Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka komentuar sërish krizën politike në vend, duke dekaruar se shumë shpejt amerikanët do të gjejnë zgjidhje. Ngjela ndalet te mazhoranca, duke thënë se socialistët mund të ia dalin edhe pa Edi Ramën, i cili ikën nga Tirana sa herë ka seanca plenare dhe pret të digjet kryeqyteti. Sipas avokatit, mazhoranca formoi pa Ramën dy institucionet që janë tmerri i deputetëve të korruptuar, KLGJ dhe KLP.
Sa i takon situatës brenda opozitës, Ngjela deklaron se presioni amerikan do të detyrojë kandidatët në listat e PD-LSI të zëvendësojnë ish-deputetët e opozitës, të cilët vendosën të digjnin mandatet. Sipas tij, amerikanët do të hapin letrat dhe do ta quajnë lëvizjen e opozitës për lënien e mandateve si një lëvizje antiperëndimore, ndaj dhe do të eliminojnë në grup të gjithë korruptuarit e PD dhe LSI.
Mesazhi i plotë i Spartak Ngjelës:
Kjo që shohim është një gjendje komike e politikës shqiptare. Opozita dorëzon mandatet dhe largohet nga Parlamenti. Megjithatë, Parlamenti vijon normalisht punën e vet. Perëndimorët janë kundër djegies së mandateve dhe po kërkojnë zëvendësimet e deputetëve të larguar.
Por më qesharakja është fakti që Rama është më i mërzitur se vetë Saliu. Ky kryeministër ikën nga Tirana ditët e seancave parlamentare dhe pret të digjet Tirana. Kaqol. Dhe turp. Po maxhoranca? Kjo shihet se është e vendosur të qëndrojë. Dhe ajo, pa kryetarin e saj, i formoi juridikisht edhe KLGJ edhe KLP. Të dy këta institucione janë tmerri i deputetëve të korruptuar. Por, ja që u ngritën.
l.
I rëndësishmëm do të jetë tani qëndrimi amerikan. Mendimi i politikës perëndimore është që të fillojnë zëvendësimet me deputetët e listave të PD dhe LSI. Kjo duket se mund të ndodhë po të ndërhyjë me forcë edhe politika amerikane. Nën këtë presion kuptohet se zëvendësuesit do të hyjnë në Parlament. Kjo, sepse pritet që politika amerikane të hapë letrat për ta quajtur lëvizjen e opozitës për lënien e mandateve si një lëvizje antiperëndimore. Pas një deklarate të tillë, të gjithë zëvendësuesit kuptohet se nuk mund të mospranojnë mandatet. Ky akt, e mbyll situatën, dhe i eliminon në grup të gjithë të korruptuarit e PD dhe LSI.
ll.
Në fakt Berisha gaboi. Tani ai nuk kthehet dot më në Parlament. Kurse Rama kuptohet se ndërkohë do t’i nënshtrohet fatit të tij brenda Reformës në Drejtësi, sepse nuk e destabilizuan dot Shqipërinë, megjithëse 41 deputetë të Partisë Demokratike “ranë dëshmorë” për kauzën e destabilizimit.
Por, nëse politika amerikanë nuk bën presion, atëherë juridikisht, duhet të ketë zgjedhje të pjesëshme për vakancën parlamentare, dhe kjo do të ishte pastaj një rikrijim politik në Shqipëri. Të shohim.