Gjykata speciale shtyn sërish aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Do të shpallet më 16 shtator

0

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar sot se aktgjykimi për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, do të shpallet më 16 shtator të këtij viti.

Në një njoftim për media, gjykata tha se trupi gjykues ka vendosur që të shtyjë datën për shqiptimin e aktgjykimit për në datën 16 shtator 2026, në orën 10:00.

“Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.

Fillimisht, Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Por, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, ai vendosi ta shtynte këtë afat deri më 20 korrik 2026 dhe tani vendosi përfundimisht për 16 shtator.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Ata i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima. Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca. Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt, ndërsa ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë qëkurse u arrestuan në vitin 2020.
Vendimi i mëparshëm për shtyrjen e datës së shpalljes së aktgjykimit ishte kritikuar si -i “paarsyeshëm” në Kosovë dhe një shtyrje përfundimtare e gjatë sikurse kjo pritet të nxisë përsëri kritika.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu