Mos kryqëzoni Luizin e BBVIP, por atasheun e Francës!

0

Shkruan Ermal Peçi

Big Brother Vip ia arriti dhe këtë vit të kthehet në kryefjalën e shoqërisë sonë. Historia e Luiz Ejlit, një skenar me mashtrime i përgatitur nga vetë ai, për të bërë për vete një vajzë, është tragji-komedia më e madhe e një njeriu, i cili kërkon që nëpërmjet mëshirës të fitojë zemrën e një vajze.

Nata e djeshme ishte njësoj si kënga me të cilën Luiz Ejlli fitoi zemrat e shqiptarëve, me të cilën na përfaqësoi në Eurovision “ Zjarr e ftohtë”. Me zërin e tij bëri për vete mijëra shqiptarë, një zë që i dha famë dhe gjithçka, por më pas figura e tij po shuhej pak nga pak dhe duhet të vinte ky program që Luizi të kthehej në kryefjalë të Shqipërisë.

Zjarr dhe ftohtësi ishte nata e mbrëmshme, e cila degjeneroi në dhunë verbale dhe mungesë etike. Publiku dje pa me sytë e tij se cilido prej tyre ushtronte dhunë psikologjike, bullizim, ofendim dhe kërcënime të çdo lloj natyre. Vipat shqiptarë apo ata që e vetëquajnë apo klasifikohen në Shqipëri si të tillë, dje treguan një nivel për t’u mishëruar. Si për çudi të banorëve, por jo të master mind-ëve të BBVIP, publiku gjeti çelësin e artë për të rikthyer vëmendjen në këtë reality, zgjodhi të mbajë në shtëpi një djalë 40- vjeçar që di vetëm të gënjejë. Të mendosh që para 13 vitesh Luis Ejli nëpërmjet konjukturave të duhura në kohën e Partisë Demokratike u emërua Atashe në Ambasadën Shqiptare në Francë. Imagjinojeni tragjikomedinë e atij posti, të një djali i cili duhet të përfaqësonte Shqipërinë në një nga qytetërimet e botës. Me sjelljen dhe personalitetin e treguar këto dy javë në këtë reality show mund ta merrni me mend se si jemi përfaqësuar ne si shtet përballë kulturës së botës.

“Zjarr e ftohtë” është panorama e Shqipërisë, një panoramë që vret shpresat e shqiptarëve, ku antivlerat njerëzore shiten si vlerë, ku lidhjet konjukturale vlejnë më shumë se meritokracia, ku imoraliteti flet për moral, ku kultura e mirësjellja merren si dobësi e ndërsa arroganca dhe ofendimet si forcë.

Big Brother Vip ia arriti qëllimit, por ne sot duhet të pyesim veten se çfarë modelesh duhet të orientojnë të rinjtë shqiptarë. Të krijojmë një shoqëri ku fasada ka më shumë rëndësi se përmbajtja? Ku etika nuk ka vlerë mbi arrogancën? Këto janë pyetjet që duhet të ngremë për të kuptuar më shumë si shoqëri. Çdo njeri është i gabueshëm dhe si i tillë ka defekte e të meta, por ato pyetje që duhet të shtrojmë dhe t’ju marrim përgjigje janë se kush do të jenë modelet orientuese për shoqërinë tonë. Unë mendoj që duhet të jetë përmbajta mbi formën, etika mbi ofendimet, morali mbi imoralitetin dhe kultura mbi arrogancën. Shqipëria jonë meriton një brez që përfaqëson emancipimin dhe jo mashtrim e fasadë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu