Ish- presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë një nga folëset kryesore në konferencën prestigjioze TED, e cila po mbahet në Vancouver.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë zonja Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ajo e cilësoi pjesëmarrjen si një privilegj të veçantë dhe një mundësi për të ndarë historinë e Kosovës me një audiencë globale.
Në fjalimin e saj, Osmani pritet të përqendrohet në rrugëtimin e Kosovës dhe në rëndësinë e mbrojtjes së vlerave themelore si e vërteta, demokracia dhe humanizmi. Ajo theksoi se përvoja e Kosovës dëshmon se edhe shtetet e vogla mund të kenë ndikim të madh në skenën ndërkombëtare, kur qëndrojnë të përkushtuara ndaj këtyre parimeve.
“TED Talk është një nga ato hapësira të rralla ku idetë nuk janë thjesht mendime, por nxitje për veprim,” është shprehur Osmani, duke shtuar se është e nderuar të jetë pjesë e këtij eventi të rëndësishëm.
Pjesëmarrja e Presidentes së Kosovës në këtë platformë ndërkombëtare vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e imazhit të Kosovës dhe për prezantimin e realitetit dhe arritjeve të saj përpara një publiku të gjerë ndërkombëtar.



