Shkruan Zef Ndreka
Kjo është tema më e diskutueshme e ditëve të fundit në vendin tonë, në rastin kur gjykata pezulloi nga detyra zv/kryeministrën Balluku.
Në këtë rast, as formalisht dhe as juridikisht gjykata nuk i mori kompetencat e Kryeministrit.
Por ajo ushtroi një kompetencë tërësisht të përcaktuar nga ligji për vendosjen e masave të sigurimit personal kur ka dyshime për vepra penale të kryera në ushtrimin e detyrës, ani pse ishte zv/kryeministe.
Lind pyetja: Pse ky vendim nuk konsiderohet marrje kompetencash?
Sepse kushtetuta dhe ligji për SPAK dhe GJKKO e autorizojnë gjykatën të vendosë masa sigurie pavarësisht vullnetit politik.
Dhe masa “pezullim nga ushtrimi i detyrës” nuk është akt politik, por masë procedurale që synon të shmangë ndikimin në prova, të shmangë konfliktin e interesit, të shmangë rrezikun e përsëritjes së veprës.
Pra gjykata nuk e shkarkoi ministren por e ndaloi përkohësisht ushtrimin e funksionit për aq kohë sa çmon se rreziku procedural ekziston.
Ndërkohë, shkarkimi i zv/kryeministrës Balluku vazhdon të jetë gjithnjë kompetencë ekskluzive e Kryeministrit Rama dhe Presidentit të Shqipërisë z.Begaj, ndërsa pezullimi procedural është kompetencë e gjykatës.
Pyetja tjetër gjithnjë në shërbim të kësaj analize: A ka rrugë më të ligjshme, më të qartë apo më të mirë, për të arritur të njëjtin efekt?
Praktikisht, siç e thotë edhe teoria ekzistonte
rruga politike, ku Kryeministri e shkarkonte vetë zv/kryministrën Balluku.
Duhej që Kryeministri Rama, sapo u hapen hetimet, mundej, jo detyrimisht, të kërkonte dorëheqjen ose ta shkarkonte vetë zv/kryeministrën dhe ministrën Balluku.
Kjo do shmangte perceptimin se gjykata po merr vendime politike, do të ruante balancën e pushteteve, do të mbronte imazhin e qeverisjes.
Por ky ishte dhe është opsioni politik në dorën e Kryeministrit Rama, jo opsion juridik.
Meqenëse Kryeministri Rama nuk synoi shkarkimin siç edhe ndodhi, gjykata pati detyrimin të veprojë vetë, sepse plotësoheshin kushtet ligjore për rastin Balluku.
Vazhdojmë me pyetjen tjetër:
Çfarë ndodh kur Kryeministri thotë “e respektoj, por e kundërshtoj vendimin”?
Ky është thjeshtë pozicion korrekt konstitucional që e respekton, sepse vendimet gjyqësore janë të detyrueshme, si dhe e
kundërshton sepse çdo palë në proces ka të drejtën e ankimit në apel.
Në këtë rast, Kryeministri nuk ka të drejtë të urdhërojë gjykatën, por ka të drejtë të ketë qëndrim politik për një vendim që preku qeverinë e tij.
Sërish shtrohet pyetja:
A po shkojmë drejt “Republikës së Prokurorëve”?
Ky është një shqetësim politik dhe publik që më së shumti po nënkuptohet, por juridikisht çështja duhet parë me nuanca dhe argumente që e ushqejnë këtë perceptim.
Sepse, SPAK po prek profile të larta politike, ashtu sikurse edhe Gjykata po merr masa të rënda ndaj zyrtarëve të niveleve të larta, ndërsa politika nuk ka përdorur mekanizmat e brendshëm të vetëpastrimit.
Ndërkohë ka argumente juridike kundër perceptimit të “Republikës së Prokurorëve”.
SPAK dhe GJKKO po veprojnë në përputhje me ligjet që vetë politika miratoi në Reformën në Drejtësi.
Dhe masa e pezullimit është masë standarde në çështje që lidhen me tenderat dhe shkelje të barazisë në konkurrim.
Kontrolli mbi SPAK dhe GJKKO ruhet nga Apeli i Posaçëm, nga Gjykata e Lartë, nga Kushtetuta, si dhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Pra, mund ta themi me zë të lartë se nuk ka “grusht të pushtetit”, por ka një zhvendosje të kulturës së pandëshkueshmërisë, që për politikën shqiptare duket e pazakontë.
Pyetja tjetër vjen vetiu:
Ku është këtu problemi real?
Problemi real në këtë rast nuk është te gjykata, por te mungesa e standardeve politike të vetë-korrigjimit.
Në demokraci të konsoliduara, çdo ministër, në rastin konkret zv/kryeministria Balluku, jep dorëheqje sapo hapet një hetim penal për tendera. Por kur kjo nuk ndodh, gjykata detyrohet të hyjë në territorin moral të qeverisjes. Ky është rasti kur krijohet përshtypja sikur gjykata po merr rol politik.
Por gjykata nuk ka uzurpuar kompetencat e Kryeministrit.
Veprimi i saj është teknik, i parashikuar nga ligji dhe i kufizuar në kohë.
Perceptimi se “po sundojnë prokurorët” vjen nga mungesa e standardeve politike të përgjegjësisë, jo nga tejkalimi i kompetencave të gjykatës.








