“Na duhet mandat i pakufizuar kohor”, prokurorët e SPAK-ut letër Kuvendit: Do punojmë më mirë

0

Prokurorët e SPAK-ut kërkojnë zgjatje mandati. Përmes një kërkese zyrtare drejtuar Kuvendit, SPAK kërkon që prokurorët e tij të mos kenë një mandat të kufizuar. Kërkesa e cila mban fimat e të gjithë prokurorëve të SPAK tashmë i është dërguar, Kuvendit, Komisionit të Ligjeve KLP, EURALIUS, OPDAT dhe Ambasades Amerkane, që ata të kenë një mandat të pakufizuar.

Prokurorët kërkojnë mandat të pakufizuar duke argumentuar, se do jenë më të sigurtë në punën e tyre për hetime të botës së krimit dhe politikanëve të korruptuar dhe nuk do e kenë frikën e kërcënimit pasi ti përfundojë mandati.

Sipas Kushtetutës, prokurorët e SPAK kanë një mandat 9 vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi. Në shkresën e dërguar drejt Kuvendit, theksohet fakti që do të ishte e vështirë gjetja e 20 prokurorëve të tjerë me vjetërsi pune duke qenë se numri i tyre në sistem po vinte në rënie.

Kërkesa e SPAK

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar është duke u konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të plotësimit të saj me kapacitetet njerëzore dhe teknike të nevojshme. Rezultatet e saj janë në rritje të vazhdueshme gjë që konfirmohet nga të dhënat statistikore të vitit 2020, por sidomos të vitit 2021 (Janar – Shtator 2021).

Konstatohet rritje e numrit të rasteve të procedimeve penale të regjistruara, rritje e numrit të rasteve të procedimeve penale të dërguar për gjykim, rritje e numrit të rasteve të dënimeve dhe konfiskimeve me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Aktualisht ushtrojnë funksionet 15 prokurorë të Prokurorisë së Posaçme (nga 20 të miratuar nga Kuvendi) dhe 28 hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (nga 60 që është organika e miratuar). Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për 2 prokurorë dhe është në proces përzgjedhje të tyre, ndërkohë është gjithashtu në proces përzgjedhja e grupit të dytë prej 32 hetues të BKH-së.

1. Kushtetuta dhe Ligji nr.95/2016 parashikon që prokurorët e SPAK kanë një mandat 9 vjeçar, pa të drejtë përsëritje. Ndërkohë gjyqtarët e Gjykatës të Posaçme të Shkallës së Parë dhe Gjykatës të Posaçme të Apelit nuk e kanë një kufizim të tillë, po ashtu dhe gjithë prokuroret e tjerë në sistemin e prokurorisë nuk kanë një kufizim të tillë. Një zgjidhje e tille ligjore mendojmë se është e gabuar për disa arsye:

1.1. Domosdoshmëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk mund te kufizohet në kohë. Eksperienca botërore ka treguar se korrupsioni dhe krimi organizuar nuk mund të zhduken, por duhet duhen luftuar nga strukturat shtetërore në mënyrë të vazhdueshme dhe me efektivitet gjithmonë në rritje. Krijimi dhe funksionimi i strukturave të specializuara (në rastin tonë SPAK) është një garanci për të patur sukses në këtë lufte.

LEXO EDHE  Vlorë/ Ndalimi i mbledhjes së bidonëve plastikë në koshat e plehrave, protestë kundër vendimit

1.2. Shteti shqiptar dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombetare kanë investuar dhe po vazhdojnë të investojnë fuqimisht në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe funksionale të prokurorëve të posaçëm. Në kushtet që prokurorët e posaçëm kanë mandat të kufizuar, ky investim do të duhet të përsëritet me grupin e ri të prokurorëve që do të përzgjidhen pas mbarimit të mandatit të prokurorëve ekzistues. Mendojmë që një zgjidhje e tillë ligjore me mandat të kufizuar në kohë krijon kosto të mëdha dhe të pajustifikuara.

1.3 Nisur nga eksperiencat e mëparshme apo ekzistuese me funksionet me mandat të kufizuar është konstatuar se vitin e fundit të mandatit funksionarët fillojne dhe mendojnë për të gjetur zgjidhje të favorshme punësimi pas mbarimit të mandatit. Kjo gjë normalisht shoqërohet dhe me rënie të intensitetit dhe efektivitetit në punën që ata bëjnë.

1.4. Procesi i përzgjedhjes së prokurorëve të posaçëm i zhvilluar nga KLP-ja ka konsumuar shumë kohë dhe energji të këtij institucioni, por dhe kohë e energji të partnerëve ndërkombëtarë që kanë monitoruar dhe këshilluar gjithë procesin e përzgjedhjes. Në rastin e mandatit të kufizuar 9 vjeçar, ky proces duhet ripërsëritur për të zgjedhur njëkohësisht në bllok grupin e dytë të prokurorëve të posaçëm.

1.5. Duke vlerësuar rezultatet e procesit të vetingut për prokurorët në sistem dhe trendin e vendimarrjes së organeve të vetingut, po konstatohet ulje e ndjeshme e numrit të prokurorëve në sistem, sidomos të atyre me vjetërsi të gjatë pune. Në këto kushte pas mbarimit të mandatit të prokurorëve posaçëm ekzistues do të jetë e vështire te gjenden një grup tjetër prej 20 prokurorësh, apo më shumë për t’i zëvëndësuar njëkohësisht. Nisur nga treguesit statistikor dhe detyrat në rritje që ka SPAK mund të lind nevoja në vijim për të rritur numrin e prokurorëve të posaçëm.

Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër mendojmë se është e domosdoshme që të hiqet kufizimi në kohë i mandatit për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu