Kreu i PD-së Sali Berisha, në fjalën e tij në parlament tha se shqiptarët që jetojnë jashtë dhe nuk kanë dokumente shqiptare duhet të votojnë.
Berisha u shpreh se janë 1 milion shqiptarë që jetojnë jashtë e që nuk kanë dokumente. Ai paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, do ketë protesta të fuqishme përpara ambasadave.
“Do ketë protesta të fuqishme para ambasadave nëse nuk votojnë emigrantët pa dokumente. Shqiptar i bën qytetarët shtetësia. Një milion shqiptar që jetojnë jashtë nuk kanë letër identifikimi. Rama bëri një jetë të shthurur luksi në kurriz të tyre. Arben Ahmetaj ka firmosur nën presionin e tmerrshëm të Ramës. Rama shpenzon 5 milionë euro për vazo në Kryeministri. Sa herë që shkon Rama jashtë, e përzënë se përfaqëson bandat.”, tha ai.
Fjala e Berishës:
Së pari, dua të informoj shqiptarët brenda dhe jashtë vendi se, kreu i narkoshtetit, Edi Rama po bën gjithçka për të sabotuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë Shqipërisë për votime. Ai, në mënyrën më absurde po kushtëzon e qytetarëve shqiptarë, me shtetësi shqiptare, me pasjen ose jo të dokumenteve të prodhuara në Shqipëri, ndërkohë që, shqiptarë ata i bën shtetësia, pavarësisht nga dokumenti që ata kanë marrë në vendin ku jetojnë.
Dhe ky standard, është standardi i atij që ka frikë dhe tmerr nga vota e diasporës dhe e shqiptarëve. Nuk ka akt më absurd, më antishqiptar, më antidemokratik se t’u thuash mbi 1 milion shqiptarëve që nuk dispononi dokumentet e lëshuara në Shqipëri, por kanë dokumente të sigurta biometrike të vendit ku jetojnë, në SHBA, në Kanada, në Gjermani, në Angli, në çdo vend tjetër.
Bëni kështu rekord i vetmi në botë i vetmi vend që nuk njihni dokumentet biometrike, as të BE-së, as të hapësirës të NATO-s, as të vendeve tjera, sepse keni frikë dhe tmerr nga vota. Unë i bëj thirrje shqiptarëve të përgatitën për demonstratat më të fuqishme para ambasadave të narkoshtetit, në qoftë se nuk votohet në këtë parlament ligji i cili u njeh atyre, njëlloj siç bën Kosova, njëlloj siç bën Maqedonia, njëlloj siç bën çdo vend tjetër, dokumentet biometrike që faktojnë identitetin e tyre plotësisht.