Opozita me çrregullim hormonesh dhe Edi Rama që ngatërron lopën me Penelopën

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Ironik dhe i ftohtë me të jashtëzakonshmen, gati përditë para “gjyqit” me ca fejsbukas që çajnë dërrasa dhe me një opozitë që plasi vetëm të marrë vëmëndje, ka kaluar plot shtatë vjet Edi Rama.

Ky ja ka gjetur dermanin pushtetit. Duke injoruar opozitën, i ka fituar betejat deri sot.

Përveç Lulzim Bashës, që sa herë ka gjumë, ja nxjerr me ndonjë akuzë korrupsioni, dhe sa herë i hanë duart për protesta, e vë në gjumë me ndonjë marifet të tipit hapje dosjeje për rrugën e kombit, Rama bën sikur nuk njeh asnjë figure opozitare. Kur flet Gazmënd Bardhi, për shëmbull, Rama me ironi përgjigjet sikur ka thënë diçka Edi Paloka.

Po Gazmëndi është figura nr. 2 e partisë dhe të mos e njohë kryeministri as në vitin e fundit të mandatit, është një taktikë o prej të çmënduri, ose vërtetë opozita është e çmëndur.

Në fakt, qeveria hije, pra opozitarët, nuk është se kanë shumë emer.

Përvëç numrit 2, tolloviten edhe të tjerë, si me thënë numri 3, numri 4 e me radhë. Të tërë po shkrihen si dylli i natës së Shën Kollit, duke u lutur që Zoti t’u rritë emrin e pushtetin.

Në vitin 1980 në Patos, u mbyt një minator në një pus nafte. Shoku i tij u mërzit shumë që nuk dha jetën edhe ai për partinë e shokun Enver.

Edhe u pritën gjëra që ndodhën, edhe ndodhën ca të tjera që nuk priteshin. Enveri, jo vetëm i mësoi emrin, por e priti dhe i dha të njëjtën dekoratë me të vdekurin, Hero i Punës Socialiste, të gjallit.

Njërin e dekoroi pusi, tjetrin partia.

Sot, shumë opozitarë, por jo vetëm, kanë merakun e minatorit që kur nuk e dekoron vdekja, e dekoron partia.

Edi Rama ka edhe timon edhe tepsi, edhe parti. Ka edhe dekorata, se ka Ilir Metën atje. Shijet pikante të pushtetit, ja kanë ç’akorduar kordat e zërit, ndaj gërrhet mediumeve dhe fërkon sytë i habitur që pse edhe në fund të mandatit të dytë, ngjyrat e opozitës janë aq të zbehta, sa nuk bëjnë reflekse as në tepsinë bosh.

Për popullin nuk pyet askush, prandaj “luftërat” bëhen mes ca tepsixhinjve që duhet të krijojnë melodi të përshtshme për veshët e audiencës së prirur të besojë në shpërnarjen e plaçkës së luftës.

Kur Zef Mala krijoi Partinë Komuniste në Shkodër në korrik 1939, Viktor Emanueli III, nuk e shpërfilli me heshtje, por e rehatoi në ishullin e Ventotesë në Italisë.

Kjo, jo për meritë të mbretit, por për frikën e rritjes së dozës së lëvizjeve revolucionare kundër mbretërisë, pasi Mala dhe të tjerë komunistë kishin gdhëndur emrat rrugicave të Shkodrës.

Opozita këto vite nuk ka jetuar vëndeve ku emrat gdhënden kontureve të pushtetit. Aty nis impozanca, nëpër karriget e foltores, pastaj në “zëmërimin” e perëndive që ja kanë mërzitur njerëzisë së prirur t’i përçmojë e urrejë.

Opozita mori malet e fushat, por gurë e shkopinj nuk gjeti që t’ja bëjë kokën me gunga qeverisë.

Opozita e Lulzim Bashës nuk e bëri dot magjistricën finoke që edhe pafajësitë t’i veshë me fustan mëkati. Nuk joshi as xhelozoi, ndaj Edi Rama shumëzërëshin e injoroi vetëm në një identitet, fajin e ka Berisha dhe bëj marrëveshje me Bashën, sa herë populli të zëmërohet me pritshmëritë e munguara.

Rama bën sikur as i dëgjon, as i njeh, as u di emrat opozitarëve. Këta o do ngriheshin e bëheshin gurë, si në legjendë, o do të merrnin gurët në xhepa e ta gjuanin Edi Ramën derisa jo vetëm t’u mësojë emrat, por edhe t’i dëgjojë.

Po gjithmonë ka më shumë se një rrugë për të dalë në rrugë. Ndërkombëtarët po kërkojnë rregulla të reja për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Po si po shkojnë kësaj here riparimet e reformës?

Zbehja e përfaqësimit opozitar është aq lart, sa ç’është poshtë potenca qeverisëse.

Nga Jugu në Veri shikon ish deputetë, pretendentë për të drejtuar këtë vënd pasi Edi Rama të largohet, që vuajnë si gjarpri nën gurë, thjeshtë të bëjnë emer.

Prapë, si gjithmonë, kur sistemi zgjedhor riparohet se i ka rënë suvaja, janë vetëm tre ustallarë që punojnë, Rama, Basha dhe Meta.

Për t’i lënë në terezinë e vet këta që të mos bëjnë asgjë veçse të plotësojnë ca lista partie e votuesi të thirret sa për të larë gojën, një deputet i Shkodrës, ka hallin që Edi t’i mësojë emrin.

Jep lajm bombë se me një zjarr të qëllimshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, u dogjen dokumentet e tenderëve sekrete, ku shteti ka vjedhur disa miliona euro.

Në çdo vënd të botës, nëse jepej një lajm si ky, qeveria rrëzohej dhe vëndi shkonte në zgjedhje.

Po ç’ndodhi?

Asgjë prej gjëje. Është apo jo i vërtetë lajmi, askurrë nuk do mësohet. Deputeti ngeli pa vëmëndje. Një ministre bën be se jo zjarr, por as tym nuk ka dalë në atë oxhak.

Ky ish deputet, ndër më aktivët e opozitës sot, ka sakrifikuar shumë, vetëm të marrë vëmëndje nga elektorati.

Bëri një protestë në Shkodër kundër votave të vjedhura në Dibër dhe Durrës dhe tha se gazeta gjermane Bild shkruan se Rama është hajduti më i madh në Europë.

Foli sikur nuk foli. Shau me ç’mbante e nuk mbante fjalori. Rama nuk ndihej.

Doli pastaj në një televizion që tërë kohës jep telenovela turke dhe tha se nuk ja ndjen as për pranga, mjafton që Edi Rama të flasë diçka.

Për fat të tij, dikush foli, jo Edi por Taulanti.

Numri 2 i PS i flet numrit 3 të PD. Jo keq. Ky Taulanti, megjithëse kishte një çështje të hapur me drejtësinë, për një makinë tip Toyota Yaris me ca miliona euro kontrabande droge, e pyeti këtë deputetin kundërshtar, se mos ka dëshirë të arrestohet që të bëhet publik?

Po, tha ky, në je burrë thuaji policisë fashiste të më arrestojë dhe bëjeni lajm live me TV. Në të mungoftë akuza, ja po të them se ty të është çarë marmida e Tayotës duke transportuar drogë dhe Edi Rama është hajdut votash.

Ashtu u bë. Shteti dhe mafia e lanë takimin në një postbllok me dy policë në qëndër të Tiranës.

U nis ekipi nga televizioni drejt postbllokut. Në moment erdhi edhe deputeti. Dy policë bëjnë arrestimin, 20 kamera shkrepin blice dhe 2 milion shqiptarë bëjnë tifozllek pro dhe kundër, si në ndeshje gladiatorësh, ku njëri do të vdesë me patjeter.

Populli u mashtrua, komercialiteti kaloi kufijtë e përditshmërisë.

Kjo komedi pozitë-opozitë nuk është kaq e thjeshtë sa del në treg

Është kjo, bërthama e shoqërisë sot.

Opozitës i janë çrregulluar hormonet, nuk ka shanse as stimuluese as gjeneruese.

Po qeverisë?

Kjo shpreson të vazhdojë me eksperimentet gjenetike, ku armiqtë përvoja i bashkon në tepsinë e pushtetit.

Po Edi Rama?

Ky, si gjithmonë, ka mbi 20 vjet Penelopën e ngatërron me lopën./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu