Nga karantina e Corona- Virusit, në karantinën e Corona- Vetting-ut

0

A ju bie në sy fakti se nuk po zihen fare Presidenti me qeverinë, as opozita me qeverinë, as (OFL), Organizata Forca e Ligjit nuk po ndihet, a është e gjallë, apo e ka ngrënë miu kinez?Një sy i vëmëndshëm vëren se shumë shpresa po i shuhen shqiptarëve, shumë dritë drejtësie po venitet, jo nga coronavirusi, por nga frika e ndëshkimit për mëkatet të mëkatarëve. Se mëkati dhe shteti janë një, se shteti dhe politika janë një, se qeverisjet dhe opozitat gjithmonë këtu kanë qënë një, se në 28 vjet kanë qënë një për të gjithë e të gjithë për një.

Shkruan Sokol Pepushaj

Një këngë e bukur jona thotë: N’ato maja rripa-rripa, njëherë ma hipe e një here ta hipa…

E shihni si janë bashkuar të tërë, me pozitë e opozitë, me president e media, me shoqata e shoqëri civile, me komitete e komunitete, me gjithfarësh që janë gati të lëpijnë një kockë.

Po ç’po bën kjo lukuni e pangishme?

Thjeshtë, po vjedhin e po terrorizojnë njerëzit e thjeshtë, fukarenjtë, barkthatët, kokëpalarët, duke u dhëne nga pak makarona e oriz, pak miell e sheqer, pak sapun e kripë, shoqëruar me shumë frikë, shoqëruar me masa të egra, diktatoriale madje, si askerkund tjetër në botë.

Kjo është shumë e dukshme. Përpiqen t’i shtypin sa më egërsisht skllevërit, që nesër, pas Corona- Virusit, t’u meket zëri e të mos kenë kërçik të kërkojnë të funksionojë izolimi, ose e thënë me sportivitet, karantina për Corona- Vetting-un.

Se pasuritë e mëdha nuk fshehen. Nuk fshehen ndërtimet ne Kodrën e Diellit, në Gjirin e Lalzit, në Surrel, nga Vermoshi në Konispol. Gjithkush di gjithçka. Nuk fshihet jeta luksoze e komshisë, nuk fshihen bizneset e makinat e shtrenjta të komshisë, llogaritë bankare dhe bakshishet bamirëse të komshisë, madje as paratë e mbartura drejt perëndimit, ku shumë hajdutë kanë transferuar shuma marramëndëse, duke siguruar edhe dokumente atje, nuk fshihen. Se një fshat i vogël jemi ne dhe e dimë edhe sa lugë kishte komshiu ynë para se të bëhej socialistas, demokratas, leseist apo edhe cub i njërës nga partiçkat paterica pushtetesh.

Kështu pra, sapo kishte nisur të çërmohet kjo ngastër që qelb ngado, bash sapo ishte detyrim hetimi i pasurisë së Ilir Metës dhe Sali Berishës, dhe bash atë moment që Edi Rama nuk mund t’i mbronte më, duke luajtur kukafshehtas mes popullit shqiptar e perëndimit, na trokiti në prag Coronavirusi.

Nga ky Coronavirusi tërë bota u stopua, mori kosto e përgjegjësi përsipër. U gjet madje edhe ai “filli” i hollë që lidh fort veprime e interesa në respekt të kësaj jete e që në kohë paqeje as nuk preket, as nuk shihet.

Mortja e “ftohtë”, në të vërtetë i skërmit dhëmbët për të gjithë njëlloj, por frika dhe masat ndaj saj janë krejt të ndryshme.

Janë liderët që po orientojnë jetët dhe ekonomitë e popujve të tyre, secili sipas platformës së vet.

Kudo në glob, ka tension, por ka edhe shpresë. Problemet ekonomike janë zgjidhur. Si janë zgjidhur, asnjë populli në botë nuk i intereson, përveç shqiptarëve. Këtej, rri tërë ditën nëpër televizione kryeministri duke “qarë” hall se ku t’i marrë paratë e ca përralla që për asnjë popull nuk funksionojnë.

Madje kjo është gomarllëk. Liderët janë në drejtim për të grumbulluar taksa në kohë të mira e për të drejtuar popuj po mire edhe në kohë jo të mira, jo për të marrë taksa dhe në raste emergjente të kërkojë kryeministri para!

Po cili lider sot në Botë doli dhe ju ankua popullit të tij, përveç tonit, po cili lider shpërndau para më pak se ky joni në këtë kohë pandemie, po cili lider në Botë është më i pasur se ky joni apo cili e la më fukara popullin e vet se ky joni?

Pyetje mund të kesh sa të duash, po një përgjigje do duhej për njërën nga më të thjeshtat: Cili popull është më punëtor se i joni, pasi vetëm në Itali kemi mbi 27 000 biznesmenë të sukseshëm shqiptarë që fitojnë, edhe punëtorët e tyre, rrogë disa here më të lartë se kryeministri ynë, e nuk kanë as vila, as saraje.

Kjo pyetje i bën sot karshillek asaj shprehjes se Shqipëria ka punë, po nuk ka punëtorë!

Më shumë shëmbuj, më shumë argument?

Ok. Këtu, komshinj me ne, në Greqi, çdo person që ka një numër pune, pra që është i punësuar, përfiton 800 euro në muaj.

Tërë bota kështu dhe më mirë se kështu, veç nesh që marrim këshilla “laj duar me sapun, dil në dritare, ha njëherë në ditë se kohë lufte është, ço sytë nga qielli, shiko TV, sidomos kur flet shpëtimtari, kryeministri pra”. Po jo vetëm këshilla. Jemi të parët në Botë edhe për masa ndëshkuese. Këto vijnë, pa ju tharë plagët e 50 viteve enveriane popullit të shumë shtypur.

Po rritet gradacioni antidemokratik, se kishte rënë dukshëm nga revolta studentore e viteve 90’, të cilën e shtypën po diktatorët në pak vite.

Kemi të gjobitur me shuma sa nuk i kursejnë as për një vit, këmbësorë që ecën në rrugë, qytetarë e fshatarë, kemi të burgosur shoferë, kemi të sekuestruar automjete e vlera të medha materiale, kemi të dhunuar fëmijë e pleq vetëm se guxuan të dalin jashtë banese pa leje të “kryeministrit”, për të blerë një cope bukë, se nuk kishte kush ua sjell në shtëpi, dhe nuk kishin as internet të flasin me sejmenët e Edi Ramës!

Gjithë këto veprime të liga sa nuk ka më, liderët e pushtetit dhe politikës, po përpiqen t’i tundin si medalione lufte.

Po po, se lufta ka edhe medalje.

Secili prej tyre, Kryeministri, Presidenti, Shefi i opozitës, Kryetarja e LSI qe gjithmonë qëndron gurçe nëpër situata të nxehta, njefarë opozite e krijuar nga një substancë e paemër në historinë botërore të politikbërjes, ku as ka zyra as parti, por ka deputetë nga mbetjet e listave të një ish partie të vetëlarguar nga “ringu”, kanë mbërthyer nga një “shkop” në dorë dhe me formate perverse, me propagandë komuniste populiste, i fryjnë “zymares në një melodi:

Një pakicë e vogël e popullit do rrijë në izolim, ndërkohë që do qarkullojnë gjithë zyrtarët, gjithë ata që u jep leje shteti, gjithë pushtetarët, politikanët, policët, ushtarakët, gjithë grupet që kërkojnë fukarenj që pasi u kanë vjedhur djersën për 28 vjet, i detyrojnë të duartrokasin, se u çojnë nga 4 deri 5 dollar ushqim në banesë!

Është kjo një simfoni e dirigjuar pikërisht nga hajdutët, që shtiren sikur orientojnë drejt interesat jetike të popullit të vet. Këta janë aq mjeshtra, sa demagogjitë i veshin me kostum tjeter dhe ua shesin budallenjve barkthatë për vlera e punë të mira.

A ju bie në sy fakti se nuk po zihen fare Presidenti me qeverinë, as opozita me qeverinë, as (OFL), Organizata Forca e Ligjit nuk po ndihet, a është e gjallë, apo e ka ngrënë miu kinez?

Një sy i vëmëndshëm vëren se shumë shpresa po i shuhen shqiptarëve, shumë dritë drejtësie po venitet, jo nga coronavirusi, por nga frika e ndëshkimit për mëkatet të mëkatarëve. Se mëkati dhe shteti janë një, se shteti dhe politika janë një, se qeverisjet dhe opozitat gjithmonë këtu kanë qënë një, se në 28 vjet kanë qënë një për të gjithë e të gjithë për një.

Kanë mëkatuar bashkë të gjithë pra, kanë vënë pasuri bashkë të gjithë pra, kanë biznese e pushtet bashkë të gjithë, janë në një mëndje ta nënshtrojnë me metoda komuniste këtë popull të lodhur, të gjithë.

Por jeta ecën. Do ndërrohen portat tashmë.

Do dalin të lirë fukarenjtë, kokëpalarit, do zgjidhen skllevërit e do izolohen hajdutët, kriminelët, mëkatarët që kanë thithë gjak e djersë shqiptarësh, duke fryrë plëncin e vet e duke nxjerrë kunjin me shtresat e varfëra shoqërore, pa asnjë pengesë, në 28 vitet e fundit.

Po po, po ikën Corona- Virusi, po vjen Corona- Vetingu!

Marrë nga Pamfleti.net

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu