Njoftim i çuditshëm i Ministrisë së Shëndetësisë: I moshuari në Shkodër ishte i trajtuar dhe me Coronavirus, por nuk vdiq nga Coronavirusi!

0
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar në media se një person i cili ishte testuar pozitiv me koronavirusin e ri, ka humbur jetën. Në një njoftim të çuditshëm, MSH bën me dije se i moshuari 85-vjeçar me inicialet E.L. i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër, nuk ka humbur jetën si pasojë e COVID-19, edhe pse ishte i infektuar.

“I moshuari, i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme. 85-vjeçari ka qenë bartës i COVID-19, i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes. 85-vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes, i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe siguron opinionin publik se do të informojë për situatën, sikundër ka bërë deri tani. Sqarojmë edhe një herë se 85-vjeçari, nuk është viktimë e COVID19 në Shqipëri”, thuhet në një njoftim. Ky është sqarimi që sipas ministrisë, rasti nuk llogaritet në statistikat zyrtare.

Njoftimi në fakt mund të cilësohet i çuditshëm nisur nga komunikimet e mëparshme të Ministrisë së Shëndetësisë për çështje të ngjashme. Thuajse gjithnjë në kësi komunikimesh, MSH ka informuar për pacientë “të konfirmuar me COVID-19” të cilët humbin jetën dhe jo “pacientë që humbin jetën nga COVID-19”.
Njoftimi i djeshëm i MSH, ku informon për një të moshuar “me COVID” që ka humbur jetën (jo që ka humbur jetë për shkak të COVID-19),e  megjithatë e klasifikon si viktima e 23 me COVID-19 në Shqipëri.

Komunikime të tilla evazive nga ana e ministrisë, duke përdorur kritere jo të qarta, ose të paktën të pasqaruara për llogaritjen e numrit të personave pozitivë me COVID-19 që kanë humbur jetën, ngrenë dyshime se akuzat e bëra nga opozita, e veçanërisht ish-kryeministri Sali Berisha se shifrat reale të personave të infektuar me koronavirusin e ri po fshihen, janë më shumë se sulme politike…

/BoldNews.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu