Një grup të rinjsh, anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike kanë organizuar një protest ditën e sotme në Surrel të Tiranës, pranë banesës së kryeministrit Edi Rama.
Në thirrjet e tyre, kërkohej dorëheqja e tij nga post ii kryeministrit, duke e akuzuar sit ë përfshirë në korruptimin e ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
“Faktet dolën, jep dorëheqjen”- shkruhet në njërën prej pankartave që protestuesit mbanin në duar së bashku me disa foto ku shfaqet kryeministri Edi Rama dhe ish shefi i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal.
Ata kanë bërë thirrje që qytetarët t’u bashkohen në protestën e 11 shkurtit të njoftuar nga ish kryeministri Sali Berisha ku do të kërkohet dorëheqja e Ramës.
“Jemi këtu për t’i kthyer vizitën kryeministrit Edi Rama. Ai ka futur duart në xhepat e qytetarëve dhe ka hyrë brenda shtëpive tona. Ka tentuar të asgjësojë të gjithë zërat kundër tij për të mbajtur pushtetin e një autokrati. ne jemi këtu dhe këtu do qëndrojmë çdo ditë. Një pikënisje dhe një thirrje për qytetarët që të na bashkohen më 11 shkurt. Ne jemi këtu, qytetarët shqiptarë janë këtu. Do jemi në mbështetje të çdo kauze qytetare. Ne mendojmë se Rama nuk meriton më të jetë në postin e kryeministrit. Ai ka tentuar asgjësimin e opozitës shqiptare. Ne nuk e duam më kryeministër”- u shpreh njëri prej të rinjve.
Ditë më parë, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha njoftoi 11 shkurtin si datë proteste ku do të kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Në një takim me drejtuesit e Rithemeleimit në degë të ndryshme ai bëri thirrje që të ketë edhe revolta para dhe pas 11 shkurtit.