Berisha, monopol mbi eksistencën e partisë

0

Shkruan Zef Ndreka

Karizma e Berishës kundrejt programit politik të PD-së, i ka dhënë formën dhe gjithë fatin asaj partie. Demokracia e brendshme e PD-së, në asnjë rast nuk u mbështetet tek programi, tek institucionet dhe rregullat, që mbizotërojnë edhe në vendet me demokraci të brishtë.
Gabimi fatal i kësaj partie ka qënë dhe është personalizimi i politikës nga Berisha dhe vendosja e tij mbi të gjitha parimet.
Karizma e Berishës kishte rëndësi si motor fillestar me krijimin e pluralizmit në Shqipëri, por jo garanci për të ardhmën. Jo vetëm për faktin se ka qënë komunist dhe sekretarë i PPSH në Universitetin e Mjeksisë për shumë vite.
Si lidër karizmatik ai ka qënë shtysa e parë për të mobilizuar mbështetës, për të krijuar identitet dhe për të fituar beteja të vështira historike, siç edhe ndodhi në vendin tonë.
Sali Berisha në vitet ’90 është shembulli tipik, ku karizma e tij krijoi një bosht rreth të cilit u formua opozita antikomuniste dhe PD mori legjitimitetin fillestar.
Por në të gjitha teoritë dhe në praktikë, karizma është kapital i konsumueshëm siç i ndodhi Berishës dhe çdo lideri tjetër në Europën lindore.
Me kalimin e viteve ai nuk ndryshoi, nuk evoloi në institucione dhe programe, duke u kthyer në një barrë që PD-ja sot nuk e përballon dot.
Dihet se programi dhe institucionet janë ato që e mbajnë një forcë politike në jetë. Dhe partitë që duhet të sherbejnë dhe të mbijetojnë afatgjatë nuk varen nga një njeri i vetëm siç po ndodh sot tek PD-ja me Berishën.
Modelet perëndimore e tregojnë qartë se si liderët ndërrohen, se si programet përditësohen, por identiteti ruhet. Kur programi dhe mekanizmat institucionalë janë të forta, lideri është i zëvendësueshëm pa krizë. Dhe kështu duhet të ndodhë.
Por në Shqipëri, ky tranzicion pothuajse nuk ka ndodhur, partitë mbeten pronë personale e familjare, jo organizma programore.
Rasti i Berishës në PD, personalizimi plotësisht i saj, është bërë pengesë për alternativë. Sepse, Berisha sot nuk luan më rolin e liderit karizmatik të transformimit historik, por atë të figurës që frenon ristrukturimin e PD-së për interesa personale dhe familjare, duke u përpjekur të ruaje kalanë mbrojtëse për shkak të akuzave.
Ky personalizim ka prodhuar disa efekte negative, pasi ka bllokuar reformimin programor dhe ideologjik të PD, ka penguar gjeneratën e re të udhëheqjes, e ka mbajtur partinë në funksion reaksioni dhe jo të alternativës politike dhe e ka zhvendosur qendrën e vendimmarrjes nga institucionet tek individi Berishë.
Në këtë kuptim, karizma e Berishës nuk është më aset, por një monopol mbi eksistencën e partisë.
Ndaj, nuk ka asnjë të ardhme kështu…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu