Lukë Kaçaj, këngëtari lirik, bas-baritoni mitik nga Malësia e madhe

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Këngëtari lirik, bas-baritoni Lukë Kaçaj u lind më 26 shkurt 1924 në Bajzë të Kastratit, ish- qendra e nënprefekturës së Malësisë së Madhe. Historia e Lukë Kaçaj është një histori e veçantë e një artisti të madh, biles në të gjithë Europën jug-lindore që ra nën diktaturën komuniste. Diktatura në vëndet e ish-lindjes sidomos në Shqipëri, ka ndikuar negativisht edhe tek arti muzikorë, duke i mohuar të drejtën artistëve, për të luajtur stile dhe rryma muzikore, për të shprehur vehten, që binin ndesh me ideologjinë e kohës. Por historia e muzikantit mitik Lukë Kaçaj është shumë e veçantë, por e ndritur në raport me të gjithë artistët e tjerë. Krahas talentit artistik të veçantë, Lukë Kaçaj ka patur edhe një personalitet të veçantë, duke mos bërë kompromis me dikataturën.

Luka pavarësisht se kishte përfunduar studime jashtë shtetit dher kishte një vend pune në opera, nuk ishte dakord me trajtimin material dhe shpirtërorë të këngëtarëve të operas. Falë formimit të lartë akademik, ai nuk ishte dakord me repertorin që luhej, këndohej dhe mësohej në Konservator, Teatër ose në media, radio e television. Cenzura e kohës, nuk lejonte të luheshin veprat operistike e instrumentale që binin ndesh me diktaturën komuniste. Lukë Kaçaj ishte një këngëtarë lirik, që falë talentit të tij spikati shumë herët, pastaj në studimet në Moskë dhe më vonë, në karrierën e tij artistike. Mësimet e para i mori në kolegjin françeskan. Ai ka patur mësues At Gjergj Fishtën, At Martin Gjokën e At Filip Mazrrekun, që kanë ndikuar shumë në formimin artistik, estetik e muzikorë. Luka kur ishte 9 vjeç, hyn në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe më pas studion në Liceun “Illyricum“, ku kishte mësues Gjergj Fishtën, At Martin Gjokën e, më vonë, At Filip Mazrrekun. Me t’u hapur Liceu Artistik, niset për Tiranë për të studiuar. Në vitin 1947 pranohet në orkestrën e Radio Tiranës, por pas dy muajsh pushohet nga puna si “ish-nxënës i françeskanëve” dhe dërgohet hamall në ndërtimin e kombinatit në Yzberisht. Më vonë kompozitori Kristo Kona e ndihmon, duke e angazhuar me korin e Filarmonisë së Tiranës. Në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist. Në vitin 1953, në Festivalin e Dytë të Rinisë që u mbajt në Bukuresht, me interpretimin e aries së Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit, Kaçaj fitoi çmimin e dytë ndërkombëtar të Festivalit.

Në takimin e Bukureshtit, Lukë Kaçaj, konkurron me dinjtet artistik duke prezantuar para publikut dhe jurisë, një këngëtarë me të ardhme të madhe. Në vitet 1951-1955 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit “P. I. Çajkovski” në Moskë me rezultate shumë të mira. Në Moskë ai bie në sy të kritikës dhe profesorëve, për talent e shpirt artistik. Në vitin 1955, në konkurrimin e teatrit “Balshoj” të Moskës, renditet ndër 4 fituesit, ndërmjet 170 këngëtarëve, duke lënë pas vetes këngëtarë nga e gjithë bota. Lukë Kaçaj nuk pranon ofertën për të qëndruar në Bashkimin Sovjetik, ofertë që i’u përsërit edhe herë të tjera, në shtete të ndryshme.

Në të gjithë vendet e lindjes, ku ka kënduar ka patur oferta për të qëndruar, por nuk ka pranuar mbasi ishte i bindur për të kënduar dhe kontribuar në artin muzikorë në Shqipëri. Kthehet në Shqipëri dhe që atë vit emërohet solist në TOB, ku realizoi role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore. Më 28 nëntor 1958, interpreton në Teatrin “Balshoj” Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit duke korrur sukses absolut, siç ndodh dhe në skenat e tjera të Evropës Lindore, ku mori pjesë në shfaqje të ndryshme. Pas tre vjetësh, për merita të veçanta në fushën e interpretimit dhe të propagandimit të artit shqiptar, Lukë Kaçaj, 36-vjeçar, u nderua me titullin “Artist i Merituar”.

Në vitin 1966 deri në vitin 1973 kur dënohet fillon kalvari i persekutimit të rëndë për artistin e madh. Në vitin 1966 i ndalohet e drejta e skenës dhe emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Ndalimi për të dalë në skenën e operas ndikoi shumë negativisht tek Luka. Në Institutin e arteve Luka fliste hapur kundër regjimit komunist, çenzurës artistike dhe propagandës komuniste në proçesin e mësimit. Më 28 prill 1973, Sigurimi i Shtetit e arrestoi në prani të studentëve dhe pedagogëve, në hollin e Institutit të Arteve, sot Universiteti i Arteve. Më 21 gusht 1973, Gjykata e Tiranës e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie. Por dy javë më vonë, me një shkresë sekrete, Ministria e Brendshme iu drejtua Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ku ministria e brëndshme vërente se “…masa e dënimit me pesë vjet burg që iu dha të pandehurit është e butë dhe nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së theksuar shoqërore që paraqet vepra e kryer dhe vetë i gjykuari”. Megjithatë, Gjykata e Lartë, e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, por dënimit i shtohet edhe konfiskimi i pasurisë së tij. Luka vuan dënimin në burgun e Ballshit, edhe për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të rënduar gjatë paraburgimit. Bashkëshortja e tij, Ana, dhuronte gjak për të siguruar të ardhurat për vete dhe Lukën në burg. Lukë Kaçaj u lirua në vitin 1978 dhe deri sa doli në pension punoi si hamall te magazina e fruta-perimeve, te Pazari i Ri në Tiranë.

Luka vdiq më 7 shtator 2001 në spitalin civil të Shkodrës, qyteti ku jetoi vitet e fundit të jetës. Prehet në Laç. Pas vdekjes, në vitin 2003, Presidenti i Republikës Alfred Moisiu i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh i Punës“ dhe në vitin 2009, Presidenti i Republikës Bamir Topi, i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit”. Lukë Kaçaj ka luajtur në karrierën e tij artistike, disa role ku ka spikatur talenti i madh muzikorë, zëri i veçantë dhe kumbues dhe formimi i lartë intelektual dhe muzikorë në skenë. Zëri i tij binte në sy dhe shpesh krahasohen me basin e madh rus Fjodor Shaljapin. Fjodor Shaljapin ishte këngëtar rus, njëri nga basët më të shquar të botës, i cili shkëlqeu në skenën e vendit të tij dhe në skenat më të mira botërore me rolet e protagonistëve në operat e njohura : “Ivan Suzanin”, “Boris Godunov”, “Faust”, “Berberi i Seviljes”, “Karmen”, “Don Kishoti”, etj. Kaçaj thirrej edhe si ‘Shaljapin shqiptarë’. Luka kishte një zë të kumbushëm, që vinte nga shpirti i tij, arketipet e tija e prejardhja e tij. Rolet të cilat ka luajtur këngëtari i madh lirik Lukë Kaçaj janë : Don Bazilio tek opera “Berberi i Seviljes” i Rosinit; Gjini tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës; Bozonen tek opera “Madam Batërflaj” e Puçinit; Alekon tek opera “Aleko” e Rahmaninofit; Sparafuçilen tek opera “Rigoleto” e Verdit etj.

Në të gjitha rolet bie në sy stili i të kënduarit operistik duke dalluar stilin e operas italiane, ruse dhe mbi të gjitha tek opera shqiptare e të madhit Prekë Jakova ‘Mrika’. Lukë Kaçaj krahas talentit të madh muzikorë, ka patur edhe talent për kinematografi. Ai ka luajtur në filim “Skënderbeu”, 1953 (në rolin e këngëtarit të verbër); dhe në filmin“ Përse bie kjo daulle?”, 1969 (në rolin e babait). Si përfundim po përshkruaj me disa fjalë aftësitë vokale dhe artistike të këngëtarit lirik Lukë Kaçaj në albumin:’Luke Kaçaj – Albanian Classical Music’. Në këtë album bie në sy vokali i tij i mrekullushëm, zëri me potencë vokale, plot ditë, i fuqishëm, interpretimi me stil e nivel të lartë, kadenca të realizuara plot mendim dhe intonacioni brilant.

Lukë Kaçaj këndonte shkëlqyer operën italiane që është një shkollë në vehte për të gjithë këngëtarët lirikë. Lukë Kaçaj, këngëtari lirik, bas-baritoni mitik nga Malësia e madhe, do të kujtohet me shumë respekt nga publiku, ish-studentët dhe bashkëpunëtorët e tij si artisti me përmasa të mëdha, mitike dhe një simbol i madh i muzikës shqiptare. Lukë Kaçaj nuk i takon vetëm Malësisë së Madhe, por Shkodrës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Vita brevis, ars longa’, arti i Lukë Kaçaj nuk do të vdesi kurrë. Bibliografi: Wikipedia dhe burime interneti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu