33 mln euro IPARD përfunduan në hotele e vila

0

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka reaguar pas anulimit të interpelancës së tij në Parlament lidhur me fondet e Bashkimit Europian që, sipas tij, janë abuzuar. Ai deklaron se nuk iu dha mundësia të paraqiste faktet në sallë dhe për këtë arsye vendosi t’i bëjë publike.

“Sapo përmendim fakte dhe emra, na mbyllet mikrofoni në Parlament. Nuk duan të japin llogari. Por atë që nuk më lejuan ta thoja aty, po jua tregoj tani”, shprehet Kapri.

Sipas tij, Bashkimi Europian kërkon kthimin e 33 milionë eurove nga fondet IPARD, të cilat ishin të destinuara për fermerët shqiptarë, por nuk janë përdorur për këtë qëllim.

“Këta janë disa prej atyre përfituesve me lidhje politike që duhet të kthejnë paratë e fermerëve shqiptarë, që në fakt shkuan për ndërtime”, u shpreh ai.

Kapri publikoi disa emra përfituesish, duke dhënë edhe shumat përkatëse. Sipas tij, Elvis Roshi, ish kryetar i Bashkisë së Kavajës, ka përfituar 250 mijë euro nga fondet bujqësore, të cilat duhej të përdoreshin për sera dhe mekanikë bujqësore, por janë përdorur për ndërtim hoteli.

Po ashtu, sipas deputetit, Agim Kola, vëllai i një deputeti të Partisë Socialiste dhe përfitues i tenderave rrugorë, ka marrë 810 mijë euro. Ndërkohë, Ardian Tafa, ish zyrtar i Bashkisë së Tiranës, ka përfituar 410 mijë euro.

Në listë përfshihet edhe ndërtuesi Gjikuria, i cili sipas Kaprit ka marrë 204 mijë euro për restaurim vilash. Ai përmendi gjithashtu Fredi Koroneshin, ish kryetar bashkie në Divjakë, për të cilin tha se ka përfituar 44 mijë euro në emër të bashkëshortes dhe 32 mijë euro në emër të nipit.

“Këta janë disa prej 76 përfituesve të fondeve të BE që duhet të shkonin për fermerët. Këta përfitues duhet t’i kthejnë mbrapsht. Për këtë arsye mbi 190 milionë euro për fermerët shqiptarë vijojnë të jenë të bllokuara në Bruksel”, deklaroi Kapri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu