Azem Shkreli, pena dhe parmenda e poezisë kushtruese shqipe, shkrepëtima e vargëzimit të gulçeve të shpirtit

0

Shkruan Alberet Vataj

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh/me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë./Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,/të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat e gjakut tënd./N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,/jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi./Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh/për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë./

Këto nuk janë psalme të librave të shenjtë, as teksteve apokrif, por “Katër këshilla vetes” që i papërsëritshmi Azem Shkreli bënte asokohjen e vitit 1969, kur ai “E di një fjal prej Guri”. Kush ishte ai që i ka shkrepëtirë në ëndjen për të gjetur shtegun e për të hyrë në botën magjiplotë të poezisë, që si njeh këto vargje, këtë regëtimë të hovshme shpirti, që ka udhëtuar nëpër vite për të patur gjithnjë diçka për të thënë, “për të mos mësuar se si hesht e pathëna”.

Goditja e shpirtit të tij të ndjeshëm, e ka fërgëllyer dhe shkundur poetin nëpër ëndje dhe përkundur dëshirimeve, nëpër qiej e ka flakëruar, para se ta zbresë “me kangë t’gurgullimtë ndër buzë…”, e ta përmend atje ku “…lugjet me hije njomen, e drujt’  n’çdo vend/ rriten e lëshojnë freski…”.

Azem Shkreli anipse nuk i’u gjegj poterës dhe bujës mediatike, nuk u përfshi në listime emrash të vjershërimit shqip, me gjas ishte dhe mbëti  kumbimi ma i zashëm që ka mujt me u flakëru në eterin shqiptar. Ishte një kushtrim jehues brezash, si një kandje e pashoqe përjetimi të fjalës si energji jetëdhënëse e asaj ç’ka shpirtin e mundon.

Në vetvete ishte çlire prej panevojës për të kumtuar dishepullin e ndokujt, veç solemnitetit idilik dhe epikës kreshnike që i’a kishte injektu në vena vendlindja. Si një feksje shkundullitëse behu ai në poezinë shqipe, për të qenë pena dhe parmenda e vjershërimit, vlaga e thellë në tokën e varrueme vrragësh të kahershme, britma e thekshme në plisin e mbjellur varresh, varresh që i shumon era e gjakut, duhma e lirisë. Në atëkohje djerrinash që i rreshkte hija e luftës së mbetur pezull, krahët dhërëpërveshur, shpirti i dlirë e gjaku i shulmuar në flakë, do të mbillnin tokën e këndimit të shpirtit. Ai ishte “poet idesh dhe gjykimesh të thella” kumton Agim Vinca. Ndërsa për kritikun Ali Aliu, Shkreli ishte “mjeshtër i vargut dhe i fjalës poetike”. Për Robert Elsie “Azemi është poet i mendimit”.  Për Ali Podrimjen, Shkreli “njihet si fanatik  i vargut,  i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit  tekstor,  i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazmë. Me pak mundohet të thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë përse shkruhet dhe artin e kuptojnë punë mjeshtërore”.  “Azem Shkreli jetonte shpejt, dhe shkruante ngadalë”, kështu e ndërmend një mik i tij, i cili kujton ç’ka poeti i kish mëtuar një here se: “Poezia, aq sa don mjeshtëri për ta shkruar, po aq mjeshtëri don për ta lexuar, do kondicion, durim”.

Përgjatë gjithë rrugëtimit të tij krijues ai hovet tue lëshu shtat kumtimi dhe mëtimi bjeshkëve dhe krojeve, ku fërgëllejnë kallinjtë, e plisat zgjojnë ëndrrën e tokës, ku blegërimat i këndojnë ninulla yjesh bashtinave, ku gurët kanë një fjalë me thanë, gjaku ka një amanet, e liria “.. krahnorin po ma shtyn si dem…”. Ai erdhi kur fjala e shpirtit kishte nevojë për një ëmë me e përkund,  një dashuri me e flakëru ndër ëndrra dhe dëshirime, dhe vdekja tue lyp amshimi me e përtëri jetën. Këtë fara hodhi në lavrën e lëruar të poezisë shqipe, Azem Shkreli.

Azem Shkreli, Helena dhe Ismail KadareNdër do kumtime, dy fjalë për poetin

Azem Shkreli datëlindi më 10 shkurt 1938 në Shkrel-Rugovë të Pejës. Në vendlindje do të merrte mësimet e para, ndërsa në Prishtinë ai do të kryente shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën Gjuhë Letërsi Shqipe. Ndër shumë vjet ai ka dhënë një kontribut si kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, gjithëpoaq ka drejtuar Teatrin Krahinor të Prishtinës dhe njihet si themelues dhe drejtor i “Kosova Filmit”. U shua më 27 maj 1997, për të mbetur i pashlyer në kujtesën e të gjithëve që e njohën, dhe i gjithmonshëm në panteonin e letrave shqipe, si poet, prozator dhe dramaturg.

Kumtim i këtij shkulmi të zëshëm

Azem Shkreli si fenomen i tekstshkrimit shqip shënon kthesën e themeltë në mëtimit poetik. Ndoshta letërsia shqipe nuk shënon në atëkohje ndonjë hendek cilësor, por ajo që vjen me Shkrelin kishte sosh që e panë si një urë komunikimi dhe përbashkimi me shpërthimin shqipshkrues të viteve ’30. Krijimtaria e tij në poezi rreket të çlirojë gulçin e kaplimit lirik prej të vetvetishmes personale duke e eksploduar si një diell përtëritës për të gjithë ata që rroken prej nevojës së vjershërimit si dëshirim. Dashuria amtare e buluar në gemat e pranverave të Rugovës e mbush me ëndje e shkulme jete, krejtkah gurron shpirti i tij krijues. Kësisoj u end ky yll e flakëroi në qiell si rrugëtim drejt lajmit të premtuar. Krijoi për të mos mbetur një relike por gjëndje, emocion. Kjo vringëllimë e pagjasë këngësh shpirti u shkund si balsam në dhimbje, asohere kur kapërcyelli i historisë e zhagitja e hijeve të së keqes, kërcitnin dhëmbët e mosbesimit, shpresëhumbjes. Me fjalë e me varg, me penë e me parmendë, ai nuk u ep për gjithëçmos.

Krijimtaria letrare

Rrugëtimin e përnjimëndtë nis më 1960 me “Bulzat”, për të vazhduar me “Engjujt e rrugëve”, 1963; “E di një fjalë prej guri”, 1969; “Lotët e maleve”, 1974; “Nga bibla e heshtjes”, një vit më vonë, më 1975. Më 1977 Rilindja në Prishtinë, nxjerr në dritë “Vjersha” të Azem Shkrelit, për tu pasuar nga “Pagëzimi i fjalës” më 1981; “Poezi” del nga “Naim Frashëri”, Tiranë,1984; “Kënga e hutinit” 1986; “Nata e papagajve” 1990; “Muri përfundi shqipeve”, 1993), “Shtatë nga ata” 1993, “Lirikë me shi”, 1994; “Zoti nuk është shqiptar” 1997,  “Zogj dhe gurë”, po atë vit. “Rrënjë të gurta” vjen më 2001 si një botim i dytë i rishikuar. Vijnë njëri pas tjetrit këto zëra e jehona e tyre në kushtrim i kthen. Kolanën e e tij krijuese e vazhdon “Karvani i bardhë, “Sytë e Evës”, “Muri përfundi shqipeve” botuar në Cyrih, 1993; “Karvani i bardhë (i riu) 1997. Për të shku tek dramat: “Fosilet”, 1968 e “Varri i qyqes”, 1983. Gjithë ky zell e kjo kushtrimore krijuese, beh e regëtim atëditë e sot për të shuar etjen që e zhurit nëpër kroje e bunare andjeje estetike, shpirti shqiptar.

Përmbi gjithçka, mbetet poezia

Një ndër shtresime më të qenësishme, aty ku çmos gatoi ky shkulm i epshëm është padyshim poezia. Kjo gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor. Që prej te Matrënga e Budi, Bardhi e Bogdani, atëkohjen e këndej kjo dritë nuk ka reshtur së mëkuari dritën dhe hovet, këndimin shqip e kungimin e lirisë. Ai, Azem Shkreli e përjetësoim emrin dhe veprën duke u bërë mëkuisi i zjarrit, një Promete që do të çonte nga një gjenerat në tjetrën këtë pishtar. Është në radhën e etërve që skalitën me shpirt e pasion faqet e tyre të historisë, Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, e Shiroka… për të cytur më tej me kolosët Fishta, Konica, Noli, Migjeni e deri në tashmen e hambareve të shpirtit që e dengin pambarim.

Ardhja e Azem Shkrelit në poezinë shqipe, përpos që përputhej me bëhjen e talenti të fuqishëm, kungon sakaq një tjetërçka. Në formën shprehëse shënonte ndryshesë të ngutshme të fjalës dhe muzikalitetit, tempit dhe shkulmit zjarmëtar të gjakut dhe limfës. Shpalon saora një përvojë, një nevojë për tjetërqysh, një vetevete që dilte nga magja e gjenive për të promovuar modernitetin. Feksi një shpirt të shpenguar prej normës. Sillte një zë që kumton një skizëm nga rregulli dhe akademizmat hijerëndë. Frymëmarrja e zorshme e poezisë dhe myku i trashë i mureve të së kahershmes që gulçonte nën peshën e nevojës për çlirim rrëmbëjnë ngulmin e tij. Krejt kjo përpjekje ngadhnjimi do të kthente këtë penë në një ngadhënjim spartan, sprova e solemnitetit të fitores do ta kurorëzonte në katet e naltësimit deri te “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Epilog

Nga arena e garrametshme e teksteve që rrëmojnë në mu ndjenja të hobvshme, prej gjithë sëmbimeve ndaj dhimbjen që më dhëmb më shumë dhe e mbaj në duar si trofe të lojës me të mundshmen e përballjes, nënshtrimin prej një pasioni që m’gëlon s’brendshmi meje. Ajo shklet aty ku më përpush ky hap, prek aty ku me pizat ky ngulm, puth në buzët që cyten prej zjarmisë së dëshirës dhe rrënohen nga honi i pendimit. Është poezia e Azem Shkrelit, ajo që mbetet jo vetëm një zë në jehonën e letrave shqipe që më përshkon, por një e gjithmonshme që struket në nevojën për përjetime të potershme e ndijime ngjethëse. Poezia e tij rrëmon si asnjë parmend tjetër në koren e padurimit për t’u dhënë mish e shpirtë. Ai duke u strukur mes emrave dhe librave të pafund, e gjen rrugën e më qaset duke mbetur me mua dhe në mua si një zë, pëshpërimë, pshërëtimë, kushtrim, dhimbje, plagë, vdekje që ma kthen poetin, në çdo varg, në çdo fjalë. Azem Shkreli dhe poezia e tij, janë akti solemn i krijimit më i epërmi që prehet në ëndjen e një kushtimi vjershëtor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu