Kroacia siguron biletën e finales së Nations League, eliminon vendin organizator

0

Ka përfunduar dhe koha shtesë prej 30 minutash (dy pjesë nga 15 minuta), mes Holandës dhe Kroacisë, takim i vlefshëm për fazën gjysmëfinale të UEFA Nations League.

Kroacia u kualifikua duke triumfuar me rezultatin 4-2 përballë djemve të trajnerit Ronald Koeman në stadiumin e Roterdamit.

Pas barazimit 2-2 të 90 minutave të para, në shtesë, kroatët shënuan golin e avantazhit në minutën e 98’, falë Petkovic, i cili u tregua i saktë, nga distanca e largët duke mposhtur portierin holandez Bilow.

Vendasit, kërkuan me të gjitha forcat për të dërguar takimin të paktën, në serinë e penalltive. Koeman aktivizoi lojtarë si De Roon dhe Malacia, për t’i dhënë energji shtesë sulmit holandez por Modric me shokë, arritën që të mbrohen më së miri duke shënuar dhe golin e katërt të takimit në minutën e 116’ falë kapitenit Luka Modric.

“Kuadratkuqët” hipotekuan kështu, një vend në finalen e madhe të Nations League.

Nga ana tjetër, vendasit do jenë të detyruar që të ngushëllohen me takimin për vendin e tretë, përballë humbëses së ndeshjes Spanjë-Itali, që do të luhet ditën e nesërme (15 qershor).

Ndeshjet e radhës së këtij turneu (finalja për vendin e tretë si dhe finalja e madhe), do të zhvillohen ditën e dielë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu