Me kë tallesh ti?!

0

Shkruan Arlind Qori

Janë të rralla vendet demokratike që kanë ligje mbi lèse-majesté, të cilat dënojnë ata që fyejnë autoritetin më të lartë shtetëror. Këto ligje, që edhe ku ekzistojnë nuk dënojnë më askënd, janë mbetje të kohës së monarkive feudale ku mbreti ishte jo vetëm mishërimi i shtetit, por edhe bartës i pushtetit prej vullnetit hyjnor.

Vendet që i dënojnë fort “krimet” si fyerja e autoriteteve të larta shtetërore nuk para shquhen si demokraci. Shembull këtu është Turqia. Në Turqinë e sotme nëse fyen Presidentin e Republikës dënohesh deri në 6 vite burg. Dhe ndryshe nga ç’ndodh gjetiu, p.sh. në Itali vetë presidenti Napolitano e fali menjëherë Umberto Bosin që ishte dënuar pasi e kishte quajtur “terrone”, në Turqi ky zbatohet me ashpërsi. Rreth 14.000 vetë, midis tyre gazetarë, humoristë dhe politikanë opozitarë, janë dënuar me burg se kanë fyer Presidentin e Republikës.

Prej “demokracisë” së Erdoganit duket se është frymëzuar edhe Edi Rama, shumica parlamentare e të cilit, si askund tjetër, në shekullin XXI ka vendosur të fusë në Kodin Penal dënimin deri në katër vite burg për ata që fyejnë institucionet kryesore të shtetit. Madje jo vetëm për fyerje ndaj kreut të shtetit, por edhe ndaj qeverisë, parlamentit, forcave të armatosura e Gjykatës Kushtetuese.

Në anën e kundër të barrikadës gjenden vende ku liria e talljes, fyerjes dhe përçmimit të autoriteteve dhe institucioneve publike është absolute. Në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej vitit 1791 amendamenti i parë i kushtetutës e detyron kongresin që të “mos miratojë asnjë ligj që… kufizon lirinë e shprehjes apo të shtypit…” Kjo mënyrë formulimi ka ngjallur debate nëse dhe në cilat raste mund të kufizohet e drejta e fjalës. Me kohën mbizotëroi interpretimi që e konsideronte lirinë e fjalës thuajse absolute.

Një prej rasteve më domethënëse të testimit të lirisë së fjalës ka qenë raporti me flamurin e SHBA. Gjatë protestave të forta kundër ndërhyrjes amerikanë në Vietnam, një pjesë e protestuesve shkonin deri në pikën që t’i kundërviheshin shtetit të tyre duke cenuar flamurin kombëtar. Këto akte e shtynë Kongresin që më 1968 të miratonte një ligj të posaçëm kundër përdhosjes (shkeljes, fyerjes, djegies etj.) së flamurit. Sidoqoftë ky ligj nuk mbeti pa u kontestuar. Më 1984 një qytetar amerikan, i quajtur Gregory Lee Johnson, vendosi të djegë flamurin amerikan në Teksas gjatë Konventës Kombëtare Amerikane. Për këtë gjest e arrestuan, e dënuan me një vit burg dhe e gjobitën me 2000 dollarë.

Çështja përfundoi në Gjykatën Supreme. Në dy vendime të viteve 1989 dhe 1990 Gjykata e konsideroi djegien e flamurit si gjest simbolik, për pasojë pjesë të lirisë së shprehjes që garantohej nga amendamenti i parë i kushtetutës, duke rrëzuar si antikushtetues ligjin e 1968 kundër përdhosjes së flamurit. Argumentimi i shumicës së gjyqtarëve ishte se revolta dhe indinjata e shoqërisë ndaj përdhosjes së flamurit nuk mjafton për të justifikuar ndalimin e lirisë së shprehjes. Njëri prej gjykatësve që votoi pro të drejtës për djegien e flamurit, konservatori Antonin Scalia, u shpreh se të ishte për të do t’i kalbte në burg hipitë që djegin flamurin amerikan. Po ja që ai nuk është mbret që të bëjë ç’të dojë dhe duhet të zbatojë kushtetutën.

Ky interpretim radikal i lirisë së shprehjes në jurisprudencën amerikane i ka rrënjët thellë në traditën e mendimit politik liberal. Një prej mendimtarëve më të shquar liberalë të shekullit XIX, John Stuart Mill, në librin e tij “Mbi lirinë” mbron me forcë lirinë thuajse absolute të shprehjes nga qytetarët. Edhe kur e kanë gabim, edhe kur fjalët mund të prekin emocionalisht shumicën dërrmuese të shoqërisë, individi ka të drejtën për t’u shprehur si t’i dojë qejfi. I vetmi kufizim që vendoste Milli ishte parimi i shkaktimit të dëmit, çka nënkupton se fjala mund të kufizohet vetëm kur nxit drejtpërdrejt dhe në mënyrë të pashmangshme sulmin fizik ndaj një njeriu tjetër. Diçka e tillë nuk varet nga përmbajtja e mesazhit, por nga konteksti. Për shembull një njeri ka të drejtë të shkruajë në gazetë se spekulimet e tregtarëve të drithit po bëjnë që populli të vdesë urie. Po të njëjtin mesazh nuk ka të drejtë ta japë në krye të një turme të ndërsyer që po kalon përpara shtëpisë së një tregtari drithi sepse kësisoj është duke i nxitur drejtpërdrejt dhe në mënyrë të pashmangshme drejt linçimit të tregtarit.

Në vendet perëndimore liria e shprehjes i ka rrënjët në Reformën Protestante, kur me pahir nisi të fitohej e drejta për të besuar pa pyetur autoritetet klerikale. Kjo e drejtë, e shprehur fillimisht si liri e besimit dhe e ndërgjegjes, ka qenë temë kyçe në traktatet e filozofisë politike në shekujt XVII-XVIII. Në plotërinë e saj si liri e shprehjes dhe e ndërgjegjes, ajo ka avancuar mjaft gjatë shekujve XIX-XX, ndonëse në dekadat e fundit ka mjaft debate se cilat mund të jenë kufijtë e saj kur fyhen ose poshtërohen komunitete të caktuara sociale.

Gjithsesi popujt e vendeve me traditë demokratike prej kohësh e kanë fituar të drejtën për të sulmuar verbalisht institucionet publike dhe krerët e tyre, t’i tallin e poshtërojnë ata me fjalë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Kjo e drejtë – që në SHBA shkon deri në ekstremin e djegies së flamurit apo lirisë për të bërë thirrje për kryengritje (mjafton që të mos organizohesh praktikisht për kryengritje) – është tregues i fuqisë së shoqërisë ndaj pushtetit, por edhe i maturisë së demokracisë e cila, siç thotë filozofi amerikan John Rawls, përmes tolerimit të ideve subversive mat pulsin e shoqërisë dhe distancën midis kësaj të fundit dhe institucioneve.

Krahasoni tani gjerësinë e lirisë së shprehjes në vendet demokratike, bashkë me bagazhin historik e filozofik të kësaj të drejte ndër shekuj, me Kodin e ri Penal që ka në plan të miratojë partia e Edi Ramës në Shqipëri. Sipas tij, nga përdhosja nuk mbrohet vetëm flamuri (siç ndodh në shumicën e vendeve demokratike, ndonëse jo në SHBA dhe vendet e ashtuquajtura anglo-saksone), por edhe institucionet dhe, për pasojë, krerët dhe anëtarët e tyre. Përdhosja përkufizohet, ndër të tjera, edhe si tallje apo përçmim.

Kështu që nëse themi “qeveri hajdutësh”, “parlament hajvanësh”, “president kukull”, apo tallemi me budallallëqet që nxjerr nga goja Edi Rama dhe kryetarja e Kuvendit (kujtoni krahasimin që i bëri Ramës me Skënderbeun!), rrezikojmë burg deri në 3 vjet. Po kaq vite rrezikon çdo aktor humori i cili do të ketë guximin të qesëndisë Presidentin e Republikës apo shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Nëse tallja dhe përçmimi kryhen gjatë festave publike e ceremonive zyrtare, atëherë dënimi shkon deri në 4 vite burg. Kaq vite burg do të pësojë nesër, për shembull, një grup studentësh që gjatë një ceremonie zyrtare ku është i pranishëm Edi Rama, do të hapë një banderolë duke e quajtur hajdut apo shkatërrimtar të arsimit të lartë.

Thonë se sipas nenit 22 të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “liria e shprehjes është e garantuar”. Ia fusin kot. Në vendin tonë fatlum vullneti i Udhëheqësit është përmbi kushtetutën. Führerprinzip e quanin gjermanët në vitet 1933-1945.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu