Shkruan Xhevdet Amuli
Kryetar i PD-së Shkodër
Nuk pritej asgjë më e mirë nga ato që dështuan në menaxhimin e situatës së tërmetit, vetëm disa muaj më parë. Duke lënë kështu të pastreha shumë familje, që përveçse kaluan dimrin në çadra, po kalojnë edhe këtë virus që po bën kërdinë në botë, totalisht të pambrojtur e në kushte tepër të këqija.

Edhe njëherë qeveria Rama dëshmoi që po keqpërdor lekët e shqiptarëve dhe tani del me një plan aspak ndihmues as për shtresat në nevojë, as për punëtorët, as për biznesin e vogël e aq më pak për biznesin e madh.
Për shtresat në nevojë miraton një grant nga i cili nuk do të shihet as një qindarkë nga shtresat në nevojë, e njëjta gjë vlen edhe për biznesin e vogël ku thotë që do të mbulojë rrogat, por njëkohësisht qeraja kundrejt pronarëve do të vazhdojë.
E sa i përket biznesit të madh, po përpiqet vetëm ta shkatërrojë nëpërmjet kësaj politike, ku si në asnjë vend në botë, biznesit të madh i kërkohet të marrë kredi për të paguar rrogat në një situatë të jashtëzakonshme.
Kam bindjen që kjo pikë e planit të tij jo vetëm që nuk do të ndihmojë askënd, por do të thellojë papunësinë në nivele të frikshme.
Prandaj, i bëj thirrje qeverisë të reflektojë, sepse kjo situatë nuk është e lehtë për asnjërin prej nesh, përkundrazi, sa bëhet më serioze dhe e vështirë dita ditës.



