Shkruan Zef Ndreka
I mbiu më në fund Sorosi në tru edhe Belind Këlliçit. Ashtu si gjithë drejtuesve të tjerë të PD-së. Këtë e tha në deklatatën e tij të fundit, duke dëshmuar edhe pse është i ri, rëndesë politike dhe psikologjike. Gjithçka është Soros sipas PD-së! SHBA është Soros, BE është Soros!
Në të vertetë, ka një narrativë të re në opozitën shqiptare që është ndërtuar pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës nga SHBA, dhe narrativat rreth Sorosit janë kthyer në një mënyrë të ri-kornizimit të fajit apo legjitimitetit.
Dhe kjo mënyrë jo rastësisht, është kthyer në strategji politike.
Ta kthjellojmë rastin.
Para se Berisha të marrë nofkën “non grata”, Sorosi ishte kryesisht temë e margjinalizuar.
Para vitit 2021, edhe brenda PD-së referenca ndaj George Soros ishte dytësore, e shpërndarë në disa segmente të antipërqëndrimit globalist, por jo boshti narrativ i opozitës.
Më shumë përdorej për të sulmuar Ramën për lidhjet me fondacionet liberale ndërkombëtare, por jo si arsyeja themelore e një konflikti politik në Shqipëri.
Pas marrjes “non grata”, Sorosi u bë arsyetim i konfliktit me SHBA-të.
Pas goditjes me “non grata”, një pjesë e opozitës duhej të delegjitimonte vendimin e SHBA-ve pa prishur retorikën e gjatë se “Amerika është aleat”, por pa i atribuar faj Berishës.
Pra gjidhja e diskutimeve ishte e tillë se nuk është Amerika që po na godet, por janë Soros-istët që kontrollojnë Amerikën!
Kjo e ruan narrativën pro-amerikane ndërsa e shmang përgjegjësinë e brendshme.
Prandaj u krijua kjo aksiomë e re në PD që SHBA-të janë mira, por të kapura nga Sorosi!
Në këtë kuptim “Soros iu ka mbirë në tru opozitës”, sepse është bërë filtër interpretues i çdo ngjarjeje që nga vendimi i DASH që konsiderohet influencë e Soros!
Edhe qëndrimet e BE-së, konsiderohen si lob i Soros!
Pa ashtu, kritika ndërkombëtare për korrupsion konsiderohet skenar geopolitik i Soros!
Gjithashtu, mbrojtja e zgjedhjeve nga BE, konsiderohet se Soros po mbron Ramën!
Këto diskutime, nuk ekzistonin në këtë shkallë më parë.
Lind pyetja:
Pse u zgjodh pikërisht Sorosi si armik i duhur?
Sepse është target global i të djathtës populiste, Trump, Orbán, Netanyahu, PiS në Poloni, sepse është person me profil transnacional, jo qeveritar dhe figurë simbol për institucione liberale, OJQ, media, gjyqësor, të drejta njeriu.
Pra, është një armik që e zhvendos fushën e konflikteve.
Në këtë narrativë, pra sipas PD-së, Rama është produkt i Sorosit, BE është e kapur nga Sorosi,
Diplomacia amerikane është e infiltruar nga Sorosi.
Që do të thotë se Opozita, pas shpalljes non grata të Berishës, është thjeshtë mision kundër Soeosut që nuk merr më përgjegjësi politike ose reformuese.
Është zgjedhur enkas kjo mënyrë, për të shmangur autokritikën.
Pyetja tjetër që lind:
Kush përfiton nga kjo narrativë?
Përfituesi i parë është Berisha, sepse e paraqet veten jo fajtor, por viktimë të një komploti global, duke mashtruar gjatë demokratët.
Përfituesi i dytë, mund të jenë segmente ultra-nacionaliste të opozitës, që kërkojnë shkëputje ideologjike nga BE dhe SHBA-të tradicionale.
Përfituesi i tretë është Edi Rama në mënyrë indirekte, sepse opozita lufton me fantazma, jo me realitetin institucional.
Kush humbet?
Humbet debati real për korrupsion dhe reformë shtetërore, humbet procesi i integrimit, humbet serioziteti i opozitës në arenën ndërkombëtare, humbet besimi tek raportet ndërkombëtare.
Kur gjithçka është Soros, asgjë nuk është analizë. Narrativi Soros është bërë armatura mentale me të cilën një pjesë e opozitës racionalizon konfliktin me SHBA, BE dhe realitetin zgjedhor pas nofkës “non grata”.
Dhe kjo nuk është obsesion, por është strategji për të ruajtur koherencën ideologjike, për të shmangur përgjegjësitë, për të krijuar armik transnacional.
Pyetja e fundit dhe më e rëndësishme është:
A do të mund të ndërtojë PD-ja një alternativë serioze pa një armik global imagjinar?!








