17 kallnori / janari, sërish vjen data e vdekjes së Skënderbeut

0

Shkruan Naim Flamuri

Helmimi, zeherlisja e Skënderbeut!?

Ju lutem ta konsideroni këtë çështje me mendje të hapur. Sot, për fat të keq, mungon forenzika dhe analiza ADN e eshtrave të Skënderbeut, sepse, siç dihet, eshtrat, rruazat, kockat ia shndërruan në hajmali e amulete një popullsi vulgare e paditur (apo edhe ato eshtra shpëtuan falë zonja Donikës që i mori me vete pasi që u zhvendos në Itali, një vjet pas ikjes Skënderbeut).

Kështu, nuk mund të përcaktohet shkencërisht shkaku i vërtetë shëndetësor nga i cili dha jetën Kryezoti i Shqiptarëve. Si vdiq Skënderbeu!? Këtë pyetje, në dukje, “e dinë të gjithë”… dhe njëkohësisht, si çdo njeri, edhe ne “në dekë” do ta provojmë herët a vonë. Por po t’i kthehemi kohës së motit të madh, pikërisht atij përqendrimi dhe atyre rrethanave kur Venediku e donte të asgjësuar, dhe pikërisht në vrullin e mbledhjes së Kuvendit të Dytë të Lezhës, Skënderbeu “vdes tak-tuk”, si thoni ju, nga stresi? Apo nga malaria e mushkonjave të Lezhës, në kulmin e 17 janarit, në acarin e dimrit? Këtë mbase mund ta besonte ndonjë romancier para shumë shekujsh, por si mund të besohet në shekullin XX e XXI? Cila ishte mundësia reale?

Nuk mund të jetë vdekje nga një palë “ethe të forta”. Versioni i Barletit, i sponsorizuar nga Venediku, natyrisht që nuk mund të shkruante “e helmuan ata”. Ne kemi disa dokumente të kohës ku nga VENEDIKU-VENEZIA, jepet urdhri për t’u asgjësuar Skënderbeu, me detaje, shuma parash dhe emra konkretë. Kjo e përforcon argumentin se Venediku, apo Senjoria siç njihej atëbotë, e kërkonte këtë vrasje prej kohësh. Që vdiq, fizikisht vdiq, pajtohemi të gjithë, apo jo? Por nga malaria në kallnor/janar!? Kjo është biologjikisht e pamundur. Malaria është sëmundje verore, jo dimërore. Vdiq nga “ethet”? Po, por ethet e dhunshme (violente) janë tipike për helmimin.

Dhe kjo nuk më duket aspak e mangët si tezë, sidomos pas gati 550 vjetësh nga ikja fizike e Kryezotit të Shqiptarëve. Fjala “violent”, nga latinishtja, do të thotë dhunë, pra diçka e shkaktuar, jo natyrore. Po si vdiq nga helmimi? Pikërisht këtu përgjigjen më së miri vetë burimet. Marin Barleti thotë: “ethet e rënda”. Por kush e kupton gjuhën e kohës, e di se kjo shprehje është gremç, perde, mbulesë. Gaspare Veronese shënon se Skënderbeu vdiq nga një atak violent kardiak, duke mos përmendur fare versionin e “malaries” në pikë të janarit. Kjo është domethënëse dhe jo rastësore. Ndërsa Volaterrano shkruan qartë: “Si erdhi në Romë, u kthye në atdhe, ku thuhet se pas pak kohe vdiq i helmuar.” Ky variant, edhe sipas Aurel Plasarit, duhet privilegjuar, nisur nga përkimi i fakteve të dala nga burime të ndryshme. Rrethanat janë të tilla që sot lirisht dhe me bazë mund të shkruhet për helmimin e tij. Mos harrojmë: pas tij, u helmuan një varg patriotësh kombëtarë: Theodor Kavalioti, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Naum Veqilharxhi, Nikoll Bojaxhiu (babai i Nënë Terezës), Ismail Qemali, Mit’hat Frashëri…kjo metodë ishte e njohur, e përdorur dhe sistematike. Epoka papale e Borgiave e njihte helmimin si mjet politik. Mesjeta angleze po ashtu. Nuk është fantazi, është praktikë historike. Para se ta mbyll, po e blatoj një uratë për Gjergj Gjon Palin, të mbiquajtur Skënderbe, për hir të Lekës së Madh: O Zot, jepja birit të Vaissës pushimin e pasosun dhe dritën e pambarueme! Amen!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu