Naxhi Bakalli artist e njeri i mirë…

0
Shkruan Zef Ndreka
( pjesa e parë )
KURTHA ( I )
Në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë pati një lirim apo zgjim të artit dhe kulturës, paralel me kthimin e dhunshëm të Shqipnisë në një vend ateist ( ndoshta një lëshim për shkak të kësaj të dytës ).
Kjo periudhe zgjati afërsisht deri në vitin 1974, viti i “shkuljes” së kësaj bime të sapo mbirë…!
Ky qe një kurth, që regjimi e ngriti pikërisht për ti ndarë ata që do të dilnin si kultivues të “degjenerimit” borgjez.
Kjo ” rrasë zogjsh” ra dhunshëm duke zënë brenda shumë artistë e shkrimtarë të talentuar. Dënimi i tyre procedoi sipas skemës së revolucionit kulturor kinez: disa u burgosën, të tjerë u internuan, disa “me iniciativën” e tyre u dërguan pranë popullit për “riedukim”.
Pra,duhej prishur çerdhja “liberale” dhe ata do të shkonin të izoloheshin nëpër sektorë të ndryshëm të vendit. Dhe gjithshka shitej si triumf i traditave të popullit tonë për kundër shfaqjeve të huaja “borgjezo – revizioniste”
Pati nga ata “zogj” që kur ra rrasa nuk u shtypën por ama i lanë disa ” pupla”. Ata u mënjanuan dhe jetonin përherë nën vëzhgimin e “gardës revolucionare”.
Syri i saj i lig, kontrollonte çdo lëvizje të tyre.
Është pikërisht viti 1973.
Në këtë atmosferë të pezullt, të zymtë, këmbët e mija u ndalën tek liceu artistik ” Jordan Misja” në Tiranë.
Këtu fillon përqafimi im me artin. Përqafimi i një kërthiu që asgjë nga sa shkuajta më sipër, nuk i kuptoja akoma.
Mua, më ngazëllente gjithshka që shikoja në muret e liceut, muzika që tingëllonte ëmbël nëpër koridoret e gjëra dhe klasat e muzikës. I emocionuar pëqafova këtë parajsë të sapo gjetur. Fillova të njihem me shokë e shoqe dhe pedagogët. Në fillim isha i ndrojtur, pastaj u përfshiva shpejt edhe unë, në prapësitë e moshës. Në vitin e parë punova vrullshëm, sidomos rashë në sy si vizatues.
Mësuesi i parë i grupit ku bëja pjesë ishte prof. Hasan Çapari dhe mësuam mjaft prej tij në akuarel dhe vizatim.
Në vitin e dytë ndërruam disa herë pedagog si Llazar Myzeqari, Jorgji Gjikopulli.
Në mbyllje të këtij viti, pasi bëra një ” prapësi ” u vu në diskutim përjashtimi im nga shkolla ( ose kështu mu tha për të më frikësuar).
Këtu, pikërisht në këtë ngjarje njihem me një njeri që do të ndikonte në jetën time si artist.
Është Naxhi Bakalli.
Ai, ndërhyri në mbledhjen e këshillit pedagogjik në mbrojtjen time. Ai u bë “engjëlli mbrojtës” i imi.
E kush nga ne nuk ka patur nevojë të paktën një herë në jetë për një të tillë bekim ?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu