Shkruan : Muhamet Kelmendi
-Fondi i Qeverisë në Mërgim, ai i “3% ” mbetet ende pa përgjegjësi adekuate të kompetentëve të këtij Fondi. Dënim i z . Osmani dhe Gashi me dënime qesharake nuk i largon nga përgjegjësia kryesuesit e këtij fondi, përkatësisht dy persona, të cilët e kanë udhëhequr fondin e tillë. Këtu është çështja e përgjegjësisë së Bujar Bukoshit si Kryeministër në Mërgim dhe të Isa Mustafës, si Ministër i Financave në Qeverinë Bukoshi. Në analizën e fundit të gjykatës mbi këtë fond u arritën që të kemi një tërheqje të përgjegjësisë mbi përgjegjësit kryesor të personave përgjegjës. Madje ata as që po hetohen. Dua të them se Fondi i “3%” është një Fond i formuar nga Qeveri në Mërgim dhe ka funksionuar shumë vite, deri në vitin 2000. Unë personalisht nuk kam qenë i përfshirë në këtë fond. Mirëpo, nga infomacionet, dua ti jepi disa të dhëna mbi këtë.
Pas një kohe të shkurtër, duke ndërtuar disa shtëpi, ata dolën me deklaratën tjetër se mjetet e Fondit janë harxhuar dhe mbi atë dhanë raport. Po theksoj disa të dhëna: Në çdo shtet të Evropës dhe përtej oqeanit kanë qenë njerëzit kompetentë për “3%”. Ata janë ende në jetë dhe nga Isa Mustafa e Bujar Bukoshi njihen. Në fund të fundit me një thirrje të organeve të Kosovës ata paraqiten para organeve kompetente. Ekzistojnë me siguri në Tiranë të dhëna mbi “Dardania Bank” që u formua nga Isa Mustafa e Bujar Bukoshi. Ku mbeti banka? Sa u ble? Ku shkuan mjetet? Këto të dhëna duhet të kërkohen nga organet në Tiranë dhe kompetentët e bankës dhe të Ministrit të Financave e të z Bujar Bukoshit, si Kryeministër. Në çdo shtet të Evropës dhe përtej oqeanit janë njerëzit që kanë tubuar mjete dhe ata sigurisht i kanë dëftesat e mjeteve të tubuara. Kjo, sepse përveç bartjes së mjeteve në llogaritë e fondit, kanë mbledhur mjete me qindra e mijëra vetë te mërgimtarët. Dhe, për mjetet e tubuara, ata kanë lëshuar dëftesat adekuate. Çdo mërgimtar ka dëftesa! Kanë edhe mbledhësit e mjeteve dëftesa! Qeveria e Bukoshit i ka ministrat që kanë punuar, këshilltarët dhe personelin tjetër që e kanë pasur të punësuar.
Ata duhet të ftohen në llogari. Çdo Ministri iu kanë ndarë mjetet buxhetore për vit dhe këta njerëz njihen. Ata duhet të japin llogari për mjetet. 120 milionët e vitit 2000 të deklaruara nga z. Mustafa ku mbetën? A shkuan të gjitha për 100 a më pak a më shumë shtëpi të ndërtuara!. Ku u ndërtuan ato? Për këto lypsen provat te Isa Mustafa e Bujar Bukoshi. Thuhet se në vitet 1998/99 iu kanë dhënë Xhavit Halitit miliona DM? Kush i dha? Ku i dha? Ku shkuan? Etj. Xhavit Haliti jeton. Jeton edhe Ministri i tashëm i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës që qe ka deklaruar në Kuvend për mjetet që iu kanë dhënë atij, Xhavit Halitit. Dëshmitar ka mjaftë. Ata duhet të kërkohen sepse çdo njeri ka fakte e prova mbi mjetet e mbledhura. Nëpër terren kanë qenë me qindra veta. Ata janë gjallë dhe nëse kërkohen çdo njeri paraqitet vetë tek organet e Kosovës. Ata duhet kërkuar! I tregova disa rrethana dhe fakte që tregojnë se në vitet e 90-ta nga ky fond janë tubuar mjete të shumta financiare. Mendohet se ato mjete të tubuara në këtë fond e kalojnë shifrën e një miliardi DM. Kjo nuk duhet të kalojë thjeshtë. Ato janë mjete të mërgatës për Kosovën dhe çdo kush që i ka keqpërdoru duhet të ndëshkohet.