William Shakespeare, shkëlqimi që lind nga errësira, magjistari i sendërtimit të shpirtit njerëzor përmes tragjikomedisë

0

Shkruan Albert Vataj

Po, William Shakespeare nuk është thjesht një emër në historinë e letërsisë, ai është një univers më vete, një ndërgjegje e përjetshme që vijon të marrë frymë në gjuhën, në mendimin dhe në përvojën njerëzore. Ai mbetet magjistari i sendërtimit të shpirtit përmes tragjikomedisë, ai që e bëri dhimbjen të flasë, pasionin të marrë trajtë dhe fatin të shndërrohet në dramë të përbotshme. Anglia mund ta ketë lindur si poet kombëtar, por bota e ka përvetësuar si një pasuri të sajën, duke u përkulur përpara madhështisë së një krijimtarie që sfidon kohën dhe e tejkalon atë.
Pesë shekuj pas, ai nuk është zbehur në kujtesë, përkundrazi: është kristalizuar si një pikë referimi e pakapërcyeshme. Ai u shfaq si një shpërthim drite në horizontin e artit, një diell që jo vetëm ndriçoi, por edhe dogji, duke shpalosur kontradiktat më të thella të qenies. Në dramaturgji, ai mbetet një rrufe që vazhdon të ndriçojë skenat e botës; në poezi, një muzikë që endet midis harmonisë dhe ankthit; në mendim, një laborator ku përpunohet përjetësia e njeriut.
Ai nuk u mjaftua të trashëgonte traditat, i përthithi, i shpërbëri dhe i rindërtoi. Nga mitet antike te tensionet e kohës së tij, gjithçka në dorën e tij u kthye në një materie të re, ku njeriu përballet me kufijtë e vet. Dishepujt e tij janë të panumërt, por asnjëri nuk mundi ta zëvendësojë: sepse Shekspiri nuk është një model për t’u imituar, por një horizont që sfidon çdo përpjekje për ta arritur.
Letërsia britanike dhe e gjithë bota e letrave e mbajnë si një kulm solemn, një kremtim të përhershëm të fjalës që merr frymë. Çdo epokë e rikthen në skenë, jo si një relike, por si një bashkëkohës të domosdoshëm. Sepse në tekstet e tij nuk gjejmë vetëm histori—gjejmë struktura të mendimit, arkitekturë të ndjenjës, një hartë të thellë të asaj që do të thotë të jesh njeri. Ai na jep jo vetëm pasqyrën, por edhe plasaritjet e saj.
Në këtë univers, fijet psikologjike janë të tendosura deri në kufijtë e këputjes. Shekspiri nuk përshkruan thjesht emocione; ai i anatomizon ato. Pushteti, tek ai, nuk është një institucion, por një sëmundje që infekton ndërgjegjen; dashuria nuk është vetëm ndjenjë, por një forcë që mund të shpëtojë ose të shkatërrojë; pasioni nuk është zjarr i përkohshëm, por një mekanizëm fatal që e çon njeriun drejt përmbushjes ose rrënimit.
Vështrimi i tij shpesh errësohet nga një pesimizëm i thellë ekzistencial: pushteti shndërrohet në instrument të mizorisë, ndërsa dashuria, në formën e saj më të pastër, bart farën e tragjedisë. Kjo nuk është thjesht një zgjedhje estetike, por një bindje e rrënjosur se njeriu është një qenie e ndarë, e përçarë mes dëshirës dhe moralit, mes instinktit dhe arsyes.
Në këtë përçarje lind edhe loja e madhe midis ëndrrës dhe realitetit. Tek Shekspiri, kufijtë treten: ajo që duket reale shpesh është iluzion, ndërsa ajo që përjetohet si ëndërr mbart të vërteta më të thella se vetë realiteti. Jeta bëhet një vegim i pasigurt, një skenë ku njeriu luan rolin e tij pa qenë kurrë plotësisht i vetëdijshëm për tekstin që ndjek.
Dhe ëndrrat, larg së qeni strehë, shpesh marrin trajtën e makthit, sepse aty shfaqen pa maskë frikërat, dëshirat dhe fajet. Në këtë hapësirë të turbullt, dallimi midis së mirës dhe së keqes, të vërtetës dhe gënjeshtrës, bëhet pothuajse i pamundur. Njeriu endet në një labirint ku çdo dalje është një hyrje e re.
Kjo është arsyeja pse Shekspiri mbetet i pashtershëm, ai nuk ofron qetësi, por trazim, nuk jep përgjigje, por thellon pyetjet. Dhe pikërisht në këtë pasiguri, në këtë tension të pandërprerë, ai e vendos njeriun përballë vetes, pa alibi, pa strehë, vetëm me të vërtetën e tij të zhveshur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu