vërtetë. Vlen ta përmend që unë shpesh kam bërë mësim tek shtëpia e profesorit dhe kuptohet si shkodranë që ishim, bënim ato humoret tona dhe na krijohej një gjëndje shumë miqësore. Shumë kujtime dhe mësime kanë mbetur si busull falë mjeshtrit të madh që më hapi sytë dhe zemrën drejt bukurisë së vërtetë të artit.

3. Si i ka shprehur me muzikë Tish Daija raportet me Shkodrën?
D. Selhani: ‘Lidhja e profesor Tish Daija me shkodrën është shprehur padyshim në mënyrën më të bukur përmes vetë gjuhës së muzikës, duke krijuar këngë që këndohen akoma sot dhe kanë mbetur trashëgimi e siç mund ti përmend: “Me lule të bukura” “Sylarushe” “Çik, o mori çikë” “Ndal, bre vashë” Këngë ku ndihet aroma e ahengut shkodran, një përzierje e traditës popullore, por gjithmonë me shpirtin e qytetit, liqenit dhe të maleve. Vlen të permenden veprat e mëdha skenike, ku ai e lidhi Shkodrën me historinë dhe bukurinë e tokës arbërore.
Baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria” (1963), me muzikë nga Tish Daija, ku merr frymëzimin nga drama historike e Kolë Jakovës. Në këtë vepër, profesori përdor motive folklorike të veriut, valle burrash, valle solemne dhe episode lirike të zonës, një himn muzikor për identitetin kombëtar.
Profesor Tish Daija e shprehu Shkodrën jo vetëm me motive popullore, por duke krijuar një stil personal që bashkon elegancën e qytetit të kulturës me forcën e maleve. Ai e bëri muzikën e tij një pasqyrë të Shkodrës. Ai mbetet një nga ata që e ngriti Shkodrën në piedestalin e muzikës klasike shqiptare’.








