Opozita shqiptare apel Altin Dumanit: Kam dorëzuar provat, SPAK të hetojë Olsi Ramën për ‘Xibrakën’

0

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka bërë thirrje kreut të SPAK, Altin Dumani që të nisë hetimet ndaj Olsi Ramës për përfshirjen e tij në laboratorin e drogës në Xibrakë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD ka akuzuar vëllanë e kryeministrit Edi Rama si të lidhur me grupin që kishte ngritur një laborator droge.

Bardhi tha se ka prova nga sistemi TIMS që sipas tij vërtetojnë Olsi Rama ka udhëtuar së bashku me Genci Xhixha. Për këtë arsye ai i kërkoi SPAK-ut ta rihetojë këtë çështje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai tha se sado të përpiqen, që me shkrime, statuse, kronika, komente të zhbëjnë lidhjen e Olsi Ramës me grupin kriminal të kokainës, TIMS-i dhe dosja janë aty.

“Janë shumë argëtuese këto teoritë konspirative që merren me gjithçka që s’ekziston, përveç të vërtetës. E vërteta qëndron në kërkesën time zyrtare të dorëzuar në SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Olsi Ramës. Faktet e publikuara ngrenë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tij në çështjen “Xibraka” për trafikun e drogës.

Të apasionuarve pas teorive të sajuara dhe të dështuara konspirative u uroj Gëzuar 1 Prillin, sepse vetëm gënjeshtra u ka mbetur si arma më e fortë! Por, sado të përpiqen, që me shkrime, statuse, kronika, komente të zhbëjnë lidhjen e Olsi Ramës me grupin kriminal të kokainës, TIMS-i dhe dosja janë aty. As nuk të lënë të gënjesh, as nuk të lënë të sajosh”, u shpreh Bardhi.

Për denoncimine Bardhit ka reaguar edhe Olsi Rama duke i cilësuar si një shpifje, të cilit lidhen me arsye politike për vëllanë e tij, kryeministrin Edi Rama.

“Kush më njeh e di sa i pastër jam dhe sa kjo baltë nuk më përket, ndaj dhe nuk kam dashur ta hedh mbrapsht. Unë kam njohur në distancë një nga personat në fjalë, po aspak atë për të cilin me aq zell e dëshirë më akuzon ky kanakari i atij sharlatanit famëkeq që na ka sulmuar me qindra herë familjen, ndërsa bën tani prokurorin politik për një çështje të hetuar dhe të gjykuar ku unë s’kam kurrfarë lidhje”, shprehet Olsi Rama në reagimin e tij.

Gazment Bardhi akuzoi të enjten Olsi Ramën, vëllai i kryeministrit Edi Rama, për lidhje me një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës në vitin 2014 dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të rihapë hetimet për të verifikuar rolin e tij në dosjen e njohur të laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.

“Prokuroria hapi një dosje sekrete paralele për të hetuar një 45 vjeçar të paidentifikuar me emër, që ka përdorur të njëjtën makinë si Olsi Rama dhe trafikantët e drogës,” tha Bardhi, duke theksuar se Olsi Rama ishte në atë kohë 45 vjeç.

Ai shtoi gjithashtu se vëllai i kryeministrit dhe drejtuesit e narkotrafikut përdorën të njëjtën makinë 18 herë.

Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.

Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës.

E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu