Ese filozofike/ Kur revolucioni bëhet zëri i lirisë

0

Shkruan Safet Sadiku

Historia e njerëzimit është e mbushur me revolucione, protesta dhe lëvizje shoqërore që kanë lindur nga dëshira për liri, drejtësi dhe dinjitet. Sa herë që pushteti është larguar nga interesat e popullit dhe ka krijuar pabarazi, shtypje apo mungesë të të drejtave themelore, njerëzit kanë reaguar për të kërkuar ndryshim. Nga Revolucioni Francez te lufta kundër aparteidit, këto ngjarje tregojnë se asnjë shoqëri nuk mund të mbetet e pandryshueshme kur përballet me pakënaqësi të thella. Mendimtarë dhe udhëheqës të ndryshëm kanë reflektuar mbi këto procese historike, duke lënë mesazhe që vazhdojnë të frymëzojnë brezat edhe sot. Kjo dëshmon se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm kur humbet lidhjen me drejtësinë. Revolucionet dhe protestat nuk lindin rastësisht, por ato janë shpërthimi i heshtjes së grumbulluar, i pakënaqësisë së njerëzve që ndihen të shtypur, të përjashtuar ose të mohuar në të drejtat e tyre themelore. Kur pushteti harron se ekziston për t’i shërbyer popullit dhe jo për ta sunduar atë, lind revolta si një kërkesë për dinjitet.
Në këtë klimë të padrejtësisë, idetë e Iluminizmit ndezën ndërgjegjen kolektive dhe u bënë themeli filozofik i revolucionit. Një shembull i tillë pa dyshim ishte Revolucioni Francez i vitit 1789. Monarkia absolute, pabarazitë e thella shoqërore dhe privilegjet e aristokracisë kishin krijuar një hendek të madh midis pushtetit dhe qytetarëve. Rendi i vjetër politik nuk ishte më në gjendje t’u përgjigjej kërkesave për liri, barazi dhe drejtësi, dhe revolucioni solli një transformim rrënjësor të sistemit shoqëror dhe politik. Në këtë kontekst, u afirmuan fuqishëm idetë e Iluminizmit, të cilat theksonin të drejtat natyrore të njeriut dhe sovranitetin e popullit. Kjo periudhë historike dëshmon se ndryshimet e mëdha shpesh lindin nga akumulimi i gjatë i pakënaqësive dhe shpërthejnë kur shoqëria arrin pikën e saj kritike, duke përmbysur rendet që më parë dukeshin të pandryshueshme.
Kështu Jean-Jacques Rousseau shkruante: “Njeriu lind i lirë, por kudo është në zinxhirë.” Kjo shprehje nuk flet vetëm për zinxhirët fizikë, por edhe për ata politikë, ekonomikë dhe moralë që kufizojnë lirinë e individit. Rousseau na kujton se liria është gjendja natyrore e njeriut, ndërsa shtypja është një krijim artificial i pushtetit. Kur zinxhirët bëhen më të rëndë se durimi i njerëzve, revolucioni shndërrohet në një mjet për të rikthyer lirinë e humbur. Në të njëjtën kohë, Voltaire paralajmëronte: “Ata që mund t’ju bëjnë të besoni absurditete, mund t’ju bëjnë të kryeni mizori.” Ky mendim shpreh rrezikun e manipulimit të mendjes njerëzore nga propaganda, censura dhe autoriteti i pakontrolluar. Kur njerëzit privohen nga e drejta për të menduar lirshëm dhe për të vënë në dyshim pushtetin, shoqëria rrezikon të bjerë në errësirën e bindjes së verbër. Protestat dhe revolucionet shpesh lindin pikërisht si reagim ndaj kësaj errësire, si një përpjekje për të rikthyer arsyen, të vërtetën dhe lirinë e mendimit. Ndonëse, në planin filozofik, revolucioni nuk është vetëm një ndryshim i qeverisë brenda një shoqërie. Në parim ai është një përplasje mes frikës dhe shpresës, mes nënshtrimit dhe dinjitetit. Çdo protestë është dëshmi se njeriu nuk pranon të jetojë pafundësisht në padrejtësi. Kur zëri i qytetarëve injorohet, ai kthehet në thirrje, dhe kur thirrja shpërfillet, ajo shndërrohet në protestë, dhe po ashtu kur protesta shtypet, ajo mund të kthehet në revolucion. Prandaj, historia na mëson se pushtetet nuk rrëzohen vetëm nga forca e armëve, por para së gjithash nga forca e ideve. Sepse një ide për liri, drejtësi dhe barazi është më e fuqishme se çdo fron që mbështetet mbi padrejtësinë. Revolucionet mund të ndryshojnë epoka, por mesazhi i tyre mbetet i njëjtë: asnjë pushtet nuk mund të mbijetojë gjatë kur humbet besimin e njerëzve që qeveris.
Nëse shekujt e kaluar u karakterizuan nga revolucione që kërkonin lirinë, shekulli XXI po sfidohet të ndërtojë mekanizma që e bëjnë lirinë pjesë të përditshme të qeverisjes. Demokracia nuk matet vetëm nga e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit, por edhe nga mundësia e qytetarëve për të marrë pjesë në mënyrë aktive në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tyre. Në këtë kuptim, protesta, debati publik dhe referendumi mund të shihen si hallka të të njëjtit proces historik: përpjekja e vazhdueshme e njeriut për të qenë jo vetëm subjekt i historisë, por edhe autor i saj. Në këtë kontekst, studim-programi “Platforma për Referendum Kombëtar”, i prezantuar dhe promovuar më 21 prill në Tiranë, për çdo ditë e më shumë po shihet si pjesë e debatit bashkëkohor shumë pozitiv mbi zgjerimin e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje. Mbështetësit e kësaj strategjie kombëtare argumentojnë, se ajo ka zgjuar interes në rrethe të ndryshme shoqërore dhe jo vetëm që ka nxitur diskutime por edhe po shqytohen mundësitë e jetësimit praktik në mes intelektualëve, studiuesve dhe qytetarëve të angazhuar për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që mund të ekzistojnë rreth saj, vetë debati që ajo ka hapur, duke konfirmuar edhe zgjidhjen e problemeve në shoqërinë shqiptare, dëshmon se kërkimi për forma më të drejtpërdrejta të pjesëmarrjes qytetare mbetet një temë e rëndësishme në zhvillimin demokratik të vendit. Në këtë kuadër të zhvillimit demokratik, një element thelbësor mbetet garantimi real i vendimmarrjes së qytetarëve përmes institucioneve funksionale, transparente dhe të ndërtuara mbi standardet e Bashkimit Evropian. Një administratë moderne, e bazuar në parime të shtetit të së drejtës, meritokracisë dhe llogaridhënies publike, përbën kushtin themelor që demokracia të mos mbetet vetëm formale, por të funksionojë në mënyrë të prekshme në jetën e qytetarëve. Në këtë kuptim, çdo tendencë për t’u kthyer te modele të centralizuara, burokratike dhe jo-transparente të së kaluarës, të lidhura me praktika të sistemit komunist, do të përbënte një hap prapa në raport me standardet bashkëkohore të qeverisjes demokratike. Prandaj, sfida e së ardhmes për shoqërinë shqiptare qëndron në ndërtimin e një sistemi ku vendimmarrja qytetare jo vetëm respektohet, por edhe zbatohet përmes një administrate të aftë, profesionale dhe të harmonizuar me praktikat më të përparuara evropiane.
Kur rezistenca bëhet detyrë dhe veprimi ndryshon historinë
Pa dyshim se popuj të ndryshëm kanë histori përpjekjesh të vazhdueshme për liri, dinjitet dhe drejtësi. Asnjë popull nuk pranon pafundësisht të jetojë nën shtypje, sepse dëshira për liri është një nga forcat më të fuqishme që lëviz shoqëritë. Kur pushteti humbet legjitimitetin moral dhe kthehet në instrument të padrejtësisë, lind rezistenca si shprehje e ndërgjegjes qytetare.
Te populli shqiptar, përpjekja për liri ka qenë një tipar i pandërprerë historik, nga qëndresa kundër pushtuesve të huaj deri te rrëzimi i diktaturës komuniste. Megjithatë, gjatë 36 viteve të tranzicionit demokratik, një pjesë e madhe e qytetarëve kanë ndier zhgënjim të thellë nga mënyra se si është ushtruar pushteti. Në vend që demokracia të sillte një marrëdhënie më të drejtë ndërmjet shtetit dhe qytetarit, shpesh është krijuar perceptimi se institucionet kanë vepruar larg interesit publik. Kritikat janë përqendruar te menaxhimi i pasurive natyrore, mbrojtja e mjedisit, zbatimi i ligjit dhe trajtimi i investimeve strategjike. Për shumë qytetarë, kjo ka krijuar ndjesinë paradoksale se qeveritë e dala nga vota e lirë, në vend që të mishërojnë vullnetin e popullit, kanë shfaqur herë pas here sjellje që kujtojnë logjikën e pushteteve të largëta nga interesat e shoqërisë. Kur qytetarët humbasin besimin se ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe se pasuritë publike administrohen në dobi të përbashkët, lind një krizë legjitimiteti moral, e cila ushqen protesta, kundërshti dhe kërkesa për ndryshim.
Një shembull i tillë i ngjajshëm ishte Revolucioni Amerikan. Kolonitë amerikane u ngritën kundër sundimit britanik, duke kundërshtuar taksat e vendosura pa përfaqësim politik dhe kufizimin e të drejtave të tyre. Kjo lëvizje nuk ishte vetëm një konflikt politik, por një përballje filozofike mes autoritetit dhe lirisë, mes nënshtrimit dhe vetëvendosjes. Prandaj, Thomas Jefferson shprehte këtë frymë me fjalët: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë.” Kjo ide ngre një pyetje të thellë morale: a duhet bindur njeriu ndaj çdo ligji vetëm sepse është ligj? Jefferson na kujton se drejtësia është më e lartë se pushteti dhe se qytetari ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin moral të kundërshtojë një sistem që shkel liritë themelore. Në këtë kuptim, rezistenca nuk është akt rebelimi i verbër, por një mbrojtje e vlerave universale të dinjitetit njerëzor. Por, me kalimin e kohës, sfidat e shoqërisë ndryshuan formë. Shekulli XIX solli industrializimin e shpejtë, zhvillimin ekonomik dhe, njëkohësisht, pabarazi të mëdha midis klasave shoqërore. Ndërsa një pakicë përfitonte pasuri të mëdha, shumë punëtorë jetonin në kushte të vështira. Këto kundërthënie ushqyen pakënaqësi dhe nxitën kërkesa për ndryshime të thella shoqërore e politike.
Në këtë kontekst, Mahatma Gandhi shprehte bindjen se: “Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë.” Kjo thënie thekson lidhjen e ngushtë midis bindjeve dhe veprimit konkret. Sipas Gandhit, nuk mjafton të dëshirosh një shoqëri më të drejtë apo më të mirë, dhe secili individ duhet ta mishërojë atë ndryshim përmes sjelljes dhe angazhimit të tij. Kështu, idetë dhe vlerat marrin kuptim të plotë vetëm kur shprehen në praktikë dhe ndikojnë pozitivisht në realitet.
Nga këndvështrimi filozofik, revolucioni lind kur ndërgjegjja kolektive refuzon të pajtohet me padrejtësinë. Ai është momenti kur njerëzit kuptojnë se heshtja nuk sjell ndryshim dhe se veprimi bëhet domosdoshmëri. Jefferson thekson të drejtën morale për t’i rezistuar tiranisë, ndërsa Jean-Jacques Rousseau thekson se sovraniteti i vërtetë i takon popullit dhe se vullneti i përgjithshëm duhet të jetë baza e çdo sistemi politik. Sipas kësaj ideje, ligjet dhe vendimet nuk mund të jenë të drejta nëse nuk burojnë nga pjesëmarrja reale e qytetarëve, duke e bërë kështu angazhimin qytetar një element themelor të demokracisë.
Të dy, megjithëse në kontekste të ndryshme historike, na kujtojnë se ndryshimet e mëdha nuk lindin vetëm nga pakënaqësia, por nga guximi për të vepruar. Prandaj, historia dëshmon se protestat dhe revolucionet kanë përmbysur pushtete jo vetëm sepse njerëzit kanë vuajtur, por sepse ata kanë besuar se një shoqëri më e drejtë është e mundur. Dhe sa herë që liria, drejtësia dhe dinjiteti mohohen, lind përsëri ideja se rezistenca mund të jetë detyrë dhe veprimi rruga drejt ndryshimit.
Në këtë vazhdë historike, ku protestat dhe lëvizjet shoqërore kanë shërbyer si motorë të ndryshimit, shekulli XXI shton një dimension të ri: kërkesën për forma më të drejtpërdrejta të pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje. Demokracia bashkëkohore nuk mund të kufizohet vetëm në votën periodike, por pritet të thellohet përmes mekanizmave që i japin qytetarit zë më të vazhdueshëm dhe më ndikues në jetën publike. Në këtë kuptim, modeli i demokracisë direkte, i realizuar në disa vende evropiane përmes referendumeve dhe nismave qytetare, paraqitet si një horizont reflektimi edhe për shoqëritë në zhvillim. Për shoqërinë shqiptare, kjo nënkupton një sfidë dhe një mundësi njëkohësisht: sfidën e forcimit të besimit institucional dhe mundësinë e rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Nëse protestat kanë shërbyer historikisht si mekanizëm për të shprehur pakënaqësinë dhe për të përshpejtuar ndryshimet, atëherë zhvillimi i instrumenteve si referendumi mund të shihet si një hap për ta kanalizuar këtë energji shoqërore në mënyrë institucionale dhe të qëndrueshme. Kështu, ideja e një demokracie më pjesëmarrëse nuk e zëvendëson protestën, por e plotëson atë, duke e shndërruar zërin e qytetarit nga reagim i herëpashershëm në një prani të vazhdueshme në vendimmarrje. Në këtë perspektivë, ndryshimi shoqëror nuk shihet më vetëm si rezultat i përballjeve të forta me pushtetin, por edhe si proces i maturimit demokratik, ku qytetarët bëhen bashkë-autorë të vendimeve që formësojnë të ardhmen e tyre. Kështu, historia që filloi me revoltë dhe rezistencë, gradualisht synon të arrijë në një fazë ku liria shprehet jo vetëm në kundërshtim, por në pjesëmarrje të drejtpërdrejtë dhe të përgjegjshme.
Kur historia përshpejtohet dhe vullneti njerëzor ndryshon botën
Historia nuk ecën gjithmonë me të njëjtin ritëm. Ka periudha të gjata kur shoqëritë duken të ngrira në problemet e tyre dhe ndryshimi duket i pamundur. Por ka edhe momente të rralla kur pakënaqësia e grumbulluar, idetë e reja dhe veprimi i njerëzve bashkohen, duke përshpejtuar rrjedhën e historisë dhe duke ndryshuar fatin e kombeve.
Edhe në Indi, lufta për liri mori një drejtim tjetër. Përballë sundimit kolonial britanik, Mahatma Gandhi zgjodhi rrugën e rezistencës paqësore dhe të forcës morale. Ai besonte se ndryshimi i vërtetë nuk fillon me armët, por me transformimin e ndërgjegjes njerëzore. Prandaj ai thoshte: “Nëse duam të arrijmë paqen e vërtetë në botë, duhet të fillojmë me fëmijët.” Kjo ide shkon përtej pavarësisë politike. Gandhi na mëson se liria nuk është vetëm çlirimi nga një pushtet i huaj, por edhe edukimi i brezave që do të ndërtojnë një shoqëri më të drejtë, më të ndërgjegjshme dhe më paqësore. Pa formimin moral të njeriut, çdo fitore politike mbetet e brishtë.
Në Amerikën Latine, revoltat dhe lëvizjet revolucionare lindën si reagim ndaj pabarazive të mëdha ekonomike dhe padrejtësive shoqërore. Në këtë atmosferë, Che Guevara u bë simbol i idesë se ndryshimi kërkon veprim të vendosur. Ai deklaronte: “Revolucioni nuk është një mollë që bie kur piqet. Duhet ta bësh të bjerë.” Kjo shprehje thekson se historia nuk ndryshon vetvetiu. Drejtësia, liria dhe barazia nuk janë dhurata që vijnë spontanisht, por janë rezultate të angazhimit dhe sakrificës njerëzore. Sipas këtij këndvështrimi, pritja pasive nuk mjafton, sepse ndryshimi kërkon guxim për të vepruar.
Një tjetër shembull i fuqisë së qëndrueshmërisë njerëzore është lufta kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Për dekada me radhë, miliona njerëz jetuan nën një sistem diskriminimi racial të institucionalizuar. Megjithatë, përmes rezistencës, sakrificës dhe besimit te drejtësia, ky sistem u rrëzua. Nelson Mandela e përmblidhte këtë përvojë me fjalët: “Gjithmonë duket e pamundur derisa të bëhet.” Kjo thënie është një reflektim mbi kufijtë e perceptimit njerëzor. Shpesh, pengesat duken të pakapërcyeshme dhe ndryshimet e mëdha të paarritshme. Por historia dëshmon se ajo që sot duket e pamundur, nesër mund të jetë realitet.
Në planin filozofik, këto figura dhe lëvizje na tregojnë se historia formësohet nga bashkimi i ideve me veprimin. Autor të ndryshëm kanë folur për çastet, kur koha historike përshpejtohet; Gandhi për fuqinë transformuese të edukimit dhe paqes, Che Guevara për domosdoshmërinë e angazhimit aktiv, ndërsa Mandela për forcën e shpresës dhe këmbënguljes. Të gjitha këto perspektiva bashkohen në një të vërtetë të përbashkët: ndryshimet e mëdha nuk lindin vetëm nga rrethanat, por nga vullneti i njerëzve për të mos u dorëzuar përballë padrejtësisë. Prandaj, revolucionet dhe lëvizjet çlirimtare nuk janë thjesht ngjarje politike. Ato janë shprehje e përhershme e kërkimit njerëzor për liri, dinjitet dhe drejtësi. Dhe sa herë që njerëzit besojnë se një botë më e mirë është e mundur, historia gjen mënyrën për të ecur përpara.
Edhe Shqipëria ka njohur periudha protestash dhe lëvizjesh që kanë ndikuar në rrjedhën e historisë së saj. Protestat studentore të vitit 1990, të cilat kontribuan në rrëzimin e sistemit komunist, si dhe protestat e ndryshme qytetare në vitet e demokracisë, tregojnë se edhe shoqëria shqiptare ka kërkuar vazhdimisht më shumë liri, drejtësi dhe përfaqësim. Ashtu si në shembujt historikë botërorë, edhe në Shqipëri protestat kanë qenë shprehje e pakënaqësive dhe e dëshirës për ndryshim. Kjo dëshmon se zëri i qytetarëve mbetet një forcë e rëndësishme në zhvillimin e demokracisë dhe se historia vazhdon të ndërtohet nga ata që kanë guximin të kërkojnë një të ardhme më të mirë.
Në këtë kuptim, edhe Shqipëria përbën një shembull të rëndësishëm të rolit që protestat kanë në përshpejtimin e ndryshimeve historike. Protestat studentore të vitit 1990 u bënë pikë kthese që çoi në rrëzimin e sistemit komunist dhe hapjen e rrugës drejt demokracisë pluraliste. Megjithatë, në analizë të shumë studiuesve dhe në perceptimin e një pjese të shoqërisë, tranzicioni që pasoi nuk arriti të shkëputej plotësisht nga disa modele të vjetra të mendësisë dhe administrimit shtetëror të trashëguara nga sistemi i mëparshëm. Kjo ka krijuar idenë se disa struktura të qeverisjes dhe mënyra e funksionimit institucional kanë ruajtur elemente të centralizimit dhe burokracisë së kaluar, duke e bërë procesin e modernizimit demokratik më të ngadaltë dhe më kompleks. Prandaj, mund të thuhet se Shqipëria vazhdon të jetë në një proces të gjatë përshtatjeje, ku nevoja për thellimin e reformave institucionale dhe për forcimin e një administrate moderne mbetet vendimtare për të përmbushur pritshmëritë e shoqërisë dhe standardet e demokracive bashkëkohore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu