Shkruan Zef Ndreka
Kështu mund të përmblidhet sot protagonizmi i shumë aktorëve që përpiqen të kapin, të përvetësojnë apo edhe të vjedhin revoltën e qytetarëve dhe studentëve në Tiranë.
Ka shumë grupe dhe shumë fytyra. Ka interesa të ndryshme, shpesh të papajtueshme me njëra-tjetrën. Ka ideologji të kundërta, orientime politike e ndikime fetare të ndryshme. Ka qytetarë që kërkojnë një ndryshim të vërtetë dhe politikanë që duan vetëm të ndërrojnë portat e qeverisë, pa ndryshuar sistemin që ndodhet pas tyre.
Vetëm një gjë duket se i bashkon të gjithë, largimi i Edi Ramës.
Asgjë më shumë. Asgjë më pak.
Pikërisht këtu është edhe problemi.
Largimi i një kryeministri mund të jetë një objektiv politik, por nuk është ende një projekt për Shqipërinë e nesërme. Dhe një revoltë që nuk arrin të përcaktojë se çfarë kërkon të ndërtojë pas rrëzimit të asaj që kundërshton, rrezikon të bëhet pre e atyre që kanë më shumë organizim, struktura dhe përvojë në marrjen e pushtetit.
Në krye të përpjekjeve për ta kapitalizuar politikisht protestën është padyshim Sali Berisha. Ai ka hedhur në aksion foltoristët dhe strukturat e tij, duke kërkuar përmes revoltës edhe zgjatjen e jetës së vet politike. Por paradoksalisht, sa më shumë PD-ja përpiqet ta marrë nën kontroll protestën, aq më shumë rrezikon të minojë karakterin e saj qytetar dhe objektivin e shpallur për ndryshim.
Përpjekjet dhe ndërfutjet e PD-së, përmes Këlliçit dhe strukturave të saj, prania apo angazhimi i aktorëve të tjerë politikë e publikë si Agron Shehajt, Arlind Qorri, Adriatik Lapaj, i ambientalistëve, socialdemokratëve, socialistëve të zhgënjyer, demokratëve pa shpresë, pedagogëve dhe së fundi, deputetes Koçeku, dëshmojnë pikërisht heterogjenitetin e kësaj lëvizjeje.
Të gjithë mund të takohen përkohësisht në një shesh. Por kjo nuk do të thotë se mund të takohen edhe në një projekt politik.
Sot pyetja është:
Çfarë duhet të vijë më pas?
Protesta nuk duhet ndotur nga lufta për protagonizëm, pavarësisht lodhjes së qytetarëve, zhgënjimit të madh shoqëror dhe perceptimit se politika shqiptare është kapur prej establishmentit të 35 viteve të tranzicionit.
Diçka, megjithatë, duket se është thyer.
Është thyer “ashti” i stërzgjatjes së tranzicionit shqiptar.
Një brez i ri po fillon të kuptojë se Shqipëria nuk mund të mbetet pafundësisht vetëm një periferi tregu për Europën dhe më gjerë, një vend që eksporton rininë dhe importon modele konsumi. Shqipëria duhet të synojë të bëhet faktor zhvillimi, sigurie dhe stabiliteti në rajon, përmes një ekonomie konkurruese, institucioneve funksionale, standardeve më të larta demokratike dhe një shteti që nuk e konsideron korrupsionin si mënyrë normale qeverisjeje.
Pikërisht këtu, revolta e vitit 2026 ndodhet përpara provës së saj më të madhe.
Ajo duhet të zgjedhë nëse do të mbetet një revolucion me shumë fytyra, ku secili kërkon të marrë copën e vet të pakënaqësisë, apo do të arrijë të prodhojë një përfaqësim të ri politik dhe qytetar, të dallueshëm nga establishmenti që kundërshton.
Ndoshta ka ardhur momenti që nga ky “konglomerat”, të shfaqet një fytyrë, pa qenë
“pronar” i protestës, jo një lider që kërkon pushtetin për vete apo riciklimin e së shkuarës.
Por të jetë një person me një përfaqësim që të ketë legjitimitetin për ti dhënë revoltës drejtim, program dhe një horizont përtej largimit të Edi Ramës.
Nëse protesta e vitit 2026 përfundon duke zëvendësuar një emër me një emër tjetër, ajo do të ketë ndryshuar qeverinë, por jo historinë.
Nëse përkundrazi, arrin të prodhojë një alternativë të re politike, demokratike dhe institucionale, atëherë mund të bëjë diçka shumë më të madhe, të shembë nga themelet modelin e tranzicionit që lindi në vitet 1990 dhe që në bindjen e shumë shqiptarëve, e shndërroi pluralizmin në një sistem të kontrolluar nga të njëjtat elita.
Vetëm atëherë, 2026-a nuk do të ishte vazhdimi i 1990-ës, por përpjekja për ta mbyllur atë.
Dhe vetëm atëherë “revolucioni me shumë fytyra” mund të gjente më në fund fytyrën e vet.




