Kryebashkiaku i Kuçovës i dënuar në Greqi: Ika emigrant 17 vjeç për shkak të Saliut, prandaj…

0

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari që rikandidon sërish në këto zgjedhje të 14 majit, ka reaguar pas disa akuzave dhe lajmeve që tregoni se ai është dënuar në Greqi. Ai thotë se nuk ka qenë në dijeni të  këtij vendimi, e ndërsa tregon se kjo nuk e penalizon për kandidimin e tij në Bashkinë Kuçovë.

“Të nderuar bashkëqytetarë të Kuçovës, Sot jam njohur nga mediat për një “Masë edukuese qortimi” që Gjykata e Janinës kishte marrë ndaj meje në vitin 1999 për kalim të paligjshëm të kufirit.

Kjo është hera e parë që unë mësoj për ekzistencën e një vendimi të tillë, për të cilin sidoqoftë do të interesohem zyrtarisht mbi vërtetësinë e tij. Asokohe në moshën 17-vjeçare mora rrugën për të punuar në Greqi si shumë bashkatdhetarë të tjerë, duke lënë pas Shqipërinë e katandisur si mos më keq nga Saliu. Më ndaluan në kufi dhe menjëherë më kthyen pas në vendlindje.

Nuk kam pasur asnjë dijeni për veprimet që ka ndërmarrë më pas në mungesë drejtësia greke ndaj meje. E megjithatë edhe sikur të kisha pasur dijeni, masa qortuese që ka dhënë Gjykata e Janinës nuk ka qenë e detyrueshme nga unë për t’u deklaruar si vendim administrativ. Gjë që përcaktohet shumë qartë në formularin e Ligjit për Dekriminalizimin, më konkretisht pika 7. Thënë këto, kjo nuk është aspak penalizuese për kandidimin tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Bashkinë Kuçovë. Pra, s’ka asnjë pengesë ligjore.

Megjithatë jam i hapur për çdo lloj verifikimi nga agjencitë tona ligjzbatuese ndërkohë që do të vijoj fushatën elektorale për të fituar mandatin e dytë. Kuçova ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme transformimi dhe së bashku do të çojmë përpara kantieret e punët e nisura përgjatë mandatit tonë të parë”, shkruan ai.

Ky reagim vjen pas lajmit se Hajdari rrezikon të humbë mundësinë e një rikandidimi, për një mandat të dytë në krye të bashkisë Kuçovë pikërisht prej këtij vendimi, por vetë kandidati e mohoi një gjë të tillë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu