Shkruan Zef Ndreka
Pyetja “çfarë feje do të jetë personi që do të zëvendësojë Sali Berishën në Partinë Demokratike të Shqipërisë”, është më tepër se një kuriozitet i pafajshëm!
Nuk po merremi aspak me përsonin që bëri enkas këtë pyetje me kontekst të qartë, por duke prekur fort një nerv shumë të ndjeshëm në realitetin shqiptarë. Atë të raportit mes politikës dhe përkatësisë fetare, në Shqipëri, që historikisht e ka ndërtuar identitetin e saj mbi bashkëjetesën dhe jo mbi ndarjet.
Për ta analizuar më tej këtë pyetje shumë problematike dhe provokuese njëkohësisht, dua
së pari të theksoj se vetë kjo pyetje e zhvendos fokusin e zgjedhjes së liderit të PD-së nga meritokracia dhe vlerat politike drejt një elementi që në një shtet laik duhet të jetë krejtësisht privat, që është besimi. Në çdo demokraci që funksionon kriteret për drejtimin e një partie apo të një vendi duhet të lidhen me vizionin, me integritetin, me aftësinë për të udhëhequr e për të bashkuar njerëzit dhe jo me fenë që ai ose ajo praktikon privatisht.
Së dyti, dua të tjeksoj se në mjedisin shqiptarë, në realitetin që ndodhemi, një pyetje e tillë na tingëllon edhe më e rëndë, sepse Shqipëria është një nga rastet më të rralla në botë ku bashkëjetesa fetare nuk është slogan, por një përvojë historike e konsoliduar tashmë. Historia e Shqipërisë na ka treguar shumë figura të rëndësishme heroike dhe të kulturës që kanë ardhur nga besime të ndryshme fetare, por që kanë kontribuar në një identitet të përbashkët kombëtar. Do të mjaftonte të kujtonim simbolikën e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, që i bashkoi gjithë shqiptarët përtej ndasive, apo edhe mesazhin universal të Nënës Teresa, që e ngriti humanizmin mbi çdo përkatësi tjetër.
Dua të theksoj gjithashtu se pyetje të tilla krijojnë terrenin e rrezikshëm për përçarje artificiale. Mund të ndodhë që përdoren edhe për të testuar reagimin publik, për të ndezur debat emocional, ose për të futur gradualisht një logjikë përjashtuese në diskursin politik.
Në vend që të flitet për program, për reforma apo për integrim europian, papritmas vjen diskursi që devijon drejt identiteteve fetare, duke e varfëruar debatin dhe duke e bërë atë më konfliktual.
Gjithsesi, nuk duhet përjashtuar as mundësia që kjo pyetje të jetë një formë e maskuar sulmi apo insinuate ndaj një komuniteti të caktuar, veçanërisht atij katolik. Edhe nëse nuk është qëllimi i drejtpërdrejtë, efekti është i njëjtë, duke krijuar ndjesinë se përkatësia fetare mund të jetë faktor përjashtues apo favorizues në politikë.
Pikërisht, kjo gjë është në kundërshtim të plotë me frymën kushtetuese dhe me traditën shqiptare të harmonisë.
Në këtë analizë të shkurtër, problemi nuk është aspak vetëm tek pyetja e mësipërme, por tek normalizimi i saj. Nuk besoj se shoqëria shqiptare e pranon si të ligjshme e të diskutojë fenë e një lideri politik si kriter, sepse krijohet preçedenti, pra hapet rruga për një politikë identitare që Shqipëria historikisht e ka shmangur me shumë mençuri deri më sot.
Ndaj përgjigjia më e drejtë ndaj kësaj pyetjeje do të ishte refuzimi i vetë premisës së saj, gjë që nuk ndodhi.
Aspak nuk ka rëndësi çfarë feje ka një lider politik. E rëndësishme është ka çfarë vizioni ka për vendin dhe sa i aftë është ta realizojë atë, duke ruajtur unitetin dhe dinjitetin e shoqërisë shqiptare, jo ta përçajë atë siç bëri me PD-në…



