Heshtja nga politika etj. për aktin terrorist, medalje pavarësie për gazetarin Adriatik Doçi

0

Shkruan Carlo Bollino

Gazetari investigativ i Report TV, Adriatik Doçi, u sulmua në mes të ditës pranë shtëpisë së tij nga një bandit që e goditi dhe më pas u largua. Një akt barbar ndaj një gazetari të guximshëm që prej vitesh denoncon abuzimet që politika kryen kundër të vërtetës. Shumë kolegë reaguan duke i treguar solidaritet Adriatikut, të tjerë u përpoqën ta fshehin emrin e tij duke e shënuar vetëm me iniciale, sikur të ishte ai banditi. Të tjerë akoma e fshehën edhe lajmin vetë, në stilin më vulgar të censurës. Arsyeja e heshtjes është e thjeshtë: Duhet të shmangin faktin se agresioni kundër Adriatik Doçit, i ashpër në denoncimet e tij sidomos kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës, të mund të bëjë të mendohet se pikërisht Berisha ose Meta janë dërgonjësit. Në të vërtetë, ata që ngrenë dyshimin janë pikërisht Sali Berisha dhe Ilir Meta të cilët gjithnjë të gatshëm të denoncojnë çdo dhunë verbale të “regjimit” kundër medias, këtë herë heshtin kundër barbarëve që përdorën dhunën fizike ndaj gazetarit tonë. Asnjë fjalë denoncimi, asnjë fjalë solidariteti. Por nuk janë të vetmit që heshtën.

Shqipëria ka nisur negociatat e pranimit në Bashkimin Europian. Drejtoi OSBE, është anëtare e NATO-s dhe e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe pas pak ditësh do të presë takimin më të rëndësishëm të Bashkimit Europian të mbajtur ndonjëherë në Ballkan. Por pavarësisht kësaj, ndodh që një gazetar investigativ, për t’i mbyllur gojën, e sulmojnë në mes të ditës pranë shtëpisë së tij dhe politika, e gjithë politika, hesht. Hesht opozita dhe e kuptojmë se përse, por hesht edhe qeveria.

Gazetarët në shërbim të opozitës mbrohen nga opozita, ndërsa gazetarët që nuk janë në shërbim të askujt si Adriatik Doçi, nuk gëzojnë asnjë mbrojtje. Duket një akt dobësie, por në të vërtetë është totalisht e kundërta. Ne presim që policia dhe prokuroria të identifikojnë auitorin dhe dërguesin e tij, pasi sulmi është fiksuar nga një kamera sigurie. Ndërkohë, i dashur Adriatik, heshtjen e politikës pas agresionit ndaj teje, konsideroje si një medalje profesionale. Eshtë prova, përtej çdo dyshimi, e lirisë tënde dhe e pavarësisë sonë. Të jesh vërtetë i pavarur, do të thotë të jesh dhe i vetmuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu