Parlamenti Evropian heton komisionerin Várhelyi: Anashkalon qëllimisht sundimin e ligjit në vendet që duan të futen në BE!

0

Parlamenti Evropian ka miratuar këtë të mërkurë një vlerësim për zbatimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së, për vitin e kaluar. Një nga pikat në draft tekstin, tashmë të miratuar nga komiteti i punëve të jashtme të PE, është një sulm serioz ndaj komisionerit për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Sipas politikanëve që nisën hetimin, Várhelyi “qëllimisht kërkon të anashkalojë dhe zvogëlojë rëndësinë thelbësore të reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet që i bashkohen BE-së”, citon drafti. Várhelyi raporton në Parlamentin Evropian dhe për Shqipërinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Komisioni pritet të kryejë një hetim të pavarur për të sqaruar nëse “sjellja e komisionerit dhe politikat që ai mbështet shkelin kodin e sjelljes për anëtarët e Komisionit dhe detyrimet e komisionerit sipas Traktateve”.

Eurodeputeti socialdemokrat holandez Thijs Reuten, i cili hartoi mocionin, ka thënë se Parlamenti Evropian dëshiron të shohë qartë nëse komisioneri hungarez i BE-së “po e bën punën e tij pavarësisht nga çdo ndikim politik dhe duke marrë parasysh interesat e përgjithshme të BE-së”.

Për mediat hungareze, Reuten u shpreh se Várhelyi ishte i kujdesshëm për të thënë gjithmonë atë që pritet prej tij në publik. “Por në praktikë, disa nga thëniet e tij janë jashtëzakonisht shqetësuese,” vijoi eurodeputeti, duke vënë në dukje se kur Olivér Várhelyi takohet me liderët autoritarë në Ballkanin Perëndimor, ai nuk e refuzon kategorikisht retorikën e tyre të fortë separatiste, nacionaliste.

Në fillim të mandatit të tij, Komisioneri Olivér Várhelyi prezantoi metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, e cila vendos demokracinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore në qendër të procesit të pranimit, tha Komisioni Evropian. Ata shtuan se “ritmi i reformave në fushën e shtetit të së drejtës do të vazhdojë të përcaktojë përparimin e pranimit”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu