Shkruan Zef Ndreka
Ditët e fundit, vërejmë se po bëhet një “përpjekje” për bashkimin e opozitës së përçarë rreth PD-së, por mbi bazën e kalimit të pragut elektoral në shifrën 4% në rang kombëtar.
Është disi çudi se propozimi vjen nga partia e Llapajt, i cili mori vetëm një deputet në zgjedhjet e vitit që shkoi.
Duke e analizuar këtë përpjekje të fundit të tyre, nga ky skenar, i fituar mund të dalë vetëm Sali Berisha, pasi do të vazhdojë të përdorë si satelitë partitë e reja opozitare të Adriatik Llapajt, të Agron Shehajt nqs futet në atë çorbë, etj.duke përfituar edhe nga mbështetja, sado modeste, që një pjesë e elektoratit ka ndaj tyre.
Marrëveshje të tilla artificiale për “bashkim”, në fakt, kufizojnë përfaqësimin real politik dhe rëndojnë në radhë të parë mbi vetë partitë e vogla opozitare, të cilat rrezikojnë të humbasin identitetin dhe hapësirën e tyre politike. Në fund, forcohet vetëm pozicioni i liderit tradicional të opozitës, pra të Berishës.
Në fakt, një përpjekje e tillë duket më shumë si ruajtje e status quo-së dhe e monopolit politik brenda opozitës, sesa një alternativë e re dhe bindëse për qytetarët.
Lind pyetja:
Përse partitë e vogla opozitare kanë kaq shumë frikë të përballen politikisht më vete?
Sepse ato e dinë se në një garë të vërtetë politike rrezikojnë të mbeten pa përfaqësim dhe pa peshë reale elektorale. Prandaj kërkojnë strehim nën hijen e opozitës së madhe, duke pranuar marrëveshje që në fund i dobësojnë edhe më shumë.
Keshtu, duket qartë se beteja reale nuk do të zhvillohet mes mazhorancës dhe opozitës, por brenda vetë opozitës. Aty do të jetë lufta për kontrollin, për lidershipin, për vulën politike dhe për mbijetesën elektorale.
Partitë e reja kërkojnë të mbijetojnë politikisht pa u përballur plotësisht me elektoratin, ndërsa Berisha kërkon të ruajë monopolin e opozitës duke i mbajtur pranë si aleatë të varur.
Kjo e bën të gjithë skenën opozitare të duket më shumë si një garë për interesa të brendshme politike, sesa si një projekt serioz për ndryshim dhe alternativë qeverisëse.
Ju daltë për hajër…



