Juristja e ardhur nga Italia, për samitin e Diasporës, kërkon hapësira reale për shqiptarët që jetojnë jashtë, dhe vë në diskutim mënyrën e organizimit të paneleve
Eva Baçi, juriste në Prokurorinë e Bolonjës, duket se i ka prishur skenarin Kryeministrit Edi Rama dhe çdo përfaqësuesi të mazhorancës socialiste, që Samitin e Diasporës që po zhvillon punimet në Tiranë, e kthyen në një konferencë ku oratorët i Thurin lavde Qeverisë.
Ndoshta duke parë atë që po ndodhte me panelet, ku nuk mungonin vlerësimet për Qeverinë, Baçi ka ndërhyrë nga vendi duke dhënë një tjetër panoramë, duke evidentuar mungesën e mbështetjes për shqiptarët që jetojnë jashtë, por edhe dyert e mbyllura që ato ndeshin, sa herë që duan të vijnë në Shqipëri, për të dhënë kontributet e tyre.
Por jo vetëm kaq, juristja ka nxjerrë zbuluar organizatorët e Samitit, që kanë përzgjedhur si oratorë vetëm personazhe politike apo të lidhur me Partinë Socialiste, duke mos lejuar kështu dhënien e mendimeve nga emigrantët
”Dëshira për t’u kthyer në Shqipëri është shumë e madhe, ndaj marrim pjesë në Samite sepse presim një dritare te hapur nga toka mëmë, për t’u kthyer, që të na hapë derën. Skenari është shkruar shumë bukur, si ai regjisori që shkruan shumë bukur, dëgjojmë narativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është Diaspora. Ky është Samiti i Diasporës. Mendoj se përveç hapjes që fjala duhet t’u jepet ministrit, kryeministrit dhe presidentit, aktorët kryesorë jemi ne. Unë doja që të bëja një diskutim dhe nuk m’u dha e drejta e fjalës. Duhet t’i mbarojmë këto filmat e bukur, që ne vetëm të dëgjojmë.
Unë kam mbaruar 3 fakultete në Bolonjë, kam dy specializime. Kemi kërkuar shumë herë, që të hyjmë të japim kontributin tonë. Unë punoj 14 orë në Itali, por mund të punoj 20 orë për Shqipërinë. Unë nuk kam vend ku të flas, dua të shpreh atë që kam, sepse përndryshe ne ngelemi vetëm numra. Unë nuk mund të pres biletën të vij që andej për të qenë një numër. Unë kam ngelur shumë keq dje, kur u dhanë çmimet. Në krahun tim është njëri nga sipërmarresit shqiptarët që i jep punë 350 familje dhe ju nuk i dhatë një çmim, Astrit Poti.
Ju jeni larg realitetit, flas për politikanët, jeni larg realitetit, nuk jeni afër me ne. Jemi pa përkrahje dhe kur nuk të përkrah shteti yt, kur ti nuk jep kontribut në shtetin tënd. Unë për Italinë jam më e përgatitura, por jam thjesht e huaj. Ne duam të kthehemi në vendin tonë. Këto panelet e ndara nuk janë mirë. Ne aktorët kryesore duhet të flasim, të sjellim problemet.
Jo të dëgjojmë politikanët, narrativa është shumë e bukur, por ju nuk e keni idenë cfarë do të thotë sakrifica, pa asnjë përkrahje dhe asnjë ndihmë. Hapni dyert, sepse Shqipërisë nuk i mungon truri. i keni mbyllur dyert, të gjitha personave që janë të përgatitur. Kam edhe shumë gjera, por po të më jepet mundësia unë diskutimin e kisha përgatitur. Zoti Taulant Balla, je i pari që je shumë larg realitetit. Votën mund ta kalosh edhe 4 vite të tjera, por në histori duhet të lesh një emër. Jo vetëm të vidhni dhe të siguroni njerëzit tuaj”, tha Baçi.
Ajo theksoi se shumë profesionistë shqiptarë jashtë vendit ndihen të papërfaqësuar dhe pa mbështetje nga institucionet shqiptare. Sipas saj, diaspora vazhdon të trajtohet më shumë si statistikë sesa si një burim konkret për zhvillimin e vendit.
Në fund, ajo kërkoi që emigrantëve t’u jepet rol aktiv në diskutime dhe të krijohen mundësi reale për kontribut në Shqipëri.
Herë pas here, fjala e juristes është tentuar të ndërpritet nga një prej prezantuesve, por pa arritur që t’i heqë mikrofonin.



