Shkruan Zef Ndreka
Dy deputete modele të parlamentit shqiptarë, që të dyja nga krahu i opozitës, riskojnë ti rishohim përsëri në karriget e Kuvendit.
E para, mbase është prerje tjetër e kolegeve dhe kolegëve të saj, që ka mbajtur mbi shpatullat e saj jo vetëm betejat më të rënda në komisione e grup parlamentarë, por edhe në beteja politike që votuesit i kujtojnë sidomos në hetimin parlamentar për inçeneratorët dhe jo vetëm.
Jorida Tabaku sigurisht, për mendimin tim, është njëra nga Zonjat më të hekurta të parlamentit dhe kostumi i parlamentarës dhe më tej i shkon për shtat më tepër se të përzgjedhurave apolitike, besnike të Berishës.
Jorida Tabaku, ka integritet. Nuk blihet dhe as nuk shitet. Nuk është politikane rrjeshti, edhe pse në qëndrimet dhe vendimet e saj është munduar të mbaj një ekuilibër duke anuar nga pragmatizmi.
Gjithsesi, është e çuditshme, por jo e habitshme, madje do thoja e pritshme që Tabaku të mos ishte në listat e mbyllura.
Listat e mbyllura nuk i bëjnë nder PD-së, as vendit.
Po ashtu, kemi rastin e zonjës Pampuri. Një deputete model, që për motivet e luftës politike brënda llojit qëndroi stoike bindjeve të saj, duke mos u luhatur sa majtas djathtas dhe duke qenë e qartë dhe e saktë si demokrate që i bën nder parlamentit dhe forcës politike ku aderon.
Por marrëveshja e hapur e listave të mbyllura, mbetët çelësi që rihap dyert e parlamentit të ardhshëm me servilë, me deputetë apolitik dhe thjeshtë rrogtarë të Berishës dhe Ramës.
Sigurisht që shancet përderisa do të ketë garë, ekzistojnë që këto dy zonja me peshë në parlament të mos mungojnë pas 11 Majit.
Edhe pse “inati” i pashprehur i Berishës zuri vend, për interesa përsonale e familjare, duke dëmtuar realisht PD-në, grupin e ardhshëm parlamentarë, demokratët shqiptarët e kanë në dorë të votojnë këto zonja, për të mos pyetur neser: ku është Tabaku, ku është Pampuri?!