Politikës nuk i intereson hapja e dosjeve

0

Shkruan Veronikë Shkreli (Pepushaj)

Sa herë ngrihen “temperaturat” në domosdoshmërinë e transparencës së pasurive për politikanët dhe pushtetarët e niveleve të larta, këta inskenojnë divergjenca fallco. Pas çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, çka vendos bariera të forta ndaj korrupsionit, nxorrën “Zholin” nga nën-mënga dhe bërtitën njëzëri: E kapëm ish spiunin e sigurimit të shtetit.

Ilir Meta doli në shesh dhe “shfletoi” nga dosja e diktaturës gjithë emrat Ilir Meta dhe Ilir Metaj, duke luajtur sipas skenografisë së Edi Ramës, edhe me mbiemrat e tij, Meta dhe Metaj.

Si gjithherë, kaloi në pak ditë kjo tymçe e hajdutëve e spiunëve që kanë zenë gjithë hapësirat e politikës, pushtetit, media dhe drejtësisë. Pasi debati për hapjen e dosjeve u tkurr si gjithmonl në kërkesat anemike, si me thënë jo deklasifikim të të gjitha dosjeve të ish-spiunëve, bashkëpunëtorëve, apo edhe ish drejtuesve të lartë të Sigurimit të Shtetit, Sali Berisha ndezi “pishtarin” e lojës bajate me babanë e kryeministrit.

Kristaq Rama, dihet tashmë, është firmëtar i varjes në litar në mes të qytetit të Kukësit më 10 gusht 1988 të poetit disident Hivzi Nela.

Edhe këtu, tre ditë zhurmë do kemi e sërish spiunët e hajdutët do sillen e mbështillen rreth lojës dhe mashtrimeve të tyre, një hapjeje të pjesshme të dosjeve për personat që do kandidojnë për deputetë, kryetarë bashkish, ministra dhe drejtues institucionesh, por gjthsesi, edhe këtu me hile. Do ketë përfaqësues nga dy palët, do të mbesin kë duan e të kalojnë kë duan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu