Dita e tretë e Javës së Kulturës Hungareze ‘zbret’ në Fier

0

Dita e tretë e Javës së Kulturës Hungareze ishte sot, përveç Tiranës, edhe në qytetin e Fierit. Dhe nuk mund ta nisnim më bukur “Hungarissimo” në Fier se sa te Shkolla Artistike “Jakov Xoxa”, e cila ka formuar dhe edukuar përgjatë 55 viteve breza të panumërt artistësh shqiptarë.

Me këtë rast, nderuam jetën dhe veprën e artistes hungareze Marie Rafaeli, e cila jetoi dhe punoi për 30 vite te shkolla “Jakov Xoxa”, duke dhënë një kontribut të pashoq në shkollën e pianistikës shqiptare. Po ashtu, nuk mund të mungonte dhe vlerësimi për figurën e shkrimtarit të jashtëzakonshëm shqiptar, Jakov Xoxës, emrin e të cilit mban shkolla. Me këtë rast, “Hungarissimo” përgatiti dy minireportazhe për jetën dhe veprën e tij, për ta bërë më të rrokshme figurën dhe rëndësinë e këtij shkrimtari, veçanërisht për brezat e rinj.

Gjithashtu, “Hungarissimo” organizoi konkursin “Jakov Xoxa” për talentet e reja të shkollës, ku fituesit u shpërblyen me vlerësime bujare nga kompania e telekomunikacionit “One”.

Gjatë aktivitetit, pianistja Almira Emiri dhe flautistja Jonela Golemi performuan para të pranishmëve dhe krijuan një atmosferë fantastike për të gjithë të pranishmit. Ishim të nderuar që në këtë event morën pjesë ish-nxënës të mësuese Rafaelit, mësues dhe nxënës të shkollës “Jakov Xoxa”, si dhe personalitete dhe dashamirës të shumtë të artit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu