Shkruan Ndue Pepa
(Rendja drejt së panjohurës)
Të shkruash për artin e Naxhi Bakallit, është së paku një ndërmarrje e vështirë për mua pasi më kompromenton të qënit nxënës i tij.
Unë nuk do të bëj një analizë nisur nga principet e një kritiku të artit, pasi nuk asht një zeje që lëvroj, dhe as që më pëlqen si e tillë.
Do ta shoh veprën e tij me sytë e një krijuesi modest bashkëkohës.
Fjalë të një krijuesi për krijuesin, që për mua janë më të vërteta se ato të një kritiku, kushdoqoftë ai.
– Vizatimi, si art i të gjitha mundësive….
Vizatimi, linjëzimi i frymës asht i lashtë sa vetë njerëzimi, që në shpellat prehistorike e deri më sot. Gjithshka që na sheh syri asht një vizatim në natyrë.
Naxhi Bakalli është padiskutim vizatuesi më i mirë, më impresionues e deri hipnotizues përqark kësaj rrotullie e nuk po them ndonjë të re me këtë pohim.
Për shkak të vëzhgimit të artit të të gjitha kohnave ( vëzhgim i pandërprerë për shtatdhjetë vjet) ai, ka arritur në një linjë perfekte ku mishërohet gjithë përvoja mijavjeçare e linjëzimit të frymës. Ai, së pari, ka bekimin hyjnor me talent.
Mënyra se si vizaton, morfografia poetike, thellësisht poetike e linjëzimit, e bën këtë artist unik ndoshta dhe në botë.
Në skicat e tija më të thjeshta (që vetëm të tilla nuk janë)
shpesh ndjejmë edhe komponentin e ngjyrës. Po, po, vizatimet e tij evokojnë ngjyrë!
Kjo të mahnit, veçanërisht!
Ngjyrat bazë janë pesë, por duke mos i llogaritur të bardhën e të zezën ( që janë tonalitete ekstreme) ngelen tre: e kuqe, e verdhë dhe blu.
Vetëm këto ngjyra duke u ndërmjetësuar me njëra tjetrën bashkë me të bardhën e të zezën, me ndihmën e matematikës hyjnore të natyrës, që e zotëron me patjetër një artist me dhunti të “veçantë, ” mund të japin vibrime energjie të jashtëzakonshme.
Kjo asht e dëshmuar në veprat e artit të mjeshtrave të të gjitha kohnave.
Nga kombinacionet, përftohen qindra nuanca e deri në pafundësi.
Naxhiu asht njohës i thellë i kësaj matematike !
Ai, ka parasysh përfundimin logjik të LEONARDOS…një herë talent e nëntë herë punë!
dhe vetë asht mishërimi i këtij postulat.
Me cilësimin e ungjillit; ” të keqes mos iu përgjigj me të keqe”, ky artist i madh pavarësisht ndalimit që ju bë, nuk rreshti të studionte e realizonte brenda “kullës” së tij të krijimit ndërtuar me mure ciklopike të padepërtueshme nga vala e së keqes.
Dalëngadalë, me durim, kjo kullë u kthye në katedrale me një arkitekturë të mahnitshme, që kush nuk e sheh, duhet të jetë i verbër ose më keq se aq.
Ai, rend edhe sot e kësaj dite, pas shtatëdhjetë vite udhëtim, drejt së panjohurës..!
– Besoj tek e panjohura, që përherë e më shumë bëhet sfiduese, intriguese dhe pse nga njohja, përftohet një komponente më e madhe e saj…nga kjo sfidë e përhershme që artisti ja bën në radhë të parë vetvetes, përfiton kënaqësi dhe i jep kuptim vetë jetës. ( përherësi)
Në ekspozitat e Naxhi Bakallit, nëse kini vënë re, mungojnë peisazhet dhe natyrat e qeta. Por ato nuk mungojnë të inkorporuara nëper tablotë si pjesë e qensishme e tyre. Figurat, “notojnë” në një peisazh kozmik, ato nuk kanë gravitet..! Natyrisht që i njeh në detaje të gjithë elementet e natyrës por ai nuk bën “reportazhe” nga natyra apo ngjarjet e përditshme. Ai nuk përfshihet në ngjarjet kalendarike që ndodhin përditë.
Në veprën e tij, është esencialja tek njerëzit, kjo esenciale që asht e përhershme, e pavdekshme:
dashuria, si e vetmja forcë që mban gjallë qytetërimin e sotëm ! – Ligji absolut i natyrës, mbi të gjitha ligjet e fizikës…do të thoshte në fund të jetës, Ajnshtajni.
Studimi i thellë e me dashuri të pakufishme i traditës sonë popullore, këngë, valle, zakone e kostume, e veçanërisht bukuria e pakrahasueshme e këtyre kostumeve, deri në detajet më të imta, deri në qelizë, e bëri këtë artist, njohës të jashtzakonshëm të gjenisë krijuese të popullit të vet.
Prej kësaj, kemi trashëguar sot, një korpus të mahnitshëm veprash që përveç stilit unik Bakallian, e bëjnë atë thellësisht kombëtare dhe njëkohësisht humaniste.
Figurat, lëvizin në tablo me energji mistike. Edhe kur jenë të ndalura, janë përherë në lëvizje. Gjithshka vibron brenda tablosë, pikturë apo vizatim qoftë.
….shqiptarët kur ecin duket sikur vallzojnë, kostumet e tyre të mahnitshme u japin pamjen e perëndive….thoshte
Bajroni !
Shqiptarët e Naxhiut ma kujtojnë përherë këtë perlë të lordit anglez.
Në pikturat e mjeshtrit trajtohet marrdhënia femër mashkull. I sublimuar duket roli i femrës që merr përparësinë. Si të gjithë artistët e mëdhej ai duket i shenjuar nga Nëna…tablotë e tij kanë poezinë mjeshtërore kushtuar femrës…
Nga vëzhgimet e tija të thella ka kuptuar se arti bizantin, sidomos ai arbër i mesjetës së vonë, me Onufrin, Shpatarakun etj. asht një thesar i pavlerësuar sa duhet.
Kjo, jo si vlerë muzeale por si vlerë artistike, si shkollë arti për studim nga nxënësit.
Ai, vetë i mbyllur në “kullën” e tij krijuese i ka studiuar, natyrisht. Vihen re elementë të atij arti, natyrisht të përkthyera në gjuhën e tij unike që janë bërë pjesë e korpusit të tij krijues.
Bakalli, arrin të krijojë simfoni qoftë në tablotë me format të madh, si dhe në format të vogël. Veprat e tij mund të asociohen me muzikën simfonike ku marrin pjesë shumë instrumenta, ku secili ka diapazonin e tij dhe mjeshtri dirizhon gjithë orkestrën.
Në tablotë e tij çdo cm.katror asht i randësishëm. Këtu, asht unikale ekzigjenca e tij.
Nga tablotë e Mjeshtrit, buron një energji gati mistike.
Ato nuk mund të shihen vetëm një herë !
Sa herë tu kthehesh, aq herë të befasojnë.
Bakalli, i nënshtrohet vetëm frymëzimit !
Nuk lejon që mjetet e realizimit ta tërheqin në lojën e efekteve artificiale për të krijuar “gjetje” nga vetitë fizike apo kimike të materies ( ngjyra apo materiale që krijojnë fraktura të rastësishme )
Në pikturat e tij buron energjia ndaj mjetet e përdorura i bën “zap” për hir të saj.
Për këtë është një klasik i kulluar, por gjuha e tij është thellësisht moderne.
Ndaj, si krijues e jo si kritik arti, jam i bindur se vepra e tij, kjo Katedrale madhështore arbnore do ti rezistojë kohrave, aq sa ky qytetërim të gjallojë.
I hodha këta rreshta gati nxitimthi, për profesorin tim, i vetëdijshëm se kam lanë shumçka pa e thënë.
Për Naxhi Bakallin do të shkruhen me siguri libra voluminozë në të ardhmen.