Sjellja e shëmtuar e Berishës që zëvendëson politikën

0
Shkruan Zef Ndreka
Deklaratat e fundit të kreut të opozitës, Sali Berisha, për një “kryengritje paqësore të armatosur”, nuk mbetln një gafë rastësore gjuhësore. Por mbetet simptomë stërzgjatur e një krize më të thellë politike dhe konceptuale, që ka mbuluar tërësisht opozitën shqiptare prej shumë kohësh.
Vetë shprehja “kryengritje paqësore të armatosur”, është një paradoks. Sepse paqja dhe arma nuk nuk mund të bashkëjetojnë bashkë. Dhe lëvizjet e PD-së e të Berishës, ose janë paqësore, ose janë të dhunshme. Kështu që nuk mund të ndërtohet një objektiv serioz politik mbi një kontradiktë kaq të dukshme.
Pikërisht, kjo e bën këtë deklaratë më tepër një akt retorik, se sa një thirrje reale për veprim.
Por kjo lloj gjuhe nga Berisha nuk është e rastësishme. Ajo synon të mobilizojë një bazë të caktuar elektorale, të lodhur dhe të zhgënjyer, duke u përpjekur për ta ushqyer me emocione të forta.
Por mobilizimi përmes tensionit nuk është asnjëherë zgjidhje afatgjatë. Përkundrazi, ai lloji tensioni rrezikon të thellojë hendekun mes politikës dhe qytetarëve të zakonshëm, të cilët kërkojnë stabilitet, siguri dhe alternativa konkrete.
Sjellja e radikalizuar e opozitës, sot vjen si pasojë e mungesës së një projekti të qartë politik. Sepse opozita nuk arrin të bindë më përmes ideve, përmes programeve dhe besueshmërisë. Pikërisht për këtë, opozita tenton të zëvendësojë këtë boshllëk me gjuhë të fortë dhe deklarata tronditëse. Por kjo është një rrugë e shkurtër që të çon në një qorrsokak politik.
Pyetja që mbetet gjithnjë e rëndësishme:
A mund të ndërtohet besimi i qytetarëve mbi thirrje të tilla?
Historia politike shqiptare ka treguar se destabiliteti nuk sjell ndryshim të qëndrueshëm, por vetëm cikle të reja krizash.
Por ky mund të jetë misioni i Berishës.
Në demokracitë funksionale, pushteti fitohet dhe humbet vetëm përmes votës, asnjëherë përmes thirrjeve që e ngatërrojnë paqen me konfliktin. Alternativat serioze për të synuar pushtetin, duhet të kalojë përmes qytetarëve, jo përmes sjelljeve të tilla, që i largon ata.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu