Tabulatet / Telefonatat e Fatmir Mediut me Shkëlzenin, Frangajn e Hysenbelliun pas shpërthimit të Gërdecit. Rrezikon 15 vite burg

0

SPAK ka marrë të pandehur Fatmir Mediun për Gërdecin. Mediu, i cili rrezikon deri në 15 vite burg, tha sot se nuk ka pasur asnjëlloj kontakti me firmën amerikane që merrej me demontimin.

Në fakt, Mediu nuk kishte arsye që të kishte kontakte as me firmëm amerikane dhe as me Deliorgjin.

Mediu kishte lidhje me Shkëlzen Berishën, i cili ishte përfaqësues tek pushteti i dy kompanive.

Shkëlzeni e ka takuar Mediun mbi 40 herë duke e udhëzuar që të bëjë letrat. Shkëlzeni kishte lidhje me Mihal Deliorgjin që do të përgatiste infrastrukturën për biznesin e vdekjes, si dhe me Rrahman Selmanllarin, i cili ishte përfaqësues i kompanisë amerikane që do të bënte demontimin.

Vetëm pak orë pas shpërthimit të tmerrshëm në Gërdec, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Fatmir Mediun ka biseduar disa herë në telefon me Shkëlzen Berishën, djalin e ish kryeministrit Berisha. Këtë e tregojnë tabulatet.

Konkretisht, ditën e 15 marsit 2008, Mediu ka bërë mjaft telefonata me politikanë të ndryshëm dhe persona të tjerë.

Ish-ministri i Mbrojtjes ka biseduar disa herë me Shkëlzenin. Telefonata e parë është regjistruar në orën 2.08 minuta dhe ka zgjatuar 74 sekonda; pra bëhet fjalë për një komunikim vetëm 2 orë pas shpërthimit në Gërdec.

Më pas, në orën 4.31 minuta, Mediu ka folur 37 sekonda me djalin e kryeministrit. 10 minuta më pas ka folur përsëri 32 sekonda.

Herën e fundit, ata kanë biseduar për 56 sekonda në orën 5 të pasdites.

Ajo që është biseduar mes tyre, ndoshta nuk do të zbardhet kurrë.

Duhet evidentuar se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i ka telefonuar plot 26 herë Shkëlzen Berishës në 6-mujorin e parë të vitit 2008. Këtu nuk llogariten rastet kur vetë Shkëlzeni mund t’i ketë telefonuar Mediut.

Mediu ka komunikuar edhe me Eduard Frangajn dhe Artur Hysenbelliun.

Në ditën e shpërthimit të Gërdecit, ish-ministri Mediu ka folur me mjaft zyrtarë të lartë që nga kryeministri e deri tek deputetë të thjeshtë të PD-së.

Në orën 12:17 minuta ai ka folur me kryeministrin Berisha në një komunikim që nuk ka zgjatur me shumë se 12 sekonda.

Më pas, ai i ka telefonuar komandantit të Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, me sa duket për t’u informuar më në detaje për ngjarjen e rëndë.

Ai ka komunikuar disa herë me Berishën dhe Spahiun, por edhe me shumë persona të tjerë mes të cilëve, ish-zv/kryeministrin Gazmend Oketa, Astrit Patozin, Genc Rulin e Bujar Leskajn.

Ajo që bie në sy është se ministri i atëhershëm i Mbrojtjes nuk ka komunikuar asnjëherë në telefon me ish-shefin e shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha.

Të gjitha kontaktet ai i ka mbajtur me gjeneral Shpëtim Spahiun. Në kuadër të hetimit për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit dhe aferave të armëve, Prokuroria ka sekuestruar tabulatet telefonike të krerëve më të lartë të ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, MEICO-s dhe personave të lidhur me ta: administratorit të “Albademil”, Mihal Delijorgji, drejtorit të fabrikës, Dritan Minxolli dhe personave të afërt me ta.

Janë rreth 200 mijë telefonata që janë kryer nga 1 janari i vitit 2006 deri në gusht të 2008-s, të cilat kanë lidhje me Gërdecin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu