Shkruan Zef Ndreka
Albin Kurti nuk mbrohet dot, as me nacionalizëm, as me sulme absurde ndaj lidërve të Kosovës e UÇK-së nga militantë e injorantë ndjekës të tij, që në shumë raste akuzohen të lidhur me struktura të shërbimeve të huaja e veçanërisht atyre të UDB-së.
Albin Kurti ka qënë hapur kundër luftës çlirimtare të Kosovës, kundër marrëveshjes së Rambujesë.
Në të vertetë, Albin Kurtit sot i vjen turp. Ashtu siç u vjen turp një pjese të kosovarëve të ikur turravrap në Amerikë dhe në Europë nga frika e luftës. Atyre iu vjen turp nga historia. Përballë figurave çlirimtare, ato ndjehen, janë dhe do mbetën inferiorë. Ndaj zgjidhjen për të mbajtur pushtetin me çdo formë, e kanë kthyer deri në agresion, ku ditët e fundit u kërcënua me jetë Komandanti Ramush Haradinaj.
Në fakt, ato po arrijnë të pushkatojnë turpin e tyre. Kjo sjellje, iu vjen nga lidhja mes turpit dhe zemërimit që kanë, nga eksternalizimi i fajit që kanë dhe që ndjejnë.
Albin Kurti ka avancuar në eksternalizëm, proçes ky që fajëson dijë tjetër, që rastësisht është gjallë. Kjo sjellje e Kurtit është tipike e mashtruesit për të justifikuar dështimet e tij.
Praktikisht, ky eksternalizëm është përkohësisht i suksesshëm për fat të Kosovës.
Albin Kurti është në panik dhe nuk ka gjasë të ndryshojë.
Albin Kurti nuk mbrohet më me propagandë, sepse debati politik në Kosovë është futur në një fazë të rrezikshme, ku në vend të ballafaqimit me dështimet institucionale, po tentohet të zëvendësohet llogaridhënia përsëri me sjellje nacionaliste, me sulme personale dhe me polarizime të skajshme. Në këtë klimë, Albin Kurti nuk mund të mbrohet më as me flamurin e nacionalizmit dhe as me sulmet ndaj figurave historike, ndaj drejtuesve politikë apo ndaj komandantëve të UÇK-së.
Është fakt historik se Albin Kurti ka kundërshtuar Marrëveshjen e Rambujesë, e cila, pavarësisht debateve që ngjalli, u bë pikënisja e ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit. Pikërisht kjo ndërhyrje i hapi rrugën çlirimit të Kosovës. Dhe pikërisht për këtë arsye, kritikat ndaj qëndrimeve të tij të asaj kohe janë pjesë e debatit politik dhe historik dhe nuk mund të fshihen me propagandë.
Edhe më shqetësues është fakti se në vend të një debati racional, prej disa kohësh është krijuar një klimë agresiviteti ndaj kundërshtarëve politikë me sulme verbale, me fyerje dhe, kërcënime, që janë shenja të degradimit të rrezikshëm të kulturës demokratike.
Ka harruar Albin Kurti se kundërshtari politik nuk është armik që duhet eliminuar, por rival që duhet mundur me argumente dhe me votë.
Nga pikëpamja psikologjike, shpesh ndodh që dështimet të projektohen mbi të tjerët. Ky mekanizëm, i njohur si eksternalizim, shfaqet kur përgjegjësia për gabimet ose mossukseset i atribuohet vazhdimisht faktorëve të jashtëm, faktorëve të tjerë. Kështu, Albin Kurti ka zgjedhur prej vitësh këtë rrugë duke rrezikuar të shmangë reflektimin mbi përgjegjësitë e veta dhe duke thelluar përçarjet politike.
Por Kosova sot ka nevojë për institucione funksionale, ka nevojë për dialog ndërmjet forcave politike dhe për respekt ndaj historisë së saj çlirimtare. Vetëm Kosova humbet kur gjuha e urrejtjes zëvendëson arsyen, kur militantizmi zëvendëson argumentët dhe kur pushteti i Albin Kurtit vendoset mbi interesin shtetëror.
Vetë Kosova është ndërtuar mbi sakrificën e mijëra njerëzve dhe mbi mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë. Historia e saj nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si instrument për të justifikuar dështimet e së tashmes. Albin Kurti si çdo lider politik do të gjykohet jo nga propaganda që ndërton rreth vetes, por nga aftësia për të bashkuar qytetarët, për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe për të respektuar rregullat e demokracisë.
Por Albin Kurti, vazhdon të shohë fajtorët vetëm jashtë vetes dhe jo tek politikat e tij, keshtu që do të jetë e vështirë të ndryshojë kurs. Dhe sa më gjatë të zgjasë kjo logjikë e tij e përplasjes dhe e përjashtimit, më i madh do të jetë dëmi për jetën demokratike dhe për të ardhmen e Republikës së Kosovës.



