Deputetja e Partisë së Gjelbër, Hanna Steinmüller në foltoren e Bundestagut me foshnjën që fle në kraharorin e saj

0

Shkruan Albert Vataj

Në një sallë që shpesh shndërrohet në arenë të përplasjeve politike, një skenë e vogël, e thjeshtë, por tronditëse në kuptimin simbolik, arriti të thyejë rutinën e Bundestagut gjerman, deputetja e Partisë së Gjelbër, Hanna Steinmüller, u shfaq në foltore me foshnjën e saj në kraharor. Një moment që në pamje të parë është krejtësisht i natyrshëm, një nënë me fëmijën e saj, por që, në realitet, u shënua si historik. Pse? Sepse ende, në vitin 2025, kjo mbetet e jashtëzakonshme.
Kjo skenë, e cila mori jehonë në media dhe u bë virale në rrjetet sociale, u lexua ndryshe nga sy të ndryshëm. Për disa ishte një gjest emancipues, një sinjal që politika duhet të hapet ndaj jetës së përditshme, ndaj kujdesit, ndaj prindërisë. Për të tjerë, ishte një skenografi e menduar për PR, një “shfaqje” në emër të emocioneve. Por, përtej interpretimeve, ajo qëndron aty si një fakt: një foshnjë u bë pjesë e historisë së një parlamenti të fuqishëm, duke na kujtuar se jeta nuk ndalet në pragun e sallave politike.
Reagimet e kontrastuara, nga mbështetja entuziaste deri te cinizmi i pyetjeve mbi rolin e babait, tregojnë se sa e ndërlikuar mbetet marrëdhënia mes shoqërisë, politikës dhe familjes. Vetë Steinmüller, vetëm 32 vjeçe, e përmbyti ditën me një shënim të shkurtër në rrjetet sociale: “Ditë e egër”. Një fjali e thjeshtë, por që fsheh brenda gjithë ngarkesën emocionale të një nënë që përpiqet të mbajë ekuilibrin mes përgjegjësisë politike dhe përkushtimit prindëror.
Edhe presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, nuk ngurroi të japë një sinjal mbështetjeje, duke e përshëndetur gjestin si një shembull se “edhe në sallën plenare, kujdesi për fëmijën ka vendin e vet”. Ndërkohë, ish-presidentja Bärbel Bas e ka ngritur prej kohësh nevojën për të krijuar kushte më njerëzore për deputetët-prindër: mbledhje që të mos zgjasin pafundësisht, struktura që e bëjnë të mundur kombinimin e karrierës me familjen. Sepse, në fund, politika nuk është thjesht një detyrë ndaj shtetit, por edhe një përgjegjësi ndaj jetës.
E megjithatë, ligji është i ftohtë, deputetët gjermanë nuk kanë të drejtë për leje lindjeje apo leje prindërore. Ata janë të lidhur vetëm me ndërgjegjen dhe mandatin e tyre. Një absurditet i heshtur, që e kthen një gjest kaq të natyrshëm, një nënë me fëmijën e saj, në një akt të pazakontë, në një lajm që trondit.
Dhe pikërisht këtu qëndron reflektimi më i thellë, si është e mundur që normaliteti i kujdesit, i prindërisë, i jetës, ende shihet si një thyerje e rregullit? Pse një fëmijë në Bundestag është lajm, e jo pjesë e natyrshme e një realiteti politik që pretendon të përfaqësojë shoqërinë në tërësinë e saj?
Foshnja e vogël që flinte në kraharorin e Steinmüller, arrit të thoshte kaq shumë me këtë prani. Ajo ishte një kujtesë se edhe aty ku hartohen ligje e bëhen plane për të ardhmen, ekziston një jetë që rreh jashtë kornizave të oratorisë politike. Dhe ndoshta, ajo jetë, me gjithë thjeshtësinë e saj, është argumenti më i fuqishëm që politika ka nevojë të bëhet më njerëzore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu