Bronks, New York – Të shtunën më 12 prill 2026, në sallën festive të “Maestro’s Caterers”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë kremtoi me dinjitet të veçantë 25-vjetorin e themelimit të saj.
Dhjetëra poetë, shkrimtarë, artistë, gazetarë, biznesmenë dhe miq të kulturës shqiptare u mblodhën për të festuar këtë jubile, duke e kthyer darkën në një moment të rrallë bashkimi rreth gjuhës dhe letërsisë.
Ceremonia nisi me emocione të thella. Dea Elezaj këndoi Himnin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Valbona Peraj atë kombëtar të Shqipërisë.
Eventin e moderuan Presidenti Adnan Mehmeti dhe kryetarja Dr. Yllka Filipi.
Atmosfera ishte e ngrohtë, plot mirënjohje dhe reflektim për një udhëtim njëçerek shekullor.
Në fjalën e tij të titulluar “Një shtëpi për fjalën shqipe”, Presidenti Adnan Mehmeti foli me dinjitet për rrugëtimin e kësaj shoqate : “Një dritë e vogël që nuk u shua as në largësi na ka udhëhequr ndër vite”, tha ai.
“Kjo Shoqatë ka qenë për shumë prej nesh më tepër se një organizatë: një shtëpi e përbashkët ku fjala jonë kapërcen kufijtë dhe mbart shpirtin e popullit”. Ai theksoi se letërsia e diasporës shkruhet mes dy botëve atdheut të origjinës dhe atdheut të ri, ndërsa gjuha shqipe lidh këto dy horizonte në një krijimtari unike.
Shoqata, e themeluar 25 vjet më parë nga poeti dhe shkrimtari i shquar Gjekë Marinaj, lindi nga nevoja për të bashkuar krijuesit shqiptarë në Amerikë. Gjatë këtyre viteve ajo është shndërruar në një pikë referimi të rëndësishme për fjalën shqipe jashtë atdheut. Veprimtaritë e saj përfshijnë promovime librash, konferenca, takime krijuese, botimin e revistës “Pena” si platformë për letërsi, kritikë dhe studime, si dhe organizimin e Panairit të Librit Shqiptar një traditë kjo që do të vazhdojë edhe këtë vit me edicionin e pestë, u shpreh Mehmeti.
“Dy vëllime historiku (2001-2011 dhe 2012-2021), Leksikoni i anëtarëve me bibliografi të plotë, si dhe antologji të shumta në shqip e anglisht, përbëjnë një arkiv të vlefshëm për studiuesit e letërsisë shqipe në diasporë” tha Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Dr. Yllka Filipi, kryetarja aktuale e Shoqatës, theksoi rëndësinë ontologjike të bashkimit.
Duke thënë se : ” Bashkimi i shkrimtarëve nuk është vetëm një akt organizativ, por një domosdoshmëri thelbësore. Shkrimtari kalon nga “unë” në “ne”, duke kapërcyer vetminë dhe duke u bërë pjesë e një historie më të madhe.”
Ndërsa, duke cituar Hegel, Rousseau dhe Platon, ajo tha se vetëdija realizohet përmes tjetrit, forca lind nga bashkimi i vullneteve dhe tërësia është më e madhe se shuma e pjesëve: “Kështu, shoqata jonë bëhet urë mes brezave, mes Nolit, Konicës dhe zërave të rinj që vazhdojnë të ëndërrojnë në shqip.”
Një moment i veçantë i kësaj feste jubilare, ishte nderimi i poetës së shquar Luljeta Lleshanaku me titullin “Anëtare Nderi”.
Në fjalën e saj, Lleshanaku tha: “Sot festoni 25-vjetorin e një arritjeje të madhe. Për një shoqatë shkrimtarësh kjo duket shumë herë më e fortë se çdo bashkëpunim tjetër, sepse natyra e profesionit tonë na shtyn drejt punës individuale. Zakonisht është e vështirë të bashkosh dhjetë shkrimtarë, e lere më në një vend të huaj ku sfidat janë të shumëfishta. Por kjo Shoqatë ka arritur të krijojë një klimë të shëndetshme, duke përfshirë individë nga të gjitha trevat shqiptare”.
Ajo vazhdoi duke reflektuar se emigrimi është traumatik për shkrimtarin, sepse gjuha dhe realiteti janë mjeti dhe lënda e tij e parë. Megjithatë, pikërisht nga distanca lind mundësia për të parë “kornizën e madhe” të gjërave. Komuniteti i letrave rritet me dinamikën e kohës dhe sot përballet me sfidën e teknologjisë: si të ruajë thellësinë në një botë ku gjithkush mund të botojë menjëherë? Përgjigjja qëndron në bashkëpunim, nxitjen e talenteve të reja dhe krijimin e hapësirave që ofrojnë dialog të vërtetë artistik.
Pas saj foli Ambasadorja Suela Janina, e cila theksoi bashkëpunimin me institucionet në atdhe për ruajtjen e identitetit shqiptar.
Letra e Presidentit të Nderit Dr. Gjek Marinaj, e lexuar nga Këze Zylo, ftoi shkrimtarët të pyesin thellë: se për çfarë qëllimi ekziston një shoqatë si kjo?
Marinaj në letrën e tij thotë se letërsia nuk është luks i qytetërimit, por pjesë e vetë formimit të njeriut. Ajo na ushqen me kujtesë, ritëm, mall dhe rrëfim.
“Për ne shqiptarët, që kemi kaluar mërgim e sprova identitare, kjo shoqatë është urë midis atdheut dhe botës, midis së shkuarës dhe së ardhmes.”
Më tej ai shkruante se : “Prandaj duhet të jemi rojtarë të standardeve, që të dallojmë thellësinë nga zhurma, të gjykojmë drejt pa u rrëmbyer nga klanet apo miqësitë e verbëra. Gjuha shqipe është atdheu ynë portativ; ruajtja e saktësisë dhe bukurisë së saj, si dhe formimi i brezit të ri, mbeten detyrat tona më fisnike. Arti i vërtetë jep formë ndjenjës, synon universalen përmes konkretes dhe ndriçon më gjatë se çdo britmë.” shkruante në letrën e tij Presidenti i Nderit Dr. Gjek Marinaj.
Prof. Arjeta Ferlushkaj Kotrri kujtoi se ky jubile është dëshmi e një misioni të qartë: dashuri për gjuhën, kulturën dhe identitetin.
“Nuk është e lehtë të mbash bashkë personalitete të ndjeshme e të pavarura, por misioni e bën të mundur. Të shkruash në shqip në Amerikë është akt ruajtjeje; të shkruash në anglisht për identitetin shqiptar është akt përfaqësimi. Mospajtimet janë pasuri, por ato nuk duhet të kthehen në përçarje. Duhet të dëgjojmë, të respektojmë dhe të ngrisim njëri-tjetrin. Standardet e larta – cilësi letrare, etikë, kritikë konstruktive, transparencë dhe mentorim për të rinjtë – na bëjnë seriozë para botës. Ky 25-vjetor të jetë premtim: të forcojmë themelet, të hapim dyert për zëra të rinj dhe të qëndrojmë të bashkuar.”
Kastriot Fetahu, solli kujtesën e rrugës së vështirë, që shumë prej tyre vijnë nga një diktaturë pa ëndrra, por në demokracinë amerikane çliruam energjitë krijuese.
Ai tha se : “Të shkruarit është ëndërr dhe udhërrëfyes. Arti ynë është rezistencë ndaj harresës, mall i emigracionit, lot i patharë në aeroporte dhe kontrast mes dy botëve. Siç thotë Dilan Tomas, “vdekja s’do të ketë pushtet” sepse fjala mbetet dëshmi ekzistenciale. Le të krijojmë platforma bashkëpunimi, të tregojmë historinë tonë që bota ta njohë dhe të hapim derën për brezat e ardhshëm. Shpresojmë që, si sot festojmë 25 vjet, nesër të festojnë 100 vjet këtë shtëpi arti në zemër të qytetërimit.”
Gjatë kësaj feste jubilare u ndanë çmime letrare për autorë të dalluar: Visar Zhiti – Çmimi “Bilal Xhaferri”, Gjekë Marinaj – Çmimi “Peter Prifti”, Thanas Gjika – Çmimi “Fan Noli”, Kastriot Fetahu – Çmimi “Faik Konica”, dhe shumë të tjerë si Merita McCormack, Laura Konda, Monda Hamitaj, Reshida Çoba, Pal Ndrecaj, Aurel Naqi, Arjana Fetahu Gaba, Valbona Ahmeti, Ibadete Humolli Tetaj, Gjeto Turmalaj, Premisa Kerthi, Age Ivezaj, Eva Dori, Idriz Çelaj, Sami Mulaj.
Titulli “Anëtare Nderi” iu dha Luljeta Lleshanakut. Shoqata u dhuroi mirënjohje themeluesve dhe udhëheqësve:
Adnan Mehmeti, Gjekë Marinaj, Yllka Filipi, Mhill Velaj, Raimonda Moisiu, Dalan Luzaj, Ramiz Gjini, Naum Prifti, Arjeta Ferlushkaj Kotrri, Bexhet Asani, si dhe shumë anëtarëve të tjerë si Bora Balaj, Dedë Elezaj, Eduard Dilo, Hys Hasa, Beqir Sina dhe të tjerë.
Me shumë kënaqësi u pritën anëtarë të rinj: Lutfi Brami, Shpresa Paloja, Liliana Lico, Valbona Ahmeti, Xhemi Nokshiqi Muzai.
Një mirënjohje e veçantë shoqata dha për ata që e sponsorizuan aktivitetin nga Doda Prenka, Albana Murati, Mhill Gjuraj, Abip & Adi Veseli, Agim Kelmendi.
Në fund, Presidenti Adnan Mehmeti tha: “Pas 25 vitesh, Shoqata qëndron si dëshmi e fuqisë bashkuese të letërsisë. Siç tha Viktor Hygo, një shkrimtar është një botë e bllokuar në një person.
Kjo Shoqatë bashkon ato botë në një shtëpi të përbashkët për fjalën shqipe. 25-vjetori nuk është vetëm festë, por zotim për dritën që do të vazhdojë të ndriçojë edhe për shumë vite të tjera.”
Ky jubile kujtojë se fjala shqipe ka gjetur një shtëpi të vërtetë në Amerikë. Le ta ruajmë, ta forcojmë dhe ta trashëgojmë me dinjitet për brezat që vijnë.
” Qoftë e bekuar fjala shqipe kudo ku shkruhet, lexohet dhe dashurohet.”