“Nënë Dolores”, një Mari që e shenjtëron akti i hyjlindëses, dhimbja dhe trishtimi

0
Shkruan Albert Vataj
Piktura dhe jo vetëm ajo, kanë mbrujtur me një shpirt të etur për tragjizëm dhe trishtim përfytyrimin e Virgjëreshës Mari, e cila simbolikisht përfaqëson Hyjlindësen, dhe çdo nënë, njëherash gjithë atë barrë sakrificash vetëflijuese, të cilat e shenjtëruan gruan, bartësen e jetës, sublimitetin e më të madhërishmes dashuri tokësore që u lartësua në hyjni.
Kjo vepër mbetet gjithashtu zemërprehur e shpirtkulmuar na qaset si altari më i lartë i besimit, gjunjëzorja më e përkorë e çdo epjeje, prehja më e ëmbël ku barra e trazimtë të jetës së gjithsekujt mbështet kokën.
“Nënë Dolores” (1670-1675) është një nga veprat më spikatura të spanjollit, Bartolomé Esteban Murillo. Kjo pikturë ishte pjesë e një koleksioni privat që i përkiste një familjeje holandeze. Ajo i mishëron ne gjithë peshën e saj shprehëse të dhimbjes së Virgjëreshës Mari. Sfondi i errët tregon një papërcaktim kohor dhe fizik, të qëllimtë nga mjeshtri, i cili me gjas e gjithëpranon si të gjithëkohshëm këtë mishërim, këtë dorëzim të trisht nëne, këtë prehje klasike fetare, por që përmes meitit të fytyrës dhe shtërngimit të duarve rreket të përcjellë lutjen si aktin final të lartësimit të shpirtit të saj, si një dakordësim me pahir të fatit të shkruar me shkronja gjaku dhe lotësh.
Pavarësisht se një punë me tematikë festarë, ajo është thellësisht e njerëzishme. Ana kompozicionale dhe tematika trajtuese, në të gjithë trajtat e mëtimit viziv dhe fuqinë përshkuese të emocionit, ajo orvaten të tregojë besnikërinë e penelit dhe shpirtjes krijuese të autorit, i cili le të themi është i kapur nga një lloj yshtje e brendshme, për të skalitur në dritën e ngjyrave dhe përfytyrimeve, gjithëatë stuhi përjetuese.
Dhimbja dhe pikëllimi, dramaciteti i skalitur me një përkujdesje të pikëllimtë, është e pamundur që të mos bëhet pjesë e çdo ëndjeje, që e përcjell, dhe çdo ndjesie që goditet kaq fuqishëm. Sepse ne ndjejmë përkundër çdo nxitje kanunore të besimit. Ne jemi përshkues të çdo grimce të jetës që përmes nënës mbetet thellë nesh si një mbarsje llave, gati t’i jepët shpërthimit, e cila më shumë se një çlirim, është një kodifikim i mënyrës se si ne përfshihemi në gjithçka tokësore përmes dhimbjes.
Dhe Bartolomé Esteban Murillo, e ka ndjerë dhe e ka realizuar, e ofron në gjithëkohshmërinë e afrisë sonë me përjetimin e pikëllimtë, si një përfshirje në atë shkakësi tragjizmi, prej të cilit sekush kërkon pendesë dhe shpagim.
Në vitin 1939, kur piktura u ble nga tregtarët e artit në Amsterdam, de Boer, nga një blerës privat holandez, kishte disa dyshime nëse kjo pikturë nuk ishte e Murillo-s, por historianit gjerman të artit August Lieberman Mayer, i cili ishte një nga më të shquarit të fillimit të shekullit të 20-të dhe specialist i epokës spanjolle të shekullit të 17-të, i shkruan pronarit të ri, duke shprehur besimin e tij se ajo ishte pikturuar nga Murillo. Në letrën e tij të datës 12 korrik 1939 , ai shkruante:
“… Më vjen shumë keq, që në fakt nuk mund të bëj një botim të ri të librit tim në “Klassiker der Kunst”, por shpresoj të botoj një monografi tjetër të Murillo-s në Spanjë”. Tabloja është, për mendimin tim, shumë e mirë, e ruajtur mirë, dhe më e rëndësishmja është vepër e mirëfilltë dhe më karakteristike e Bartolomé Esteban Murillo, e ekzekutuar me shumë mundësi rreth vitit 1668, periudhë, e konsideroj si më të mirën dhe më të fuqishmin e mjeshtrit.”
Pavarësisht mendimeve të Mayer, shumë studiues të artit ende vënë në dyshim atribuimin e tij. August Mayer nuk botoi kurrë një vepër tjetër mbi mjeshtrin spanjoll. Si hebre, ai u detyrua të linte zyrat e tij në Mynih nga nazistët. Më pas ai iku në Paris në vitin 1936, por më vonë u arrestua dhe u dëbua në Aushvic më 1944, ku dhe vdiq.
Cili ishte piktori?
Bartolomé Esteban Murillo, ishte një nga piktorët e parë të mëdhenj spanjollë që u bë popullor jashtë Spanjës. Ishte gjithashtu i njohur për pikturat e qeta me tematikë fetare. Në karrierën e tij të hershme, Murillo u ndikua thellësisht nga Francisco de Zurbarán, dhe huazoi përdorimin e hapësirës neutrale në pikturë dhe të kompresuar. Punimet e tij të mëvonshme u ndikuan nga Peter Paul Rubens dhe Federico Barocci. Stili i Murillos ishte shumë realist. Ai nganjëherë përdorte fshatarët vendas si modele për tablotë e tija. U bë i aftë në përdorimin e chiaroscuro dhe u shqua veçanërisht për përshkrimet e tij të mjegulliemeve të ndritshme dhe reve. Për shkak se veprat e Murillos kishin tërheqje popullore, ai mori shumë komisione nga institucionet fetare. Në një rrëfim, Murillo vdiq nga një rënie fatale nga një skelë ndërsa po punonte në veprën “Martesa mistike e Shën Katerinës” në Kishën Kapuçin në Cadiz.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu