Ngushtica e Hormuzit mbetet në qendër të krizës mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa negociatat e ndërmjetësuara nga Omani duket se po shënojnë përparim. Nga Muskat vjen një sinjal pozitiv, me autoritetet që thonë se bisedimet po ecin në drejtimin e duhur.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se ky mund të jetë momenti më i mirë për të arritur një marrëveshje me Uashingtonin dhe për t’i dhënë fund konfliktit. Pezeshkian kërkoi që Irani të dalë nga faza e “as luftë, as paqe”, duke propozuar një kanal të drejtpërdrejtë për trajtimin e shkeljeve të armëpushimit.
Por Teherani paralajmëron se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur nëse Shtetet e Bashkuara nuk ndryshojnë qëndrimin e tyre. Ndërkohë, tensionet po përhapen edhe në Liban, ku një dron izraelit u rrëzua pas një defekti teknik pranë një banese në jug të vendit.
Dy civilë, një grua dhe djali i saj, mbetën të plagosur lehtë dhe u dërguan në spital për trajtim. Në Izrael, sipas mediave vendase, kryeministri Benjamin Netanyahu po shqyrton mundësinë e një sulmi të pavarur kundër Teheranit. Në të njëjtën kohë, Pentagoni thotë se Shtetet e Bashkuara kanë municione të mjaftueshme për të zhvilluar një luftë, duke shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e konfliktit.
Dhe mes diplomacisë së brishtë dhe kërcënimit për përshkallëzim, rikthehet edhe misteri mbi fatin e liderit suprem iranian Mojtaba Khamenei, ndërsa një video e publikuar nga mediat iraniane ngre pikëpyetje nëse pamjet janë të reja apo të arkivuara.



