Në PD, demokracia e brëndëshme ka vdekur

0

Shkruan Zef Ndreka

Pasi eliminoi një nga një të gjithë kandidatët për kryetar të PD-së, Sali Berisha, i mbetur i vetëm në garë, shpiku edhe “referendumin” për zgjedhjen e kryetarit.
Një kamuflim tjetër politik dhe një tallje me parimet që vetë demokratët kanë pretenduar ndër vite se mbrojnë garën e lirë, votën e lirë dhe mendimin ndryshe.
Mqs në partinë demokratike nuk u lejua konkurrenca reale, referendumi tani merr formën e një formaliteti për të vulosur një vendim të marrë paraprakisht. Kështu, në vend të debatit dhe përballjes së alternativave, u krijua një proces tjetër i kontrolluar ku anëtarësia demokrate foltoriste thirret vetëm për të legjitimuar kryetarin e paracaktuar.
Shpikjet procedurale të Berishës për “riformatimin” e zgjedhjeve në PD duket se nuk kanë fund. Çdo mekanizëm po përdoret vetëm për të ruajtur kontrollin absolut mbi partinë dhe për të mbajtur të paprekur statusin e tij si “lider historik” dhe kryeopozitar i përhershëm. Kjo është mënyra që PD-ja po mbetet përfundimisht peng i së shkuarës, pa hapësira për rinovim, pa ide të reja apo figura alternative.
Aspak nuk është problem emri i kryetarit të PD-së. Problem gati i pariparueshëm është modeli politik që po ndjekin verbërazi vetë demokratët dhe që po e instalojnë. Në PD, tashmë përfundimisht institucionet u zëvendësuan nga vullneti i një njeriu të vetëm dhe demokracia e brendshme ka vdekur dhe përdoret vetëm si dekor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu