Kandidatja e listës së hapur të PD-së për Tiranën Jorida Tabaku tha mbrëmjen e sotme se raporti i OSBE/ODIHR i rrëzoi zgjedhjet.
Ajo komentoi deklaratat e eurodeputetit gjerman Michael Gahler, teksa theksoi se policia e SPAK nuk kanë në lartësinë e detyrës ditën e zgjedhjeve duke përmendur rastin e përplasjes në Vorë.
E ftuar në Syri Tv, Tabaku tha se Shqipëria duhet të mbajë përgjegjësi për zgjedhjet që mbahen këtu pasi OSBE/ODIHR nuk është polici i zgjedhjeve.
“Në momentin kur të hapen negociata dhe ti ke një grup kapitujsh të parë që duhet të plotësosh detyrimet, zgjedhjet janë gurëthemeli i pare. Ose duhet të kesh vullnetin politik për të bërë zgjedhjet, dhe për të pasur avancim në procesin e integrimit, ose thuaj se unë do mbetem përjetë këtu dhe për mua ka më shumë rëndësi pushteti se, sa çdo lloj procesi tjetër, edhe demokracia në vetvete. Raporti i OSBE-ODIHR, i rrëzon zgjedhjet, është një raport i cili ngre shqetësime të cilat janë reale.
Ajo që ndodhi në Vorë dje, me intimidimin e votuesve, grupet kriminale të përfshira, ka bërë që nga ai moment në orën 12 e deri në fund të ditës, njerëzit të mos shkonin të votonin dhe kryesisht ishin përfaqësues të opozitës dekurajoheshin. Ajo që ka ndodhur në Vorë është shembulli se si bëhen zgjedhjet në Shqipëri. Për OSBE-ODIHR këto nuk janë problematika të reja, këto i paralajmëroi opozita dhe në dëgjesë, i paralajmëroi dhe në takime të ndryshme, kudo ku ka pasur zë opozita. OSBE-ODIHR nuk është polici i zgjedhjeve, ne jemi shtet sovran, menaxhojmë vetë procesin zgjedhor, por duhet të mbajmë vetë dhe përgjegjësitë.” – tha Tabaku.