Deri kur do të ecim me kode antidemokratike?

0

Shkruan Agron Berdaj

Prej 36 vjetësh jemi në një rebus: si me një parti politike dje, edhe me 132 parti a nuk di sa janë sot, mendimi ndryshe dhe ai opozitar mbetet i shpërfillur, sikur opozita të mos ekzistonte. Pluralizmi politik në Shqipëri, ende nuk është kuptuar dhe zbatuar në përputhje me parimet e shkollës demokratike, me normat dhe rregullat që dikton ky sistem. Deri tani, vështirë të dallosh sistemin politik të ashtuquajtur demokratik e pluralist me atë monist në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit e të shoqërisë.

Qeverisjet po bëhen gjithmonë e më tepër autoritare, të mbyllura dhe egocentriste, ku të gjitha të drejtat monopolizohen nga hierarkët. Opozitarizmi ka mbetur thjeshtë si dekor, një relike që i bën fresk qeverisjeve me dorë të hekurt. Ndoshta mund të jemi rast i rrallë në botën demokratike ku vlerat e demokracisë i kemi parë e zbatuar me frymë korruptive. Nga paaftësia për të arritur te kompromisi politik, liderat tanë partiakë, në vënd të dialogut mes tyre, ndjekin rrugën e shkurtër, atë të shitblerjes së deputetëve, sikur të ishin mall kur u duhen numrat në parlament.

Sot shitblerja bëhet në kushte më moderne. Deputetët e blerë apo të shitur, sa kapërcejnë ylberin politik nga njëra parti te tjetra, shpërblehen me poste të larta shtetërore, me ofiqe dhe pas këtyre vijnë edhe përfitimet në natyrë ose në cash. Të paktën kështu thonë shifrat e Agjencisë që merret me zbulimin dhe konfiskimin e pasurive të grabitura, mes të cilëve janë edhe politikanë të kësaj kategorie. Pse opozitarizmi shqiptar është në këtë gjëndje mjerane? Kjo lidhet si me pozitën qeverisëse, por edhe me opozitën e të gjitha kohëve. Pozitat qeverisëse e kanë patur të vështirë të lëshojnë pushtet në funksion të ndërtimit të shtetit. Ndërsa në qeverisjen aktuale socialiste ndodh krejt e kundërta.

Misioni i socialistëve dhe i elektortit të majtë mbaron me fitoren e zgjedhjeve. Më tej fillon rrumpalla e pushtetit, ku kryemenaxheri i shtetit e delegon pushtetin në mënyrë private te njerëz anonime, te oligarkët, në skutat e errëta të organizatave fantazma, si brenda dhe jashtë shtetit të tipit offshore, disa prej të cilave edhe të dënuara nga gjykatat ndërkombëtare.

Pse të mos gjenin vend në qeverisje specialistë e profesionalistë të zotë pavarësishtë nga bindjet e tyre politike e qëndrimet partiake? Në fakt shikojmë që, në vend të kësaj kategorie njerëzish, u ofrohen thelat e pushtetit në mënyrë klienteliste atyre që flenë si demokratë dhe zgjohen si socialistë. Ata demokratë që nxisin kriza në parti, qoftë edhe artificiale, për t’u evidentuar e faktorizuar te kryemenaxheri i pushtetit, e kanë kthyer në art flirtimin për një karrige pushteti, joshjen ndaj shefit e kanë pjesë të karakterit të tyre, nuk njohin doganë për kalimin nga njëra parti te tjetra për interesa fitimi.

Ky nuk është opozitarizëm i ndershëm, por një lloj korrupsioni me pushtetin, siç është njëherësh edhe diversioni ndaj opozitës dhe opozitarizmit. Por, edhe opozita shqiptare ka qënë dhe mbetet një sëmundje e rëndë në degradimin e opozitarizmit e pluralizmit. Me të drejtë, në interes të forcimit të demokracisë, opozitës i kërkohen standarde demokratike në zhvillimin e luftës së saj politike. Po a mund ky subjekt politik të bëjë opozitarizëm me kulturë, me vizion e frymë demokratike, me taktika dhe strategji paqësore, kur në qëndër të luftës politike vendos interesat e elitës së PD-së dhe jo të elektoratit? Realisht kjo nuk mund të ndodhë në një parti që është krijuar artificialisht nga turmat e rrugës, nga të cilat nuk është distancuar kurrë; kur bazën sociale të partisë e përbën kjo kategori dhe ku program i saj udhëhiqet nga “ligjet” e rrugës.

Në moralin dhe etikën e kësaj force politike ende edhe sot zenë vend norma dhe kode të bajraktarizmit: kundërshtarin politik e shikon si armik; opozitarizmin e barazojnë me luftën; kompromisin nuk e quajnë vlerë, por si turp, koritje kanunore dhe paburrëri. “Më 8 Maj do të bëjmë kryengritje paqësore, të armatosur” thotë Berisha. Pra, edhe paqësore, edhe të armatosur! Të thuash që është vetëm lajthitje termash, konceptesh, mendimi e qëndrimi? Jo. Sepse, në fund të ditës, e vetmja gjuhë komunikimi e opozitës ka qënë dhuna fizike e institucionale, si ndaj kundërshtarit politik, edhe ndaj vetvetes.

Mosmarrja pjesë në zgjedhje; braktisja nga ata e parlamentit; spastrimet brenda partisë; vjedhja dhe deformimi i rezultatit të zgjedhjeve, etj., janë produkti i pastër i politikave të dhunës, strategjia e vetme e berishizmit. Duhen studime të thelluara psiko-analitike për të kuptuar fenomenet që ndodhin në këtë parti, ku edhe engjëjt, sa futen brenda organizmit të saj, kthehen në djaj, në një formacion paramilitar. Një force të tillë politike nuk mund t’i kërkohet të bëjë një opozitarizëm me frymë demokratike. Kjo gjendje mjerane e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar është vepër e partive politike dhe, edhe e sistemit të drejtësisë. Të gjitha vendimet politike në zgjidhjen e krizave, të koduar “Dushku”, “Plepi”, apo “Dosja 97”, “Marrëveshja 2008”, e plot të tjera, me mirëkuptim politik, madje edhe të ndërkombëtarëve, e kanë bastarduar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend. Kompromisi politik i vitit 97-të u shit si sukses i madh.

Por, ishte pikërisht ky kompromis politik ku filloi ky bastardizim “demokratik”: ai rezultoi një pazar jo i ndershëm, ku u luajt në mënyrën më të paskrupullt me termat e sigurisë dhe të demokracisë. Në këtë pazar u sakrifikua demokracia për kapriçot e bajraktarit Berisha dhe ushtrisë së tij të rrugës, si kërcënim për sigurinë e vendit. Ky i ashtuquajtur “kompromis i madh politik” mori në mbrojtje krimet e ndodhura në 97-tën. Nëse në botë “demokraci” do të thotë zbatim i ligjit, në Shqipëri nga 97-ta e më pas, demokracia u shpall si armiku i ligjit. Prova më bindëse për këtë është se në të gjitha ngjarjet tragjike të ndodhura më pas, nuk kemi asnjë të dënuar të organizatorëve dhe drejtuesve të tyre.

Por, nëse “Kompromisi i Madh politik i 97-tës”, e shkëputi konceptin e demokracisë nga ligji, kompromisi tjetër mes opozitës dhe pozitës i 2008, për ndryshimin e kushtetutës, çfuqizoi popullin si sovran në zgjedhje dhe pagëzoi në këtë mision të shenjtë dy monarkët e partive me të drejtën të emëronin deputetët e parlamentit. Mos e dhëntë Zoti që kompromisi i tretë që përflitet se do të ndodhë, ai i reformimit të parlamentit me pretekstin e përgjysmimit të numurit të deputetëve dhe krijimi i dhomës së senatorëve, të mos jetë një lojë akoma më fatale. Do të jetë “Senati” një azil pleqsh? Kjo është gjysma e së keqes.

Thjesht do të kemi një fosile më shumë në krye të shtetit. Do të jetë “Senati” një vend kulti për t’iu dhënë imunitet të përjetshëm dinosaurëve të krimit dhe korrupsionit, atyre që vranë, që plackitën një pasuri kombëtare të tërë? Atëherë do t’i lejohet popullit shqiptar të mbyllë sytë e veshët për të pranuar edhe Kodin “Senati” siç pranoi kodet antidemokratike “Dushku”, “Plepi”, “Dosja 97”, “Marrëveshja 2008”?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu