Frikë nga dashuria?!

0
Shkruan Albert Vataj
Janë disa të vërteta që s’duam t’i pranojmë, siç, përpjekja për t’i fshehur na shtyn të besojmë se ato nuk ekzistojnë edhe pse mbeten shkaktarët përcaktues të vdekjes sonë ndjesore dhe shpirtërore.
Ndodh që koha e venit dhe e tret dashurinë, duke shkaktuar një tërheqje të ngarkesës dashurore që i është blatuar më parë partnerit, kumton në “Frika nga dashuria” Giacomo Dacquino. Pasojat e zhgënjimeve të ndërsjellta, shfaqen tek çiftet ku nuk ka ekzistuar ose është shtypur në mënyrë asgjesuese rritja psikologjike apo kulturore. Kur ata vjedhin kohë t’i përkushtohen njëri-tjetrit vetëm në orët lodhjes, kur sikletosen apo i shmangen lakuriqësisë së trupave, pasi diçka nuk funksionon si më parë në marrëdhënien intime. Kur jetohet pezull mes një martese që s’guxon ta prishësh dhe një marrëdhënie që s’mund ta shijosh plotësisht.
E sotmja orvatet të mbijetojë nën grahma zemrash të thyera, dashurishë që zvarriten, panikut për t’u fshehur nga sytë e botës dhe paaftësisë për të gjetur forcë përtëritëse duke mbetur një frikë nga dashuria.
Mendësitë, por më shumë se ato, mosnjohja reale e gjendjes, bën që ne të mjaftohemi në afri intimiteti dhe eteri përjetues, përmes një komunikimi të tendosur. Mjaftueshmëritë e asaj që japim dhe marrim në një vlerësim sipëror të konsiderimit të dashurisë, si një dhurat e hyjt, bën që zemrat të zbrazen dhe trupat të vdesin. Dhe, të jetuarit si një kavie në një botë ireale, shtirjeje dhe manipulimi, gjendja në koma ku ndodhemi, na lejon të jetojmë për të mos na lënë të vdesim. Por dashuria nuk di të shtiret, edhe pse shumë nga ne guxojnë të bishtojnë dhe të bëjnë hile, thua se kjo mrekulli është një lojë. Ata që kanë frikë nuk e meritojnë, ndoshta gjithmonë kanë përfituar dhe marrë papajtueshmërisht rrethanave ku zemrat e ndezura u kanë vënë flakë teupave.
Ata që nuk janë gati t’i blatojnë kësaj perëndie shpirtin, trupat e tyre janë dorëzime fatkeqe një dimri, dhe frika nga dashuria është po kaq reale sa dhe paniku i të sotmes për të qenë i mbushur me motivim, për të sfiduar botën përmes vetes që nuk dorëzohet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu