Ish-Presidenti Donald Trump filloi fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 me një ndalesë të shtunën në Nju Hempshër, përpara se të vazhdonte drejt Karolinës së Jugut. Vizitat e tij në këto dy shtete, që organizojnë votimet më të hershme, shënojnë aktivitetet e para të fushatës elektorale që kur ai njoftoi kandidimin mbi dy muaj më parë.
“Po fillojmë. Po ia fillojmë nga këtu si kandidat për president”, u tha ai drejtuesve të Partisë Republikane të mbledhur në takimin vjetor në Nju Hempshër, përpara se të ndalej në orët e vona të pasdites në Kolumbia, për të prezantuar ekipin e tij drejtues në shtetin e Karolinës së Jugut. “Jam më i zemëruar tashmë dhe jam më i përkushtuar tani se ç’kam qenë ndonjëherë”.
Në këto dy shtete zhvillohen dy nga tre garat e para për emërimin brenda partisë, duke u dhënë atyre fuqi të jashtëzakonshme në përzgjedhjen e kandidatit.
Ish-Presidenti Trump dhe aleatët e tij shpresojnë se zhvillimet do të ofrojnë një demonstrim force në mbështetje të ish-presidentit, pas një nisjeje të vakët në fillimet e fushatës që krijoi pikëpyetje për angazhimin e tij për të rikandiduar. Gjatë javëve të fundit, mbështetësit e tij kanë kontaktuar zyrtarët politikë dhe ata të zgjedhur për të siguruar mbështetje për zotin Trump në një moment jetik kur republikanë të tjerë po përgatiten për të kandiduar.
“Starti u dha dhe sezoni i fushatës ka filluar”, tha Stephen Stepanek, kryetari në largim i Partisë Republikane në Nju Hempshër. Ish-Presidenti Trump njoftoi se zoti Stepanek do të shërbejë si këshilltari i tij i lartë për fushatën në këtë shtet.
Megjithëse ish-Presidenti Trump mbetet kandidati i vetëm i deklaruar për zgjedhjet presidenciale 2024, sfidantë të tjerë të mundshëm, ndër ta Guvernatori i Floridas Ron DeSantis, ish-Nënpresidenti Mike Pence dhe ish-Guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley që shërbeu si ambasadore në OKB gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, pritet të fillojnë fushatat e tyre elektorale gjatë muajve të ardhshëm.
Në Karolinën e Jugut, Guvernatori Henry McMaster, Senatori Lindsey Graham dhe disa ligjvënës nga ky shtet pritet të marrin pjesë në aktivitetin e së shtunës. Por ekipi i fushatës së zotit Trump ka hasur në vështirësi në sigurimin e mbështetjes së anëtarëve të legjislativit të këtij shteti, madje edhe nga disa prej tyre që e mbështetën atë me zell gjatë kandidimeve të mëparshme.
Disa thonë se me mbi një vit deri në votimet paraprake, është tepër herët për të shprehur mbështetjen, apo se disa po presin të shohin se kush tjetër do të hyjë në garë. Të tjerë kanë thënë se është koha që partia ta tejkalojë zotin Trump, duke u orientuar drejt një gjenerate të re drejtuesish.
Përfaqësuesi republikan në legjislativin e këtij shteti, RJ May, nënkryetar i Grupit të Lirisë në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Karolina e Jugut, tha se nuk do të marrë pjesë në aktivitetin e zotit Trump, pasi është përqëndruar në betejën legjislative të grupit të tij brenda grupit të Partisë Republikane. Ai sinjalizoi se është i hapur ndaj kandidatëve të tjerë në garën presidenciale 2024.
“Mendoj se do të kemi një listë shumë të fortë kandidatësh këtu në Karolinën e Jugut”, tha zoti May, i cili votoi për ish-Presidentin Trump në vitin 2016 dhe 2020. Ai shtoi se “me 100% do të pranoja një Donald Trump përkundër një Joe Biden-i”.
Dave Wilson, president i OJQ-së konservatore të krishterë “Palmetto Family”, tha se disa votues konservatorë mund të kenë shqetësime për komentet rishtazi të ish-Presidentit Trump se republikanët që kundërshtojnë të drejtën e abortit mund t’i kenë kushtuar partisë humbjen në zgjedhjet e nëntorit.
“I bën të mendohen disa njerëz brenda radhëve konservatore të Partisë Republikane nëse duhet ta lënë procesin të marrë rrjedhë vetë, apo jo”, tha zoti Wilson. Organizata e tij bëri një aktivitet në vitin 2021 ku foli ish-Nënpresidenti Pence. Ai shtoi se “duhet të vazhdojnë ta fitojnë votën vetë. Asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë”.
Duke pranuar se zoti Trump “bëri disa gjëra fenomenale kur ishte president”, si p.sh. sigurimin e një shumice konservatore në Gjykatën e Lartë, zoti Wilson tha se votuesit republikanë në Karolinën e Jugut mund të duan “një kandidat që mund të jetë flamurtari jo vetëm për tani, por që do të krijonte inercinë e vazhdueshme në mbarë Amerikën për konservatorizmin gjatë disa dekadave të ardhshme”.
Por, Gerri McDaniel, e cila punoi për fushatën elektorale Trump 2016 dhe e cila do të marrë pjesë në aktivitetin e së shtunës, e hedh poshtë idenë se votuesit janë të gatshëm të shohin përtej ish-presidentit.
“Disa nga mediat thonë se ai po vazhdon të humbasë mbështetje. Jo, ai nuk po e humbet”, tha ajo. “Do të jetë thjesht më e madhe se ç’ishte më parë, pasi ka kaq shumë njerëz që janë të zemëruar me ato që po ndodhin në Uashington”.
Aktiviteti që do të mbahet në një godinë qeveritare në Karolinën e Jugut, me praninë e zyrtarëve të zgjedhur, është në shumë mënyra jo në përputhje me imazhin e një ish-protagonisti të shfaqjeve televizive që zakonisht parapëlqen tubimet e mëdha dhe që është përpjekur të kultivojë imazhin e një të ardhuri nga jashtë politikës. Por, realiteti është se zoti Trump është një ish-president që kërkon të rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë duke nxjerrë në pah dallimet mes periudhës kur ai ishte në detyrë dhe administratës së tanishme.
Tubimet janë gjithashtu me kosto të lartë, dhe ish-Presidenti Trump i shtoi sfidat financiare kur vendosi ta fillonte fushatën e tij në nëntor – shumë më herët nga ç’kishin sugjeruar shumë nga aleatët e tij. Kjo e vendosi atë nën detyrimin për të zbatuar rregullat e rrepta për mbledhjen e fondeve dhe ia ndaloi vënien në përdorim të organizatës së tij të mirëfinancuar politike për aktivitete të tilla, që mund të arrijnë kosto prej disa miliona dollarësh.
Zyrtarët mendojnë se zoti Trump do të flasë në sallën e katit të dytë të godinës qeveritare, një zonë kjo pompoze ceremoniale e gjendur mes sallës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit.
Në këtë vend janë shpalosur disa nga momentet më të dukshme politike të Karolinës së Jugut, përfshirë nënshkrimin nga zonja Haley në vitin 2015 të një ligji për të hequr flamurin e Konfederatës nga territori i godinës qeveritare, si dhe nënshkrimin nga zoti McMaster në vitin 2021 të ligjit për ndalimin e abortit në këtë shtet pas gjashtë javëve të para të shtatëzanisë. Gjykata e Lartë e këtij shteti e shpalli rishtazi anti-kushtetues këtë ligj, dhe zoti McMaster është zotuar të përpiqet për një rishqyrtim.
Fushata fillestare e ish-Presidentit Trump ka ngjallur tashmë debate, në veçanti pasi ai darkoi me nacionalistin e bardhë, që mohon ekzistencën e Holokaustit, Nick Fuentes, si dhe reperin e njohur më parë me emrin Kanye West, i cili pati bërë një seri komentesh anti-semite. U shndërruan gjithashtu në objekt humori një seri kartash tregtimi dixhital që zoti Trump pati nxjerrë në shitje, ku ai paraqitej ndër të tjera si një superhero, si kaubojs dhe si astronaut.
Njëkohësisht ai vazhdon të jetë objekt i disa hetimeve penale, përshirë për zbulimin e qindra dokumentave të klasifikuara në pronën e tij në Florida, si dhe nëse pengoi drejtësinë duke refuzuar t’i dorëzojë ato. Ai gjithashtu po hetohet në nivel federal dhe shtetëror për përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, kur ai humbi përballë demokratit Joe Biden.
Sidoqoftë, ish-Presidenti Trump mbetet i vetmi kandidat i shpallur për vitin 2024, dhe anketimet fillestare tregojnë se ai është favoriti për të fituar nominimin e partisë së tij për të kandiduar për president.
Zoti Stepanek, i cili ishte i detyruar të qëndronte neutral deri në përfundimin e mandatit të tij si kryetar i partisë në Nju Hempshër, që përfundoi gjatë takimit të së shtunës, minimizoi rëndësinë e një fillimi të ngadaltë për zotin Trump, për të cilën zyrtarët e fushatës elektorale thonë se përkon me kohën e harxhuar për krijimin e një infrastrukture për fushatën në nivel kombëtar.
Në Nju Hempshër, tha ai, “nuk ka patur shumë pritshmëri, apo ngazëllim” për rizgjedhjen e zotit Trump. Ai tha se ndjekësit më besnikë të zotit Trump vazhdojnë ta mbështesin.
“Ka shumë njerëz që nuk ishin me të në 2015, në 2016, dhe që pastaj u bënë mbështetës dhe në vazhdim kundërshtarë”, tha zoti Stepanek. “Por njerëzit që e mbështetën në Nju Hempshër, që e shtynë drejt fitores së tij në vitin 2016 në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, ata janë ende aty, duke pritur presidentin”./VOA